Lajm i mirë: Specialja po e thyen heshtjen 20 vjeçare për vrasjet e intelektualëve të LDK-së

Aktuale

Lajm i mirë: Specialja po e thyen heshtjen 20 vjeçare për vrasjet e intelektualëve të LDK-së

Nga: Mimozë Lakna, Bota sot Më: 16 shtator 2021 Në ora: 17:39
Intelektualët e vrarë për motive politike

Tashmë edhe zyrtarisht ka filluar gjykimi i ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga institucioni i “Dhomave të Specializuara”.

Sali Mustafa është i pari ndër personat ndaj të cilëve ka nisur procesi gjyqësor.

Ai po gjykohet si individ, ndërsa përballet përballët me akuza për vrasje.

Sipas Prokurorisë së “Dhomave të Specializuara” Mustafa akuzohet për drejtimin e një njësie burgu ku të burgosurit u nënshtroheshin rrahjeve dhe torturave të përditshme. Madje, Prokurorët deklaruan se në rastin e Mustafës viktimat e tij ishin shqiptarë të Kosovës dhe i përkisnin Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Gazeta “Bota sot” për vite me radhë ka ngritur zërin për vrasjet e shumta me motive politike ndaj përkrahësve të ish presidentit Ibrahim Rugova.

U vra thuajse një elitë e tërë intelektuale e kohës, duke nisur nga kolonel Ahmet Krasnqi, Enver Maloku, Haki Imeri, Xhemail Mustafa, Bekim Kastrati, Besim Dajaku, Ismail Berbatovci etj.

Kohën e këtyre vrasjeve e ka në target hetimi, institucioni i Gjykatës Speciale, ndërsa gjykimi ndaj Sali Mustafës, viktimat e të cilit, Prokurori thotë se i përkisnin LDK-së po i ngjallë shpresat se gjërat kanë filluar të lëvizin për së mbari.

Të tjerë intelektualë (me qindra) janë vrarë edhe pas vitit 2000.

Sigurisht që zbardhja e vrasjeve politike deri në vitin 2000, do të çojë edhe tek e vërteta për vrasjet që ndodhën pas këtij viti.

Pra, tashmë askush nuk mund ta mohojë se ka pasur një luftë speciale ndaj anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ndjekësve të rrugës së presidentit Ibrahim Rugova.

Mbase, ish presidenti i vendit Hashim Thaçi nuk e kishte menduar se edhe vet do të ishte pjesë e të akuzuarve nga Gjykata Speciale.

Ai vazhdimisht insistonte se institucioni që u themelua me “lejen” e tij, do t`i hetonte dhe gjykonte individët pjesëtarë të UÇK-së që mund të kishin bërë ndonjë “gabim” gjatë luftës.

20 vjet heshtje e padrejtësi për qindra intelektualë të vrarë vetëm pse mendonin ndryshe dhe luftonin me të keqen që i kanosej vendit.

Drejtësia në Kosovë, e kapur sigurisht nga kjo e keqe u mundua t`i heshtte vrasjet politike. Por, ja që fatmirësisht, Gjykata Speciale nuk hesht dhe dita kur e vërteta do të zbardhet duket të mos jetë larg.

Askush nuk mund ta mohojë faktin që janë hartuar lista për vrasjen e intelektualëve të LDK-së.

Gjykata Speciale ka qenë qe një kohë shpresë për familjarët e intelektualëve të vrarë të LDK-së gjatë dhe paslufte, që u zhgënjyen me drejtësinë vendore.

Nga gjithë kjo që e thamë mund të vijmë në përfundim se arkivat e UÇK-së nuk duhet të hapen për t`ia plotësuar egot Serbisë në dialog, por për t`i zbardhur vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë.

Ky do të duhej të ishte veprimi më i mençur i Kosovës në raport me mbrojtjen e vlerave të UÇK-së.

Kjo do të ishte mënyra e vetme për t`ia hequr njollat këtij emri të shenjtë për popullin e Kosovës. Kurse individët ashtu si e kanë bërë le ta gjejnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat