Elvis Hoxha, ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, i ka reaguar kryetarit të Nismës Soecialdemokrate Fatmir Limajt.
Hoxha e ka quajtur “të padijshëm” dhe “të pavetëdijshëm” Limajn, duke iu kundërpërgjigjur deklaratës së tij se “Kurti nuk ka bërë punë publike”, përcjell Bota sot.
Ai ka thënë se Limaj u vu në poste politike se vinte prej funksionit të vet publik në luftë, teksa të njëjtin e ka akuzuar edhe për korrupsion.
Sipas tij, Kurti punën e tij publike e ka bërë në protesta, në burgje, si kryetar i Lëvizjes, si kryeministër. “Populli e ka votuar Albinin, ndërsa Fatmirin e ka degdisur”, ka shkruar Elvis Hoxha, në një postim në Facebook.
Ai ka përmendur edhe gazetarin Valon Syla.
Reagimi i tij i plotë:
As turp e as dije:
Ndërkohë që Edi Rama merr haptas anën e Serbisë kundër Kosovës, me pretekstin se para do vitesh ka bërë thagmën në mes të Beogradit, del tani Fatmir Limaj e na flet për punën publike. Le t'ia sqarojmë pak.
Puna publike në Kosovë ka një tjetër vlerë. Punën më publike e bën ai që quhet vullnetar. Dhe vullnetarë Kosova ka pasur nëpër tërë historinë e vet. Të burgosurit politikë janë punëtorë të publikes, luftëtarët e UÇK-së janë punëtorë të publikes, mbartësit e protestave janë punëtorë të publikes.
Limaj tha se kryeministri Kurti nuk ka bërë punë publike. Kjo tregon se sa i padijshëm dhe sa i pavetëdijshëm është ky njeri. Personin e quajtur Limaj e vunë në poste të larta jo sepse ishte ekspert i ekonomisë, por se vinte prej funksionit të vet publik në luftë. Dhe ne e pamë të gjithë korruptimin e publikes prej këtij personi. Ilegal dhe sekret në funksionin e lartë publik, aq sa ç'ishte publik në funksionin e tij ilegal në luftë.
Në diskursin politik mediatik po konstatojmë gjithnjë e më shumë padijen. Sepse njerëzit vulgarë flasin në terrenin publik pa asnjë fije turpi.
Mendoni pak Valon Sylën, i cili pa asnjë kontribut veç të qenit mercenar i pushtetit, akuzon për injorancë mërgatën. E pra, në mënyrë anonime, mërgata e Kosovës ka sjellë të mira publike të pakrahasueshme me pushtetet e Kosovës.
Nëse mund të ketë ndonjë vërejtje për Albin Kurtin, kjo mund të jetë fakti se ai nuk ka kohë për jetë private. Nuk kam nevojë t'i dalë në mbrojtje Albin Kurtit. Punën e tij publike e ka bërë në protesta, në burgje, si kryetar i Lëvizjes, si kryeministër. Populli e ka votuar Albinin, ndërsa Fatmirin e ka degdisur. Sepse Limaj e kryente funksionin e tij publik në koalicionet e natës për të vjedhur pushtetin.
Limaj e harroi se para do kohësh na tregoi se nuk bëhet qeveria me libra. Ai duhet ta kishte marrë vesh tërë këta vite se leximi është çështje publike. Lexojmë vetëm, por lexojmë libra mbi të njëjtat çështje e të njëjtat dije. Kur nuk lexojmë, atëherë i tërë funksioni mendor kthehet në thashetheme e opinion, në sekret dhe privim.
Ashtu si Valon Syla që privon studiot e televizionit nga mendimi dhe akuzon mërgatën për injorancë, edhe Limaj diskrediton me vulgaritetin dhe injorancën e vet funksionet publike që ka mbajtur.
Nëse pushteti dhe shoqëria kanë ndonjë mision të lartë këtej e tutje, natyrisht që ky funksion është rritja e përmasës publike të njerëzve dhe institucioneve, mirënjohja ndaj tërë vullnetarëve të publikes.