​Vrasja e Marigonës, Protestuesit: Shteti po dështon për t’u dalë në mbrojtje grave

Aktuale

​Vrasja e Marigonës, Protestuesit: Shteti po dështon për t’u dalë në mbrojtje grave

Më: 26 gusht 2021 Në ora: 14:35
Foto nga vendi i ngjarjes

Dhjetëra qytetarë kanë protestuar sot me kërkesat që vrasjet e grave të trajtohen si urgjencë kombëtare.

Ata u mblodhën pranë objektit të Ministrisë së Drejtësisë, për të vazhduar më pas te Ministria e Punëve të Brendshme dhe te Qeveria e Kosovës ku edhe hodhën ngjyrë të kuqe në shenjë revolte, pas rastit të fundit në Ferizaj ku një 18-vjeçare dyshohet se është vrarë nga dy persona.

Protestën e filluan nën brohoritjet “Monitorim, sanksionim, shkarkim”, “Krejt vrasësit e grave po ju dalin recidivistë”, “Poshtë institucionet patriarkale”, “Kjo ministri i ka duart me gjakun e grave”, “Jeta e grave hajgare për shtetin” e të tjera.

Aktivistja Kaltrina Fejzulluhau tha se kanë dalë për të kërkuar shkarkimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve që nuk i trajtojnë rastet me seriozitet dhe ndjeshmëri gjinore.

Fejzullahu: Të shkarkohen gjyqtarët që nuk i trajtojnë rastet me seriozitet

“Monitorim, sanksionim, shkarkim të gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve të Kosovës që nuk i trajtojnë rastet me seriozitet dhe ndjeshmëri gjinore, sipas Kodit Penal dhe Konventës së Stambollit. Kërkojmë llogaridhënie nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës për këto raste të shkeljes, plan konkret nga Qeveria e Kosovës për luftimin e dhunës me bazë gjinore”, tha Fejzullahu.

Protestuesit paraqitën kërkesat e tyre edhe pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku doli t’i presë ministri Xhelal Sveçla, por që protestuesit e injoruan prezencën e tij.

Nga aty protestuesit u larguan për të marshuar drejt objektit të Qeverisë të Kosovës duke brohoritur “ministër ik”, ndërkohë që ky i fundit iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Protestuesit: Ministër ik!

“Ministër ik, ministër ik”.

Ndërsa pranë objektit të Qeverisë së Kosovës, aktivistja Bjeshkë Guri tha se janë të indinjuara me dështimin institucional për t’u dalë në mbrojtje grave.

Ajo tha se vrasja e 18-vjeçares Marigona Osmani nga bashkëshorti i saj Dardan Krivaqa, përveç tmerrit që shkakton, është alarmi i fundit për shtetin që të kthejë vëmendjen te jeta dhe siguria e grave.

Guri: Jemi të indinjuara me dështimin e shtetit për t’u dalë në mbrojtje grave

“Vrasja e Marigonës nuk mund të lexohet ndryshe, veçse si një tjetër rast i femicidit. Pra, edhe një vrasje në vargun e vrasjeve të qëllimshme të grave, pikërisht sepse ato janë gra. Edhe ky rast, sikurse rastet tjera, ka ndodhur pikërisht me ndërmjetësimin e shtetit patriarkal, i cili me të gjitha forcat e institucionet e tij po mirëmban dhe ushqen norma e praktika shtypëse, të cilat i dhunojnë gratë sistematikisht, për t’ua marrë jetën në fund. Në gjithë këtë situatë, përveç frikës kolektive që bashkëndajmë me gra, jemi jashtëzakonisht të indinjuara me dështimin institucional për t’u dalë në mbrojte grave. Edhe më të frustruara nga praktika e fajësimit të grave edhe për së vdekuri”, tha ajo.

Protestuesit para objektit të qeverisë hodhën ngjyrë të kuqe, si shenjë revolte për dështimin institucional për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe femicidit.

Protesta është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist-QIKA, Rrjeti i Grave të Kosovës, Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat