Rasti i Dardan Krivaqës/ Shpend Ahmeti befason me deklaratën për Xhelal Sveçlën

Aktuale

Rasti i Dardan Krivaqës/ Shpend Ahmeti befason me deklaratën për Xhelal Sveçlën

Nga: A.Zh Më: 26 gusht 2021 Në ora: 19:01
Shpend Ahmeti

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, ka përkrahur deklaratën e ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla, i cili është shprehur i habitur se si prokuroria dhe gjykata nuk e dinë që i dyshuari për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, i ka 136 raste në Polici.

Ahmeti ka thënë se pajtohet me Sveçlën, pasi, sipas tij, po të ishin qytetarët të kënaqur me gjykatat, nuk do ta votonin Lëvizjen Vetëvendosje, përcjell Bota sot.

Ahmeti ka kërkuar nga ministri Sveçla, që të indentifikojnë burrat tjerë që kanë raste të ngjashme për dhunë ndaj femrave dhe të parandalohen rastet si vrasja e Marigona Osmanit.

Sipas tij, Sveçla nuk ka nevojë t'ia dërgojë listën e Krivaqës gjykatësve dhe prokurorëve, pasi ai është në burg dhe "shpejtësia e kapjes nga Policia është për t'u përshëndetur".

Reagimi i Ahmetit në Facebook:

Ministri Sveçla duke i reaguar prokurorisë dhe gjykatës në Ferizaj është çuditur se si ata nuk e dinë që Dardan Krivaqa i ka 136 raste në Polici dhe ju ka ofruar listën e tyre.

Një pjesë edhe pajtohem me Xhelalin në atë çka ka thënë, se me qenë të kënaqur qytetarët me gjykata nuk do të ju votonin.

Xhelal - s’ke nevojë me dërgu listën e Krivaqës. Ai është në burg dhe shpejtësia e kapjes nga Policia është për tu përshëndetur.

Identifikoni kush tjetër në Kosovë ka 136 vepra dhe sorollatet i lirë. Identifikoni burrat që kanë raste të shumta të kanosjes dhe rrahjes së grave të tyre. Ndalni ato që ende s’kanë ndodhur, mos u arsyetoni për ato që tashmë kanë ndodhur.

Familjes së Marigonës fare pak ju intereson tashmë numri i veprave të Krivaqes. Por, të gjithë neve na intereson që ajo që i ka ndodh Marigonës mos t’i ndodh askujt në Kosovë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat