26,525 raste aktive me coronavirus në Kosovë, Kurti takon sot kryetarët e komunave

Aktuale

26,525 raste aktive me coronavirus në Kosovë, Kurti takon sot kryetarët e komunave

Më: 31 gusht 2021 Në ora: 07:45
Albin Kurti

Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, informon në total numri i rasteve aktive është 26.525.

Numri i përgjithshëm i të shëruarve është 114.661, ndërsa nga fillimi i pandemisë kanë vdekur 2,477 persona.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti sot do t’i takojë kryetarët e komunave të Kosovës për të diskutuar lidhur me gjendjen pandemike në vend.

Siç mëson media, takimi pritet të nis në ora 10:00.

Ndërkaq, vendimi për takim raportohet se erdhi pasi drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, reagoi më herët për neglizhencën e qeverisë për t’i  bërë komunat pjesë të Komitetit për Menaxhimin e Pandemisë.

Ibrahimi ka thënë se është befasuese sesi Qeveria as nuk i ka kontaktuar për të diskutuar lidhur më këtë çështje.

“Si mundet një grup të quhet koordinues kur përfaqësuesit e komunave nuk janë aty. Nuk e di se si mund të harrohen (me qëllim apo pa qëllim) institucionet ku zbatohen masat”, tha Ibrahimi.

Tutje theksoi se masat kundër coronavirusit nuk zbatohen nëpër zyra e Qeverisë por nëpër komuna, aty ku ka zhvillim të jetës së qytetarëve.

“Masat anti-COVID nuk zbatohen nëpër zyrat e qeverisë por nëpër komuna sepse aty zhvillohet jeta e qytetarit e jo nëpër zyrat e qeverisë dhe pa bashkëpunim me komunat nuk e di se si mund të ketë sukses zbatimi i masave”, u shpreh Ibrahimi.

Ndryshe, të hënën Kosova ka regjistruar edhe 20 viktima si pasojë e COVID-19.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë në 24 orët paraprake janë regjistruar 932 raste të reja të të infektuarve me coronavirus.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat