Përse Kleri shqiptar është “pa gojë” ndaj provokimeve të Kishës serbe?!

Aktuale

Përse Kleri shqiptar është “pa gojë” ndaj provokimeve të Kishës serbe?!

Më: 7 shtator 2021 Në ora: 09:01
Klerikët serbë

Dje disa media shqiptare përhapën videon e krerëve të Kishës Ortodokse serbe në Cetinje, që këndonin këngën famëkeqe të “kthimit të ushtrisë në Kosovë”.

Pati edhe mjaft komente nga politikanë, kryesisht nga Prishtina.
Realisht, këndimi i asaj kënge nuk është se përbënte ndonjë risi; Pamfleti e ka sjellë herë pas here në vëmendje këtë shfrim shovinist, nga aktivitetet klerikale të kishës serbe që kanë demonstruar disa herë në ceremonitë fetare.

Megjithatë, publikimi sa herë ndodh i kësaj mënxyre është një gjë e mirë, pasi sjell tek njerëzit një aktivitet që priftërinjtë serbë e bëjnë jo spontanisht, apo se është pjesë e liturgjisë, por ngaqë e kanë plan e strategji të mirëmenduar.

Kisha Ortodokse Serbe është themeluar në kohën e shtetit serb të Car Dushanit, i cili në mesjetën e hershme themeloi Patriakanën Serbe të Kishës Ortodokse. Madje të vëllain e çoi në malin Athos për ta bërë murg. Stefan Uroshi IV Dushan, i cili vrau babanë për të ardhur në pushtet, u kurorëzua në Shkup më 16 prill 1346, nga Patriarku Joanikije.

“Rastësisht” edhe Mitropoliti i Kishës Serbe në Mal të Zi që zbriti si diversant dje në Cetinje, është emërtuar Joanikije.
Kisha serbe, realisht është shtet, madje më e fortë se shteti. Edhe kur në Beograd qeverisnin komunistët e kroatit Tito, kisha serbe nuk e humbi asnjëherë pushtetin.

Ajo është institucioni që mban gjallë shovinizmin, duke krijuar fabulën e pavërtetë e banale të Kosovës si “Jeruzalemi serb”. Kjo dihet prej kohësh e nuk është ndonjë e re.

Nga ana tjetër, tek ne shqiptarët, nuk kemi pasur një kler shovinist, që të ketë dashur të zhdukë popujt e tjerë.

Megjithatë, ne kemi pasur klerikë, madje shumë të rëndësishëm që janë bërë referim kombëtar me aktet e tyre. E kjo nis herët, që me Pal Engjëllin e Skënderbeut, me Budin, Bogdanin, e me radhë deri në Rilindjen Kombëtare ku një numër i rëndësishëm klerikësh u kthyen në luftëtarë të kombit shqiptar.

Jo vetëm me pushkë, por më e rëndësishmja me penë. Ishte Homeri shqiptar, Gjergj Fishta që shkroi “Iliadën shqiptare”-“Lahutën e Malcisë”, ku zbërtheu dhe rrëfeu “Trojën” tonë kundër barbarive serbe.

E më pas Padër Gjergji, së bashku me Mjedën, pastorin protestant Phineas Kennedy, Qirjazin etj, arritën të bëjnë mrekullinë dhe veprën më të rëndësishme deri më sot: Alfabetin e gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit.

E më pas në zhvillimet e mëtejshme, siç është shpallja e pavarësisë, por edhe Kongresin e Lushnjes etj, pati klerikë të rëndësishëm si Hafiz Ali Korça, Vehbi Dibra etj që ju bashkëngjitën fort kauzës kombëtare. E raste të tilla kemi në vite e vite.

Termi “Zot e atdhe” është një nga rrënjët e qytetërimit perëndimor që krijoi kombin e më pas dy shtetet shqiptare; Shqipërinë e Kosovën.

Megjithatë, sot jemi para një situate shumë të komplikuar në lidhje me klerin.

Në Shqipëri, ne kemi një kler, i cili ka dështuar të bëhet mburojë dhe fuqi e logjikës shtetformuese të shqiptarëve.

Pa nevojë për polemika, Kisha Ortodokse e drejtuar nga hirësia Janullatos, ka marrëdhënie të ngushta me kishën serbe. Dhe asnjëherë nuk e ka kundërshtuar atë për qasjet shoviniste. Në vitin 2014, kur një epror i Kishës Serbe deklaroi në mes të Tiranës se “Kosova është Serbi!”, u desh ndërhyrja e Edi Ramës për të sulmuar priftin serb që nuk e thirri në darkën shtetërore. Edi Rama, mund ta ketë bërë për të fituar pikë natyrisht, por Janullatos duhet ta ketë parasysh se është Kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare, e çdo dështim i tij për të përballur retorikën shovene të kolegëve të tij serb, nuk i bën keq vetëm atij, por edhe Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, që për njerëzit është një histori e lavdishme e shkruar me sakrificën e perlatëve të ndritur e të fortë si Imzot Noli, imzot Xhuvani, imzot Kisi e të tjerë natyrisht.

Por nuk është në nivel më të lartë pjesa tjetër e klerit tradicional shqiptar; ai musliman dhe katolik.
Kleri musliman është në fakt bashkëfajtor në fushatën e gjatë e të vazhdueshme që i bëhet kundër Shën Terezës, Pjetër Budit, Bogdanit etj.

Kur në fakt, e gjitha kjo është një fushatë përçarëse në radhë të parë, e natyrisht e padobishme. Është ajo që duan serbët. Asnjëherë nuk ka pasur përpjekje nga ana e klerikëve të rëndësishëm muslimanë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginë e diasporë, për t’i ndalur menjëherë këto zëra. Shën Tereza është një mrekulli që shqiptarët kanë pasur në historinë e tyre, e duhet ta ruajnë me fanatizëm, jo ta sulmojnë, vetëm pse disa, që mund të jenë edhe shumë, nuk pajtohen me veprimet e saj. Ajo gjithsesi u përkushtua për një kauzë dhe në fund mori çmimin Nobel për Paqe. Është e vetmja grua ballkanike që e ka marrë këtë çmim dhe ne ta sulmojnë?! Jemi të terezi me mend të kokës ne apo jo!? Po ku ka një mundësi kaq të madhe që nuk do ta shfrytëzonin serbët apo grekët?

E sulmojnë Budin e madh, se paska udhëhequr një kryengritje ku janë vrarë edhe shqiptarë në radhët e ushtrisë perandorake osmane. Po Budi dhe kryengritësit nuk luftonin për të sjellë një shtet sllav, por për një shtet si ai i Skënderbeut, e nëse shqiptarët ishin në radhët e osmanëve, ata ishin osmanë, siç dhe Ballaban Pasha, një ushtarak model, mik i ngushtë i Skënderbeut, por që në fund zgjodhi të jetë në krah të Sulltanit. Matjani është i famshëm në Stamboll e famëkeq në Shqipëri, edhe pse ishte një mik e i njohur i Gjergj Kastriotit.

Dëshmorët në luftë për pavarësi janë të tillë, edhe pse ne kemi pasur edhe dëshmorë për vende të tjera, siç kemi pasur dëshmorët për osmanët, për grekët, për rusët, edhe më gjerë.

Përkujtohen dëshmorët e betejës së Canakalasë në Turqi, kur në fakt ata nuk ranë as për Perandorinë Osmane, por për Republikën e Turqisë që po lindte nën udhëheqjen e një shqiptari me origjinë si Mustafa Qemali, shkruan Pamfleti. Ndërkaq, edhe Kisha Katolike, e cila drejtohet nga një prift maltez, nuk është treguar në lartësinë e paraardhësve të ndritur të saj. Kur një prift nga shqiptarët e Malit të Zi në SHBA, mallkoi rëndë muslimanët e Kosovës, dikush duhet ta çkishëronte me vrap, e në fakt s’e bëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat