Japonia dhuroi një donacion me pajisje mjekësore për SHSKUK-në

Aktuale

Japonia dhuroi një donacion me pajisje mjekësore për SHSKUK-në

Më: 26 gusht 2021 Në ora: 15:28
Foto nga vendi i ngjarjes

Ambasada e Japonisë në Kosovë, përmes Organizatës “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”, i dhuroi një donacion me pajisje mjekësore Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, që kushton 53 mijë e 570 euro.

Donacioni, të cilin zyrtarisht e pranoi drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, përmban 3 mikroskopë trinokularë dhe 2 inkubatorë transportues.

Krasniqi falënderoi shtetin japonez për ndihmën e vazhdueshme, në veçanti gjatë periudhës së pandemisë, e cila ka ndikuar në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe në ngritjen e nivelit të sigurisë tek personeli shëndetësor.

“Kjo kohë ka treguar se Kosova ka shumë miq në botë, në mesin e tyre Japoninë, dhe bashkërisht ne jemi shumë të sigurt që do t’ia dalim ta menaxhojmë pandeminë edhe në nivel global, shpresoj”.

“ Edhe koronavirusi ka treguar se sa të afërt janë njerëzit mes vete, pavarësisht ku jetojnë dhe, në të njëjtën kohë, sa të ndjeshëm jemi ndaj kërcënimeve të përbashkëta, që i kanosen njerëzimit në përgjithësi”, tha Krasniqi.

Njëri mikroskop trinokular do të instalohet në Institutin e Patologjisë në Qendrën Klinike Universitare, ndërsa dy të tjerë në Spitalin e Prizrenit dhe në Spitalin e Gjilanit.

Spitali i Gjakovës dhe i Mitrovicës, ndërkaq, do të pajisen me nga një inkubator transportues.
Ambasadori i Japonisë në Kosovë, Ogasawara Mitsunori, shpreson që pajisjet e dhuruara do t’i ndihmojnë spitaleve që të ofrojnë trajtim më të mirë mjekësor për pacientët.

“Së bashku me trajtimin e pacientëve të infektuar me COVID -19, është e rëndësishme që njerëzit në Kosovë të përmirësojnë sistemin shëndetësor, për të ofruar shërbime shëndetësore, duke përfshirë kujdesin shëndetësor të nënës dhe fëmijës”, tha Mitsunori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat