Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Driton Selmanaj, ka reaguar ndaj zëvendëskryeministrit të Kosovës Besnik Bislimi, i cili ka thënë se Serbia është pajtuar për hapjen e arkivave, përfshirë edhe ato për UÇK-në për zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve.
Selmanaj ka thënë se kushdo që pretendon se ka arkiva të UÇK-së, po vepron kundër shtetit të Kosovës, në një agjendë dashakeqe, përcjell Bota sot.
Sipas tij, lufta e UÇK-së ishte vlera më sublime e popullit shqiptar.
Reagimi i tij në Facebook:
Kushdo që pretendon që ka “Arkiva” të UÇK-së dhe zotohet kinse ti hap ato, po vepron kundër Kosovës dhe ka rënë me këmbë e duar në grackën e agjendës shoveniste të Serbisë. Përpjekja e tillë është e kahershme, por asnjëherë nga pala shqiptare nuk ka pas njerëz që kanë pranuar të hyjnë në këtë agjendë tejet dashakeqe për vendin tonë.
Duhet ta dinë të gjithë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është vlera më sublime e popullit shqiptar dhe si e tillë do të ruhet dhe mbrohet nga kushdo që provon ta dëmtojë atë, qoftë ai edhe kryeministri apo zëvendëskryeministri i Kosovës.