Arben Vitia jep dorëheqje zyrtarisht nga posti i ministrit të Shëndetësisë

Aktuale

Arben Vitia jep dorëheqje zyrtarisht nga posti i ministrit të Shëndetësisë

Nga: A.M. Më: 1 tetor 2021 Në ora: 09:17

(E plotësuar 11:43) - Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, më 1 tetor njoftoi për dorëheqjen e tij nga ky post, për t’u fokusuar në garën për Prishtinën. Këtë vendim ai tha se e ka marrë në bashkërendim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje.

“Unë sot po e përmbyll angazhimin tim në këtë detyrë me të cilën më pati ngarkuar kryeministri Kurti, ndaj të cilit do të jem mirënjohës jo vetëm për besimin, por edhe për përkrahjen e parezervë”, tha Vitia, teksa shtoi se ka qenë privilegj udhëheqja e ministrisë së Shëndetësisë, në kohën kur Kosova është përballur me pandeminë COVID-19.

“Unë nga tani e tutje do të jem pjesë e një ekipi tjetër, që ka në fokus kryeqytetin tonë”, shtoi ai.

Ministria e Shëndetësisë, sipas Vitisë, tani do të udhëhiqet nga zëvendësministrja Dafina Gexha.

Gjatë konferencës për media, Vitia, që ka shërbyer si ministër i Shëndetësisë në dy qeveri të udhëhequr nga Albin Kurti, foli për situatën me pandeminë COVID-19. Ai tha se me ritmin aktual të vaksinimit, koronavirusi do të vihet nën kontroll.

“Sot jam i lumtur që para jush, mund të them se vala e katërt e pandemisë, e dominuar nga varianti Delta, edhe sipas parametrave të OBSH-së, për momentin është vënë nën kontroll", tha ai.

Vitia tha se sipas parashikimeve të Qeverisë së Kosovës, deri në fund të vitit, mbi 75 për qind e popullatës mbi 16 vjeç do të imunizohen kundër koronavirusit.

Ndryshe, zgjedhjet e rregullta lokale do të mbahen më 17 tetor.

Fushata për zgjedhjet lokale ka nisur më 16 shtator dhe do të zgjasë 30 ditë.

Në garë për kreun e Prishtinës janë edhe Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës, Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Gëzim Mehmeti nga Aleanca Kosova e Re.

***

Arben Vitia edhe zyrtarisht ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Shëndetësisë.

Tashmë këtë vendim të tij ai e ka bërë të ditur në një konferencë për medie këtë të premte.

Ai para gazetarëve foli edhe për situatën dhe menaxhimin me pandeminë COVID-19 dhe punën e bërë gjatë qeverisjes së tij në këtë dikaster.  

“Detyra e ministrit të shëndetësisë është në vetvete një detyrë me privilegj dhe përgjegjësi të lartë. Mua mu dha besimi nga kryeministri Kurti dhe pata privilegjin që t’i shërbejë me gjithë fuqinë që disponojë popullit që i përkas në një kohë të vështirë, të dhimbshme dhe me sakrifica. U jam mirënjohës për jetë për besimin e dhënë dhe mbështetjen e dhënë. Jo përvojë na ka transformua të gjithëve pa përjashtim. Por mbi të gjitha në aspektin njerëzor kjo ka qenë pasuria më e madhe që e kam përfituar si qenie njerëzore, mjek, si politikan, si qytetarë i atdheut tonë të përbashkët”, tha ai. 

“Unë sot po e përmbyll angazhimin tim në këtë detyrë me të cilën më pati ngarkuar kryeministri Kurti për të cilin do të jem mirënjohës”, tregoi Vitia.

***

Në prag të konfirmimit të lajmit se nuk do të jetë ministër i shëndetësisë, Arben Vitia po numëron sukseset e tij të deritanishme.

Në konferencën për media, ai tha se momentalisht Kosova posedon edhe 400 mijë vaksina të tjera.

“Mbi 1.3 milionë vaksina janë administruar deri më tani në Kosovë, ndërsa aktualisht në stok janë edhe 400 mijë të tjera, andaj ju ftoj që ta shfrytëzoni këtë të drejtë dhe të vaksinoheni, si e vetmja formë për ta mposhtur virusin”, tha mes tjerash Vitia.

***

Vitia: Vala e katërt e pandemisë, nën kontroll!

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se vala e katërt e pandemisë në vendin tonë është nën kontrollë.

Në konferencën për media, që me gjasë do të jetë e fundit për të në cilësinë e ministrit të MSH-së, tha se është i lumtur që ka arritur ta administrojë situatën, gjithmonë në koordinim me qytetarët.

“Ajo që është e rëndësishme, që sipas IKSHPK-së e OBSH-së, gjithmonë në bazë të parametrave aktualë, vala e katërt e pandemisë, ku varianti Delta e thotë fjalën kryesore, është nën kontrollë”, tha ndër të tjera Vitia.

***

Arben Vitia ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Shëndetësisë.

Ky lajm është konfirmuar nga burime  të sigurta për “Bota sot”.

Ai pritet që në konferencën për media të jap lajmin për dorëheqjen e tij.

Gjithashtu, mësohet se Dafina Gexha-Bunjaku do të jetë Ushtruese e detyrës së ministres së Shëndetësisë.

Gexha është me profesion epidemiologe dhe ka punuar në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.

 Ajo gjithashtu ka qenë anëtare e Bordit të Agjencisë së Ushqimit ku ishte emëruar vitin e kaluar.

Gexha është koordinatore për Kosovën në ECDC (Qendra Evropiane për Parandalim dhe Kontroll të Sëmundjeve Ngjitëse), për raportim dhe bashkëpunim në disa fusha. Ka punuar në Programin e Mjekësisë Familjare të zhvilluar dhe përkrahur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Kolegji Mbretëror i Mjekëve të Përgjithshëm, Mbretëria e Bashkuar.

Ndryshe, Vita është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për komunën e Prishtinës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat