Edhe profesori universitar, Mialzim Krasniqi ka reaguar ndaj zëvendëskryeministrit të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, i cili tha se janë dakorduar me palën serbe për hapjen e arkivave shtetërore.
“E para, ky njeri nuk di çka flet. E dyta, Serbia gjithnjë mashtron. Ashtu i pati mashtruar keqas edhe përfaqësuesit e Kosovës në Vjenë. Atje ata bënë shumë kompromise të hidhura, me idenë se Serbia do ta pranonte Planin e Ahrisarit”, shkruan ndër tjerash Krasniqi, përcjellë “Bota sot”.
Ai e quan të rrezikshme idenë e Besnik Bislimit.
"E treta, qitja eventuale në ankand nga qeveria Kurti 2 e arkivave të UÇK-së, e rrezikon jo vetëm historinë e saj, po edhe kredibilitetin e NATO-s, e cila ka pasur bashkëpunim me UÇK-n, veçmas gjatë kohës së bombardimeve, po sigurisht edhe më herët. Prandaj, kjo ide e Besnik Bislimit është shumë e rrezikshme”, shkruan profesor Milazim Krasniqi.
Postimi i plotë:
ARKIVAT E SERBISË JANË TË HAPURA, JANË NË HAGË
Besnik Bislimi ka deklaruar: “Pala serbe të paktën deklarativisht ka thënë se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat që nënkupton edhe ato shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK-në. Mendoj se kjo është në interes tonin, sepse shumica e varrezave masive ku pretendohen se janë mbetjet mortore të 1600 shqiptarëve.”
E para, ky njeri nuk di çka flet. E dyta, Serbia gjithnjë mashtron. Ashtu i pati mashtruar keqas edhe përfaqësuesit e Kosovës në Vjenë. Atje ata bënë shumë kompromise të hidhura, me idenë se Serbia do ta pranonte Planin e Ahrisarit. Por, Serbia nuk e pranoi Planin, ndërsa i ka marrë krejt favoret për ndërhyrje në Kosovë pikërisht prej atij Plani. Të njëjtën taktikë do ta përdorë edhe më tutje. Serbia edhe nëse thonë se i hap arkivat, thjesht tenton të mashtrojë.
Tipin e Besnik Bislimit edhe nuk e ka zor ta mashtrojë, sepse ai nuk merr vesh asgjë. Në fakt, Besnik Bislimi dhe qeveria Kurti 2, duhet ta dinë një gjë themelore në këtë rast: sipas vetë zyrtarëve serbë, të gjitha dokumentet relevante të arkivave serbe janë dorëzuar në Tribunalin Penal të Hagës. Atje i kanë krejt. Pra, për procesin penal kundër Millosheviqit dhe të tjerëve, sipas disa zyrtarëve serbë, janë transportuar me kamionë dokumente nga arkivat e ushtrisë dhe të policisë serbe në Hagë.
Atje janë hapur. Atje janë. E treta, qitja eventuale në ankand nga qeveria Kurti 2 e arkivave të UÇK-së, e rrezikon jo vetëm historinë e saj, po edhe kredibilitetin e NATO-s, e cila ka pasur bashkëpunim me UÇK-n, veçmas gjatë kohës së bombardimeve, po sigurisht edhe më herët. Prandaj, kjo ide e Besnik Bislimit është shumë e rrezikshme.
Si e tillë, ajo e vë shenjën e barazisë ndërmjet regjimit terrorist të Serbisë së Millosheviqit dhe një lëvizjeje çlirimtare, me karakter vetëmbrojtës dhe të Aleancës Veriatlantike, e cila ndaloi gjenocidin serb. Fatkeqësia jonë është që edhe kjo punë, si edhe mbarë fatet e vendit, janë në duart e njerëzve që ose nuk kuptojnë, ose qëllimisht punojnë mbrapshtë. (9 shtator 2021)