I Dërguari i SHBA-së: Kosova kishte të drejtë me reciprocitetin, por një gjë na befasoi

Aktuale

I Dërguari i SHBA-së: Kosova kishte të drejtë me reciprocitetin, por një gjë na befasoi

Më: 30 shtator 2021 Në ora: 15:59
Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak

(E plotësuar 16:35) - Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar tha se ishte e rëndësishme që Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Ai po ashtu tha se Kosova ka pasur të drejtë të vendosë reciprocitetin, por Uashingtoni u befasua me mënyrë e zbatimit të këtij vendimi.

“Dialogu i udhëhequr nga BE-ja është vendi i duhur për të gjetur zgjidhjen dhe falënderoj të dërguarin e Posaçëm të BE-së, (Mirosllav) Lajçak dhe ekipin e tij për punën e madhe që kanë bërë”, tha Escobar gjatë një konference për media në Bruksel më 30 shtator.

“Mësimi është që në partneritet me BE-në mund të bëjmë një përparim në ndihmën e Ballkanit që të integrohet më shumë me BE-në pas një periudhe të vështirë në të cilën kaloi rajoni”, shtoi ai.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Escobar, që njëherësh është i dërguar i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, tha se ka ende shumë punë për t’u bërë dhe se varet nga vullneti politik i palëve.

Kur u pyet se a kanë qenë të informuar nga pala kosovare se do ta vendosin masën e reciprocitetit për targat me Serbinë, zyrtari amerikan tha se “Kosova ka pasur të drejtë ta bëjë këtë”, por se u befasuan me mënyrën e zbatimit të këtij vendimi.

“Kosova ka të drejtë në reciprocitet dhe kjo ka qenë e ditur. Por, u zumë shumë në befasi me mënyrën e zbatimit. Por, këtë e prisnim që të ndodhë në një moment. Jemi të lumtur që siguruam uljen e tensioneve”, tha ai duke shtuar se duhet gjetur zgjidhje afatgjate për çështjen e targave.

Më 30 shtator, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak njoftoi se Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për situatën në veri të Kosovës.

Që prej 20 shtatorit, kur Kosova vendosi masën e reciprocitetit për targat me Serbinë dhe dërgoi njësitë speciale të policisë, rrugët në afërsi të pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak u bllokuan nga serbët lokalë.

I dërguari i DASH-it për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar po ashtu foli edhe për moratoriumin për njohjen e Kosovës dhe ndaljen e fushatës për çnjohjet, që derivon nga Marrëveshja e Uashingtonit të arritur më 4 shtator 2020. Ai tha se mbajtja e këtij moratoriumi do ta ndihmonte dialogun ndërmjet Kosovën dhe Serbinë.

I pyetur nëse DASH-i mendon që Kosova e ka “rrezikuar sigurinë kombëtare” duke vendosur reciprocitetin për targat, siç kishin raportuar mediat në Kosovë se i është thënë presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Escobar tha:

“Nuk do të komentoj për komunikimet diplomatike. Kemi kanale të komunikimit dhe kemi përcjellë porositë për përmbajtje dhe këtë palët e kanë bërë”.

Zyrtari amerikan u pyet po ashtu nëse ishte i shqetësuar për praninë ushtarake të Serbisë në afërsi të kufirit me Kosovën, me pjesëmarrjen e diplomatëve dhe ushtarakëve rusë dhe se a është opsion vendosja e zonës ajrore dhe tokësore të sigurisë rreth Kosovës.

"Kemi parë përshkallëzim nga të dyja anët e kufirit dhe kjo nuk ndihmon. Kemi parë angazhimin e faktorëve që nuk janë të përfshirë në dialog dhe nuk ndihmojnë në gjetjen e zgjidhjes. Jemi në kontakt me të dyja palët dhe u kërkojmë që të përmbahen”, tha ai.

Gjatë kësaj konference për media në Bruksel, Escobar u pyet edhe për mundësinë që SHBA-ja të emërojë ndonjë të dërguar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, siç më parë ishte emëruar ambasadori Richard Grenell.

“Mbetet të shihet, por në ndërkohë unë jam përfaqësues i Departamentit të Shtetit për rajonin dhe unë do të punoj aq sa mundem, në mënyrë të hapur për të ndihmuar rajonin”, tha Escobar.

***

Zv.ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar, ka mbajtur sot një konferencë për media përmes platformës ‘Zoom’, ku ka folur për arritjen e marrëveshjes së fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel pas situatës së krijuar në veri të vendit si rezultat i vendimit të Kosovës për reciprocitetin e targave.

Në këtë konferencë Escobar i është përgjigjur pyetjes, nëse është e vërtetë që Kosova ka rrezikuar sigurinë kombëtare me aksionin në veri, meqë ka pasur raportime se një gjë e tillë i është kumtuar presidentes Vjosa Osmani nga zyrtarë të Departamentit të Shtetit Amerikan.

Escobar ka thënë se nuk dëshiron që të komentojë për komunikimet diplomatike.

“Nuk do të komentoj për komunikimet diploamtike. Por kemi pasur komunikim të ngushtë me qeveritë në Beograd dhe Prishtinë. Dhe kemi bërë thirrje për koshiencë dhe përmbajtje nga dy palët, dhe të dy palët ashtu kanë bërë. Ideja ishte të silleshin negociuesit në Bruksel për të pasur një marrëveshje, një marrëveshje të menjëhershme, për të gjetur më vonë një zgjidhje më të qëndrueshme. Mendoj se rezultati i këtyre bisedimeve ishte shumë i suksesshëm”, ka thënë Escobar.

I Dërguari i SHBA-së: Kosova kishte të drejtë me reciprocitetin 

I dërguari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka deklaruar se është sukses arritja e marrëveshjes për targat në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një konferencë për media, Escobar ka deklaruar se pas marrëveshjes dhe vendosjes në veri, KFOR nuk do t’i marrë kompetencat e organeve vendore të sigurisë.

Ky reagim i tij erdhi pasi në marrëveshjen e publikuar sot të arritur në Bruksel theksohet se të shtunën kur edhe do të bëhet largimi i barrikadave nga pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak do të largohen edhe Njësitë e Specializuara, meqë rast për dy javë pritet që në këto pika të vendoset KFOR-i.

“Kemi rrugë të gjatë përpara në dialog. I japim mbështetje Lajçakut dhe ekipit të tij për një zgjidhje konstruktive. Është e drejtë e qeverisë së Kosovës që zbatojë reciprocitetin. Roli i KFOR-it nuk është të marrë kompetencat e autoriteteve vendore por të sigurohet funksionimi i rregullt i pikave kufitare”, deklaroi ai.

Ndryshe Escobar ishte i dërguari i Amerikës në Bruksel gjatë ditës së djeshme dhe sot kur edhe u zhvilluan diskutimet në mes palës së Kosovës dhe asaj serbe me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian lidhur me vendosjen e reciprocitetit nga Kosova drejt Serbisë sa i përket targave të automjeteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat