​Mbyllen mbi 20 kafiteri në kryeqytet, gastronomët e quajnë “ofensivë” qasjen e institucioneve

Aktuale

​Mbyllen mbi 20 kafiteri në kryeqytet, gastronomët e quajnë “ofensivë” qasjen e institucioneve

Më: 4 shtator 2021 Në ora: 15:26
Veton Zuka

Mbi 20 kafiteri janë mbyllur dy ditët e fundit në Prishtinë nga Inspektorati. Kjo me arsyetimin se nuk i kanë respektuar masat e hyra në fuqi për parandalim të pandemisë COVID-19. Shoqata e Gastronomëve e quan “ofensivë” qasjen e institucioneve ndaj këtij sektori. Sipas të njëjtës, 95 për qind e tyre plotësojnë kushtet për zhvillimin e kësaj veprimtarie.

Në dyert e shumë lokaleve në qytet, janë vendosur ndalesat për të punuar.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Veton Zuka thotë se kafiteritë e mbyllura kishin të njëjtin konstruksion të lokalit që nga e hëna kur janë masat në fuqi. Ai shton se ka paqartësi edhe në interpretimin e vendimit të fundit.

Zuka: Është e pakuptimtë, nuk jemi duke i kuptuar

“Me të vërtetë është e pakuptimtë dhe nuk jemi duke e kuptuar as vet. Ka raste unë kam video që shumë lokale i plotësojnë krejt kushtet që kërkohen të punohet në ambient të jashtëm. Ambient i jashtëm është kur ke hapësirë dhe hapje edhe anash, hapje lartë dhe përpara. Nuk e di çfarë lypet më shumë se ajo hapësirë e hapur. Ka lokale që nuk kanë terasë hiç, ajo është gjithqysh për ty mbyllur. Kjo ofensivë edhe nga ana e inspektoratit edhe nga ana e policisë, mënyra qysh po i interpretohet, kanalizohen problemet, ka dallim shumë”, deklaron ai.

Zuka shton se kanë kërkuar takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe me ministrin e Financave, Hekuran Murati, por që nuk janë marrë parasysh.

Zuka: Nga e hëna këtyre lokaleve ju kanë thënë se janë në rregull

“Prej të hënës i kanë vizituar këto lokale edhe deri të enjten ju kanë thënë që janë në rregull me hapësirë të hapur. Dhe të enjten po vjen automatikisht me vendim që nuk i plotëson kushtet dhe je i mbyllur. Nuk e di ku është fundi, por kjo është e papranueshme. Ne i kemi kërkuar shumë opsione të tjera edhe ministrisë që të mund të funksionojmë”, shton Zuka.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve thekson se ndalimi i veprimtarisë së këtyre kafiterive do të zgjas deri me datën 13, por që sipas tij nuk dihet çfarë do të ndodhë pas kësaj date.

Zuka: 95 për qind prej tyre i plotësojnë kushtet për hapësirë

“Prej 20 deri në 25 gjithqysh që dy netë, dhe ju garantoj që 95 për qind prej tyre i plotësojnë kushtet për hapësira. Ju garantoj që gjysma por edhe 95 për qind e lokaleve i plotësojnë kushtet për hapësirë të hapur, sepse i kanë terasat lëvizëse. Në moment që është lëvizëse ajo krijon hapësirë vetvetiu sepse janë të konstruktuara ashtu”, shprehet ai.

Nga e hëna kur kanë hyrë në fuqi këto masa, sektori i gastronomisë mund të punojë vetëm deri në orën 21:30 dhe atë vetëm në ambiente të hapura e duke e shfrytëzuar vetëm 50% të hapësirës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat