Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi - ky është njoftimi i fundit nga Brukseli

Aktuale

Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi - ky është njoftimi i fundit nga Brukseli

Më: 30 shtator 2021 Në ora: 12:40
Miroslav Lajçak, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç

E plotësuar (14:48) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas marrëveshjes së arritur në Bruksel, mes dy vendeve Kosovës dhe Serbisë, për reciprocitetin me targa.

Ai përmes një shkrimi ka thënë se, “meqë targave të Republikës së Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë”.

Sipas tij, Serbia tani do të mësohet me reciprocitet.

Shkrimi në Facebook:

Reciprociteti i targave të automjeteve është vendosur. Meqë targave të Republikës së Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë. Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka shkuar në Jarinje dhe Bërnjak më 20 shtator për të mbrojtur vendkalimet dhe policinë kufitare nga bllokuesit e rrugëve dhe qarkullimit të lirë. Meqë ata do të largohen, njësia jonë speciale nuk ka pse qëndron atje, dhe mbetet gjithnjë e gatshme për ndërhyrje në çfarëdo cenimi të njëjtë apo të ngjashëm në të ardhmen. Natyrisht, policia jonë kufitare në vijim do të zbatojë reciprocitetin e targave. KFOR-i do të qëndrojë aty, rreth dy javë, që gjithçka të jetë e sigurt.

Në javën e shkuar, Presidenti i Serbisë vuri katër kushte për takimin në Bruksel të përfaqësuesve tanë. Natyrisht që nuk ju plotësuan ato dhe dje u zhvilluan bisedimet në Bruksel. Tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet.

Borrell përshëndet marrëveshjen e Brukselit

Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell ka mirëpritur marrëveshjen e arritur sot në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për de-eskalimin e situatës së tensionuar në veri.

Ai në një status në Twitter ka theksuar se Kosova dhe Serbia tash duhet të angazhohen për një dialog konstruktiv për normalizimin e marrëdhënieve.

“Mirëpres marrëveshjen e arritur nga kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e emisarit special MiroslavLajcak, për të zgjidhur tensionet në veri të Kosovës. Si Kosova ashtu edhe Serbia tani duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar Borrell.

Lajçak falënderon Escobar: Uniteti BE-SHBA kyç për suksesin në Ballkanin Perëndimor

I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka falënderuar të Dërguarin e SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar për kontributin e arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi për targat.

“E falënderoj Escobar, i cili kaloi ditët e fundit në Bruksel në mbështetje të dialogut të ndërmjetësuar nga BE”, është shprehur Lajçak.

“Uniteti mes BE-së dhe SHBA është kyç për suksesin në Ballkanin Perëndimor”.

***

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e ka mirëpritur marrëveshjen për targat mes Kosovës dhe Serbisë.

Përmes një postimi në Twitter, Von der Leyen, këtë marrëveshje e ka cilësuar si zhvillim shumë pozitiv teksa shton se dialogu mes dy vendeve duhet të vazhdojë.

“Mirëpres marrëveshjen e arritur sot në Bruksel midis Serbisë dhe Kosovës. Ky është një zhvillim shumë pozitiv pas takimeve të mia me Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Kjo është mirë për tërë rajonin. Dialogu tani duhet të vazhdojë”, shkruan ajo.

Kurse, mesditën e së enjtes, Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, konfirmoi se mes Kosovës dhe Serbisë është arritur një marrëveshje për targat e veturave.

Në një postim në Twitter, Lajçak theksoi se pas dy ditësh negociata, është arritur marrëveshja për deeskalimin e situatës, teksa ka falënderuar dy kryenegociatorët për gatishmërinë e treguar.

****

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë të enjten nga Brukseli se është arritur marrëveshje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës.

Në një letër të publikuar nga Lajçak në rrjetin social Twitter, shihet se palët janë pajtuar për tri pika kyçe:

Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, nga ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.

Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, si masë e përkohshme, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajtur Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.

Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet.

Jarinja dhe Bërnjaku, dy vendkalimet kufitare në veri të Kosovës - ku popullsia është shumicë serbe - janë bllokuar nga banorët lokalë që e kundërshtojnë vendimin për reciprocitet.

Atje janë vendosur njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Lidhur me gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e krijuar pas vendosjes së reciprocitetit, në Bruksel, të mërkurën dhe të enjten janë zhvilluar negociata, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat 'KS' (Kosovë) ose 'RKS' (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

***

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka njoftuar se të dy palët kanë arritur një marrëveshje lidhur me krizën e shkaktuar së fundmi në pikëkalimet kuftitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Lajçak ka shkruar se pas dy ditësh negociata, është arritur marrëveshja që e de-eskalon situatën në veri të Kosovës.

“E kemi një marrëveshje! Pas dy ditësh negociatash intensive, një marrëveshje për de-eskalim dhe rrugën përpara sapo është arritur.

E falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin për gatishmërinë e tyre për të negociuar dhe për t’u pajtuar për të mirën e njerëzve”, shkroi Lajçak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat