Reagon ambasada amerikane: Me ndihmën e sotme, po vëmë themelet për një Kosovë sovrane

Aktuale

Reagon ambasada amerikane: Me ndihmën e sotme, po vëmë themelet për një Kosovë sovrane

Nga: A.M Më: 6 shtator 2021 Në ora: 17:35
Ambasada amerikane në Kosovë

Kosova sot ka pranuar donacionin prej 503,100 doza të vaksinës anti-Covid nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo edhe njëherë dëshmoi se Kosova dhe SHBA kanë marrëdhënie të forta dhe të qëndrueshme.

Për këtë donacion ka reaguar edhe ambasada amerikane në Kosovë.

Ambasada amerikane u shpreh se me donacionin e sotëm po vihen themelet për një Kosovë sovrane.

“Me ndihmën e sotshme, po vëmë themelet për një Kosovë sovrane, të vetëmjaftueshme dhe të qëndrueshme të së nesërmes; një Kosovë që përqafon përgjegjësitë e saj në vend, por edhe si partnere e barabartë në rajon, brenda Evropës dhe në botë”, thuhej në njoftimin e ambasadës, përcjell "Bota sot".

Njoftimi i plotë

Sot Shtetet e Bashkuara ia dhuruan Kosovës një shtesë prej 503,100 doza të vaksinës jetëshpëtuese të sigurta dhe shumë efektive të Pfizer. Përfshirë këtu edhe kontingjentin e parë të ardhur më 20 gusht, Shtetet e Bashkuara kanë sjellur mbi 538,200 doza për të mbrojtur kosovarët, duke përfaqësuar donacionin më të madh të vaksinës kundër COVID-19 për Kosovën, nga cilido vend apo organizatë tjetër.

Dërgesa e sotshme është pjesë e përkushtimit të Presidentit Biden për të ndarë dozat e vaksinës COVID-19 nga furnizimet vendore amerikane për të mbështetur nevojat globale. Pasiqë asnjë vend nuk mund ta mposhtë COVID-19 vetëm, në qershor, Shtetet e Bashkuara fillimisht u përkushtuan për të ndarë 80 milionë doza vaksine me botën.

Vaksinat e dhuruara nga SHBA-ja u dorëzuan përmes mekanizmit për Angazhim të avancuar të tregut për lehtësim të Covax-it (COVAX AMC), që është nismë globale në mbështetje të qasjes me mundësi të barabartë në vaksina të sigurta dhe efektive kundër Covid-19. Me kontributin financiar prej 4 miliardë dollarë për Gavi në mbështetje të COVAX, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë donatori më i madh financiar në Covax. Covax-i baskëudhëhiqet nga Koalicioni për gatishmëri dhe inovacion ndaj epidemive (CEPI), Gavi – Aleanca për vaksina dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) së bashku me UNICEF-i si partnerë kryesorë për dërgesa. Me këtë dërgesë, Kosova ka pranuar mbi 700.000 doza përmes COVAX AMC.

Përveç vaksinave, prej fillimit të pandemisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhuruar gati 4 milion dollarë për pajisje mbrojtëse, pajisje mjekësore, grante për mësim përmes internetit, si dhe ndihmë tjetër lidhur me Covid-19 për të ndihmuar shkollat, objektet shëndetësore, familjet dhe komunitetet anembanë 38 komunave të Kosovës. Me ndihmën e sotshme, po vëmë themelet për një Kosovë sovrane, të vetëmjaftueshme dhe të qëndrueshme të së nesërmes; një Kosovë që përqafon përgjegjësitë e saj në vend, por edhe si partnere e barabartë në rajon, brenda Evropës dhe në botë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat