Forumi i Bled në Slloveni, Kurti flet për dialogun me Serbinë, tregon synimet e Kosovës

Aktuale

Forumi i Bled në Slloveni, Kurti flet për dialogun me Serbinë, tregon synimet e Kosovës

Më: 1 shtator 2021 Në ora: 11:21

(E plotësuar 18:52) - ​Kurti në Forumin e Bledit: Në Ballkanin Perëndimor duhet të ketë reciprocitet me të drejtat e pakicave

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi sot në panelin e Forumit Strategjik të Bledit në Slloveni, se në vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të ketë reciprocitet me të drejtat e pakicave.

Ai tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bashkëpunojnë në arritjen e një marrëveshje të SEFTA-së, ku do të përfshihen katër elemente.

Kurti: Në Ballkanin Perëndimor duhet të ketë reciprocitet me të drejtat e pakicave

“Në këto gjashtë vende, këto katër elemente që mund të na bëjnë edhe më shumë bashkë dhe të na sjellë edhe më shumë ecuri janë sundimi i ligjit kundër oligarkëve, demokratizimi kundër autokratëve dhe fakti që ne duhet të trajtojmë atë që ka ndodhur në të shkuarën, por e fundit dhe jo e rëndësishme është një simetri dhe reciprocitet me të drejtat e pakicave. Në gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe gjithmonë kundër hegjemoninë nacionaliste”, tha Kurti.

Kreu qeveritar tha se nga kjo marrëveshje, përveç fondeve, vendet e Ballkanit Perëndimor do të përfitonin edhe vlerat e BE-së.

Kurti: Përveç fondeve të përfitojmë edhe vlerat e BE-së

“Unë kam sugjeruar një samit me gjashtë vendet, SEFTA dhe jo CEFTA, një marrëveshje të tregtisë së lirë me pjesën jugore të Evropës. Ku do të thotë se të gjitha e vendet e Ballkanit Perëndimor të lëvizin drejt BE-së. Unë mendoj se kjo është mënyra më e mirë, natyrisht nuk dua të lë negociatat që janë përfshira vendet e caktuara, por mendoj se SEFTA do të ishte e rëndësishme, pasi do të kishim edhe fonde dhe vlera të BE-së”, tha Kurti.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka propozuar një marrëveshje të re bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjatë samitit të liderëve të rajonit që u mbajt në qershor të këtij viti në Tiranë. Kurti e ka pagëzuar këtë iniciativë si Marrëveshja e Evropës Juglindore për Tregti të Lirë – ose SEFTA.

Marrëveshja do të përfshijë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Bosnje Hercegovinën, Malin e Zi dhe Serbinë “si anëtarë të barabartë me të drejta të barabarta”. Sipas propozimit të Kurtit, SEFTA do të krijojë një zonë ekonomike të përbashkët të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të saj do të krijohet një Këshill, Komitet i Përbashkët, Gjykatë, Sekretariat dhe autoriteti i Mbikëqyrjes.

Propozimi parashikon që pasi të krijohet SEFTA, BE do të lidhë një marrëveshje me të për të zgjeruar katër liritë së – lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, personave dhe kapitalit – në të gjithë vendet e SEFTA-s.

Marrëveshja me BE-në do të parashikonte gjithashtu një mekanizëm mbikëqyrjeje, të drejtuar dhe operuar në kuadër të Bashkimit Evropian për të siguruar që të gjithë anëtarët e respektojnë marrëveshjen.

Një marrëveshje e ngjashme me propozimin e Kurtit që është aktualisht në fuqi është Marrëveshja për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), e cila parashikon krijimin e një zone të lirë ekonomike, ku Ballkani trajtohet në mënyrë preferenciale në raportet ekonomike nga BE.

Por CEFTA nuk ka sjellë rritjen e pritshme të tregtisë rajonale mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kurti ka kundërshtuar modelin aktual të CEFTA pasi sipas tij ai e trajton si të pabarabartë Kosovën.

Propozimet për bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor vijnë në kuadër të procesit të Berlinit. Kjo është një iniciativë e nisur nga kancelarja Angela Merkel e cila kërkon që vendet e Ballkanit Perëndimor para integrimit në BE të integrohen rajonalisht duke u bazuar në legjislacionin e kërkuar nga Brukseli

Kurti: Kosova synon sa më shpejt përfshirjen në BE dhe NATO

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar nga Forumi Strategjik i Bledit.

Ai nga atje tha se, përfshirja e gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor në BE do të ishte në përfitim të dyanshëm.

“E para kufijtë e jashtëm të BE-së do të bëheshin më të vegjël, dhe do të ishte mirë për të dyja palët. Po ashtu çdo i treti qytetarë i gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor nuk është banor rezident në Ballkan Perëndimor, jeton në Evropën Perëndimore. Me përfshirjen e gjashtëshes së BE-së shtetet tona dhe diaspora do të ishin në një entitet të njëjtë, e do të ishte shumë mirë për ekonominë. Shembull Kosova ka gati 20 për qind të GDP-së totale nga remetancat”.

Po ashtu kryeministri Kurti është shprehur se, Kosova është shtet pro perëndimor dhe aspiron të anëtarësohet sa më shpejt në BE dhe NATO.

Kurti ka cekur edhe pranimin e 2000 refugjatëve afganë në Kosovë.

“Jemi shtet i varfër, po besojmë se kur vjen te çështjet humanitare, nuk duhet të pyesim pse, por duhet të themi si”, tha ai.

 ​​​Pahor: Shtyrja e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor mund të ketë pasoja të padëshiruara

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, deklaroi sot në Bled se shtyrja e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor mund të ketë pasoja të padëshirueshme nga të dy palët.

"Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe duhet të marrë pjesë në diskutimin mbi të ardhmen e tij," tha ai në hapjen e panelit "E ardhmja e Evropës" në Forumin e 16 -të Strategjik të Bledit.

Ai shtoi se të dyja palët kanë një interes gjeopolitik, por se përgjegjësia për zgjerimin është gjithashtu e ndarë.

"Zgjerimi po bëhet çështje kohe, ngadalësimi ka shumë pasoja negative për të dyja palët, procesi i reformës po ngadalësohet, nacionalizmi po rritet dhe besimi i ndërsjellë po zvogëlohet," tha ai.

Pahor shtoi se po shfaqen edhe ide të rrezikshme për ndryshimin e kufijve, të cilat, siç tha ai, nuk përfundojnë kurrë në paqe.

"Unë besoj se në strategjinë e saj të zgjerimit të BE-së, Ballkani Perëndimor duhet parë në tërësi, dhe jo veçmas siç është tani," tha Pahor.

Ai theksoi se rajoni duhet të bëjë më shumë për të qenë tërheqës dhe mbështeti nismën për Ballkanin e Hapur, duke shtuar se ai besonte se nuk ishte një alternativë ndaj BE-së, por pjesë e rrugës së pranimit.

Zaev i vendos afate BE-së: Kemi mbetur si një ishull në mes

Bashkimi Europian duhet të flasë me afate për integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe nuk duhet të zvarrisë këtë çështje.

Kjo ishte kërkesa e bërë nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni.

“Kemi nënshkruar marrëveshjen e stabilizim-asocimit para Kroacisë, por sot Kroacia feston 15-vjetorin e anëtarësimit. Ne kemi mbetur si një ishull të rrethuar nga BE”, tha Zaev.

Nevojën e caktimit të afateve e përmendi edhe Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli.

“Ballkani Perëndimor po pret prej dekadash. BE duhet të ndryshojë në mënyrë pragmatike dhe të vendosë afate”, tha ai.

Presidenti i Bullgarisë i kthen përgjigje Ramës: Që të jemi më konkret miku ynë Edi këtu flitet për integrimin tuaj, ndërsa Vuçiç nuk...

Pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nga Forumi Strategjik i “Bledit” në Slloveni i kërkoi Bullgarisë që të heqë veton për Maqedoninë e Veriut, për t’i hapur rrugën çelje së negociatave, ka reaguar Rumen Radev.

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev i është përgjigjur Ramës duke thënë se Bullgaria është pro zgjerimit por sipas tij duhet që çështjet të zgjidhen një herë e mirë në mënyrë që të ketë stabilitet brenda Bashkimit Europain. Më tej me tone ironike, Rumen Radev duke iu drejtuar Ramës ka hedhur “kunja” ndaj presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, duke thënë se edhe pse në këtë forum flitet për integrimin e Ballkanit Perëndimor , ai nuk është i pranishëm.

Rumen Radev: Na është dashur shumë kohë të diskutojmë çështjet në mënyrë të hapur. Emir i Bullgarisë sikur dilte në ajër. Faleminderit Edi që më në fund e the haptazi dhe e përmende. Që të jemi më konkret. Jo që të jemi më konkret miku ynë Edi. Aleksandër Vuçiç është ftuar të diskutojë të ardhmen e vendit të tij në BE dhe nuk është këtu. Dhe unë jam këtu dhe ai nuk është. Unë që jam përfaqësues i një vendi që është pjesë e BE.” tha Presidenti i Bullgarisë.

“Çfarë të ardhme do kemi ? Bullgaria është mbështetësi më i fortë i procesit të zgjerimit por ky proces dëshirojmë që të jetë stabël dhe të pa kthyeshëm. Për të vazhduar këtë duhet të kthehemi tek vlerat tona. Të rinjtë tanë do takohen të lirë dhe pa fjalë urrejtje dhe duke e njohur njëri tjetrin duke përjashtuar gjuhën e urrejtjes. Dhe ky ishte shqetësimi im. Bullgaria është mik i besuar në këtë proces. Bullgaria është gjithmonë aty. Edhe ku Ballkani Perëndimor doli nga radarët. Bullgaria e solli në vëmendje.” tha më tej Radev.

Rama batuta me zyrtarët e lartë të BE: Më lejoni t’ju jap ca buzëqeshje në këtë atmosferë të zymtë! 

Fjalimin e tij në Forumin Strategjik në Bled në Slloveni, kryeministri Edi Rama e ka nisur me një batutë.

“Së pari më lëni t’ju jap ca buzëqeshje në këtë atmosferë të zymtë.Ka diçka që duhet ta ruajmë fort. Ne qeshim edhe kur nuk mundemi.

Pjesëtarët e BE nuk e bëjnë dot. Po e kam fjalët për gjermanët”, shprehet Rama.

***

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhely gjatë fjalimit të tij në Forumin Strategjik i BE në Bled të Sllovenisë, është ndalur tek integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Varhelyi mori si shembull Afganistanin duke thënë se BE nuk mund të dështojë në të njëjtën mënyrë edhe me Ballkanin Perëndimor.

Më tej komisioneri europian ka theksuar se hapat duhet të merren në kohë për të integruar Ballkanin Perëndimor në BE.

Varhelyi: Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Be është koncepti i duhur për tu diskutuar. Zgjerimi është më shumë proces administrativ më shumë se politik. Por sot duhet të diskutojmë se si do bëhet Ballkani Perëndimor pjesë e BE. Ajo që ne dimë dhe kemi shembull dhe përvojë është ajo e Afganistanit. Ballkanin Perëndimor e kemi këtu dhe kjo është përgjegjësi shumë më e lartë. Nuk mund të dështojmë me Ballkanin Perëndimor. Ti Integrojmë ata në aspektin politik, në ekonomi në siguri. Nuk ja lejojmë dot vetes këtë që të dështojmë. Të ushtojmë një pushtet të butë dhe t’i motivojmë. Edhe në Ballkan duhet të ketë bindje nga brenda që duhet të bëhen pjesë e BE. Duhet të jemi të motivuar dhe oferta është e vërtetë për këtë duhet të flasim dhe si ta përshpejtojmë. Afganistani na jep mësim se nuk kemi kohë për të humbur. Të marrim vendimet e duhura dhe të ec përpara rajoni. Ne ashtu shikojmë se shoqëria dhe ekonomia e Ballkanit po integrohet pak nga pak në BE.

 

Presidenti i Sllovenisë: Shtyrja e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor në BE mund të shoqërohet me pasoja

Në Bled të Sllovenisë po mbahet  Forumi Strategjik ku marrin pjesë kryeministra dhe presidentë të BE-së dhe liderë nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në takimin e organizuar nga Sllovenia, e cila është kryesuesja e radhës e BE-së, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, kërkoi që Bashkimi Europian të bëjë më shumë për intergrimin sa më të shpejtë të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në Union, në të kundërt tha ai, çdo vonesë apo zvarritje mund të shoqërohet me pasoja të padëshiruara si për Ballkanin ashtu dhe BE.

Pahor: Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës dhe duhet të jetë në gjendje të angazhohet në diskutimet që lidhen me të ardhmen e saj. Do të doja të theksoja se do të ishte gjëja e duhur dhe në përfitim të BE dhe Ballaknit Perëndimor nëse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të anëtarësoheshin në BE sa më shpejt të jetë e mundur.

Vonesa apo shtyrja e zgjerimit mund të sjellë pasoja të paparashikuara dhe dhe të padëshiruara për të dyja palët.

 

Forumi Strategjik i Bledit, Kurti takon Pahor

Në kuadër të margjinave të Forumit Strategjik të Bledit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti është takuar sot me presidentin e Sllovenisë Borut Pahor.

Kurti me këtë rast ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e Pahor në rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantik.

“Presidenca sllovene e Këshillit të BE -së do të kontribuojë në forcimin e elasticitetit të WB6 (gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor)”, shkruan Kurti në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha sot më herët se ai pret që dialogu me Serbinë të vazhdojë në vjeshtë, por sipas gjithçka varet nga ndërmjetësuesit e këtij procesi, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Gjatë ditës së sotme, Kurti pritet të takohet edhe me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Image

 

Vuçiq: Serbia s’mund të anëtarësohet në BE derisa të zgjidhë marrëdhëniet me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se vendi i tij nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian derisa të zgjidhë marrëdhëniet me Prishtinën dhe se askush nuk duhet të gënjejë apo mashtrojë për këtë çështje.

"Por është e rëndësishme që Evropa të tregojë se është ende tërheqëse, në mënyrë që kombet e tjera të kenë dëshirën për të qenë pjesë e Evropës," tha ai në një deklaratë për shtypin gjatë pushimit të Forumit Strategjik të Bledit.

Vuçiq tha se kishte marrë informacion se Prishtina do të niste një ofensivë diplomatike më 4 shtator, duke kërkuar që Kosova të pranohej në shumë organizata ndërkombëtare, dhe vlerësoi se kjo nënkuptonte ndalimin e zbatimit të mëtejshëm të Marrëveshjes së Uashingtonit.

Vuçiq shtoi se ai pret që biseda në nivelin teknik me ndërmjetësuesin Miroslav Lajçak të rifillojë së shpejti dhe se ai pret që diplomati sllovak të vizitojë Beogradin dhe Prishtinën së shpejti.

Presidenti serb tha se nuk u takua me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Bled, por se ai "e pa atë nga skena", dhe shtoi se gjasat "të gjithë presin që zgjedhjet lokale në Prishtinë të përfundojnë".

***

Udhëheqësit evropianë mbërritën në një konferencë në vendpushimin e  Bledit të Sllovenisë  për të diskutuar të ardhmen e Afganistanit.

Kryeministri kroat Andrej Plenkovich tha se Bashkimi Evropian ishte më i përgatitur për të trajtuar presionin e mundshëm të migrimit sesa ishte në 2015 dhe 2016.

Atje i pranishëm është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në margjinat e këtij forumi Kurti, është takuar me homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq në Slloveni.

Përmes një postimi në Twitter, Kurti tha se me Plenkoviqin kanë diskutuar rreth ekonomisë, sigurisë dhe mënyrat për të forcuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve.

Shefi i ekzekutivit kosovar nga Sllovenia ka deklaruar poashtu se pret që takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi mes aktorëve kryesorë të mbahet në vjeshtë.

“Nuk më intereson se kush e kundërshton”, thotë Vuçiq për Ballkanin e Hapur

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është shprehur se nuk i intereson për personat që e kundërshtojnë idenë e “Ballkanit të Hapur”.

Ai në Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë ka kritikuar Bashkimin Evropian se nuk është duke punuar mjaftueshëm në pranimin e Serbisë si dhe për mbështetjen në fusha të ndryshme siç është ekonomia, duke thënë se bashkë me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë e kanë nisur idenë e “Ballkanit të Hapur” për të zgjidhur vet vështirësi që i kanë.

“Filluam të gjejmë vet mënyra për të kapërcyer vështirësitë ekonomike. Kjo është se pse e krijuam mekanizmin tonë për të kapërcyer të gjitha vështirësitë duke përfshirë këtu “Ballkanin e Hapur”. Ne dëshirojmë të kemi qarkullim të lirë pa kufij në të ardhmen”.

“Edhe pse janë disa njerëz që nuk e dëshirojnë këtë sepse nuk e kanë timonin në duart e tyre, por të themi të vërtetën, ne nuk mërzitemi për ata më. Ajo çka dëshirojmë të shohim ne është se çfarë do të jetë e ardhmja për të gjithë ne”,ka thënë Vuçiq.

Image

Kurti takon kryeministrin kroat, ja për çka diskutuan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni.

Atje, Kurti takoi kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

Kurti thotë se homologun e tij kroat të kenë diskutuar për ekonominë, sigurinë dhe mënyrat për të forcuar më tej marrdhëniet mes dy vende.

“Fillova ditën time në Forumin Strategjik Bled, duke u takuar me Kryeministrin e Kroacisë, z. Andrej Plenkoviq. Ne diskutuam ekonominë, sigurinë dhe mënyrat për të forcuar më tej marrëdhëniet tona të jashtëzakonshme dypalëshe dhe për të thelluar bashkëpunimin tonë”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Image

Orban: Serbia, shtet kyç për Bashkimin Evropian

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë se shtetet e Bashkimit Evropian kanë më shumë nevojë për pranimin e Serbisë në union se sa që ka nevojë Serbia për ato shtete.

Ai deklaroi kështu në Forumin Strategjik të Bledit kur u pyet për se si duhet të shmangen qasjet shkatërruese politike kur një shtet pritet të pranohet në BE.

“Shteti çelës është Serbia, pa e pranuar Serbinë si një shtet të ri të Bashkimit Evropian. Këtu nuk ka asnjë arsye për të folur për ndonjë siguri, ose për ndonjë identitet të përgjithshëm evropian”.

“Serbia është shteti kyç, dhe e vërteta është se shtetet e Bashkimit Evropian më shumë kanë nevojë për pranimin e Serbisë, se sa që ka nevojë Serbia për to dhe për anëtarësim. Këto janë çështje të strategjisë gjeopolitike, kemi nevojë për Serbinë për shkak të gjeopolitikës”, ka thënë Orban.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur sot që ai pret që takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi mes aktorëve kryesorë të mbahet në vjeshtë.

Kurti ka thënë për Tanjug nga Bledi i Sllovenisë se kjo çështje varet nga ndërmjetësuesit e këtij procesi, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Lidhur me pjesëmarrjen në Forumin e Bledit ai ka theksuar se pret që të konfirmohet rëndësia e BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe e kundërta

“BE ka nevojë për t’u mbrojtur dhe unë besoj që reformat e brendshme në BE dhe procesi i zgjerimit janë komplementare”.

Michel: E ardhme evropiane e paimagjinueshme pa Ballkanin Perëndimor

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, theksoi sot në Bled se çdo zgjerim e ka bërë BE -në më të mirë, dhe se Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për Unionin ashtu siç BE -ja është e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor.

Duke folur në Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë, ai deklaroi se çdo zgjerim e ka bërë BE -në më të mirë dhe ka çuar në atë që është sot – një bashkim idesh, solidariteti dhe diversiteti.

Sipas tij, e ardhmja e Evropës është e paimagjinueshme pa Ballkanin Perëndimor, dhe në këtë drejtim ai përshëndeti mbajtjen e Samitit për Ballkanin Perëndimor në Slloveni.

“Ne e dimë se BE -ja është e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor, por Ballkani Perëndimor i nevojiten njësoj BE -së. Së bashku mund të ëndërrojmë dhe të krijojmë një të ardhme më të mirë për BE -në”, tha ai.

Michel potencoi se BE nuk është një projekt statik, por një projekt dinamik i vlerave, prosperitetit dhe ndikimit.

Ai kujtoi se Bashkimi Evropian filloi me vetëm gjashtë anëtarë, dhe sot ka 27.

Nis Forumi në Bled të Sllovenisë, merr pjesë edhe kryeministri Kurti

Ka filluar të mbahet Forumi i Strategjik i Bledit në Slloveni, aty i pranishëm është edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Forumi është i ndarë në dy panele, në të cilat do të diskutojnë zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, kryeministra e presidentë të shteteve të ndryshme të Evropës.

Kurti do të diskutojë në panelin “Future of Europe – Enlargement”, (E ardhmja e Evropës – Zgjerimi), pjesë e të cilit do të jenë Komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Varhelyi, kryeministri slloven Janez Jansha, ai i Malit të Zi Zdravko Krivokapiq, i Shqipërisë,Edi Rama, kryeministri polak,Mateusz Moraëiecki, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, i Bullgarisë,Rumen Radev, përfaqësuesi i lartë i Bosnje Hercegovinës, Christian Schmidt, kryesuesi i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zheljko Komshiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

“Në panelin me temë “Future of Europe – To Stand and Ëithstand”, (E ardhmja e Evropës – të qëndrosh dhe të përballosh) do të diskutojnë presidentja e Komisionit Evropian,Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidenti i Parlamentit Evropian,David Sassoli, Kryeministri i Republikës së Çekisë, z. Andrej Babish, Kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Janez Jansha, Kryeministri i Republikës Çeke, z. Eduard Heger, Kryeministri i Republikës së Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, Kryeministri i Republikës së Hungarisë, Viktor Orban, Presidenti i Republikës së Serbisë , Aleksandar Vuçiq, Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, Pietro Parolini dhe znj. Dubravka Shuica, Nënkryetare e Komisionit Evropian për Demografi dhe Demokraci”, njofton zyra për media e Kurtit.

Në margjina të Forumit në Bled, shefi i Qeverisë kosovare do të ketë takime bilaterale, për të siguruar përkrahje dhe koordinim për menaxhimin e pandemisë COVID 19.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat