Ministri i Financave Hekuran Murati deklaroi sot se nga bllokimi i rrugëve nga serbët më së shumti do të humbin banorët e veriut, të cilët po detyrohen të lëvizin në këmbë.
Murati në një konferencë për media, ku foli për rritjen ekonomike, tha se GDP-ja e Kosovës ka shënuar rritje 16.28 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
I pyetur për ndikimin e masës së reciprocitetit në targa me Serbinë, ai tha se është marxhinale vlera që mund të kalojë nëpër ato pika kufitare sa i përket prodhuesve vendorë.
Murati: Humbjen më të madhe prej bllokadave në rrugë do ta kenë banorët e asaj zone
“Besoj që humbjen më të madhe prej bllokadave në rrugë që janë bërë do ta kenë banorët e atyre zonave. Vetë banorët do ta kenë humbjen më të madhe, sepse për ta është bllokuar rruga, ata duhet të ecin në këmbë. Prandaj, do të ishte mirë që të mos kemi barriera të tilla, që të funksionojmë si dy shtete normale. Pra, ne nuk jemi të interesuar, siç ka thënë edhe kryeministri, që të kemi bllokada dhe tensione. Ne jemi të interesuar që të kemi reciprocitet, që kjo të realizohet ashtu siç parashihet. Deri më tani e keni parë që çështja tek eksporti dhe importi, është marxhinale vlera që mund të kalojë nëpër ato pika kufitare sa i përket prodhuesve tonë, mirëpo humbjen më të madhe do ta kenë banorët e asaj zone”, tha ai.
Murati tha se është lajm i mirë që aktiviteti ekonomik ka shënuar një rritje rekorde prej 16.28 për qind, e cila ka ndikuar që të ndryshojë edhe projeksioni për të ardhmen pasi që siç tha ai, pritet që deri në fund të vitit rritja ekonomike të arrijë mbi 10 për qind.
Shifrat që janë të aktivitetit ekonomik për sivjet, Murati tha se tregojnë për një rritje të ndjeshme ekonomike edhe nëse krahasohet me tremujor në periudha normale që nuk kanë qenë me kufizime të pandemisë.
Murati: GDP ka shënuar rritje 16.28%, deri në fund të vitit do të kemi rritje mbi 10%
“Lajmi i mirë është që aktiviteti ekonomik ka shënuar rritje rekorde që nuk e kemi parë deri tani ku më saktësisht bëhet fjalë për 16.28 për qind rritje ekonomike në periudhën e tremujorit të dytë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Nëse e marrim për bazë edhe rritjen ekonomike që ishte shënuar në tremujorin e parë, e cila e reviduar është 4.22 për qind, mund të flasim për një rritje të tërësishme ekonomike prej 10.4 për qind në gjysmëvitin e parë të vitit për sivjet... Normalisht rritja prej 16.28 për qind si faktor kyç ka ndoshta për shkak të mbylljes në vitin e kaluar në këtë periudhë. Projeksionet e reja me siguri që do të jenë mbi 10 për qind. Pra, rritja ekonomike deri në fund të vitit të projektuar jemi të sigurt se do të kalojë në shifra dyshifrore”, tha ai.
Ministri Murati tha se këto të dhëna i mbështet edhe Administrata Tatimore e Kosovës dhe dogana. Ndërkohë që foli edhe për qarkullimin e bizneseve dhe të eksportit.
Murati: Nga doganat kemi edhe shifra të rritjes së eksportit
“Këto të dhëna i mbështesin edhe të dhënat që i kemi nga ATK dhe doganat, më saktësisht për tremujorin e dytë të këtij viti, në krahasim me periudhën e vitit të kaluar, rritja e qarkullimit të bizneseve është 49.5 për qind. Nëse e krahasojmë me vitin paraprak, me vitin 2019, periudhën e tremujorit të dytë të këtij viti me periudhën e tremujorit të dytë 2019, rritja e qarkullimit të bizneseve është 20 për qind. Po ashtu, nga doganat kemi shifra të rritjes së eksportit, që është njëri nga treguesit kryesor të kësaj rritjeje ekonomike. Tremujori i dytë i këtij viti, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar ka shënuar rritje prej 68 për qind në shifra të eksportit, kurse nëse e krahasojmë me tremujorin e dytë të vitit 2019 rritja është më e thellë, pra kemi rritje prej 93 për qind për periudha të njëjta”, tha ai.
Ai foli edhe sa i përket punësimit, për çka tha se ka një rritje prej 22 mijë vendeve të punës.
Murati: Kemi një rritje prej 22 mijë vende pune
“Sa i përket punësimit, nëse i marrim shifrat në fund të tremujorit të dytë, pra në qershor, dhe e krahasojmë deklarimin në ATK që ka qenë në fund të qershorit të vitit të kaluar, kemi një rritje prej 22 mijë vende pune...”, tha ai.