VOA: Fillon zbatimi i marrëveshjes për krizën në veriun e Kosovës

Aktuale

VOA: Fillon zbatimi i marrëveshjes për krizën në veriun e Kosovës

Më: 2 tetor 2021 Në ora: 15:19
Pamje nga veriu i Kosovës

Mëngjesin e së shtunës forcat paqeruajtëse të KFOR-it u vendosën në vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Jarinjë dhe Bërnjak, sipas marrëveshjes së arritur ndërmjet të dyja vendeve, për t’i dhënë fund krizës në veriun e Kosovës.

Tensionet përfshinë zonën më 20 shtator pasi që serbët lokal dhe Beogradi reaguan me zemërim ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të zbatuar reciprocitetin në përdorimin e targave të makinave.

Qeveria vendosi që nga 20 shtatori, makinat që hyjnë nga Serbia në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj sikundër veprohet në Serbi me makinat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet me radhë.

Të enjten palët arritën në Bruksel një marrëveshje trepikëshe, sipas së cilës, sot me 2 tetor njëkohësisht do të ndodhë largimi i barrikadave dhe i njësive të posaçme të policisë nga vendkalimet kufitare. Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja do të sigurojnë vendkalimet kufitare për dy javë.

Sipas marrëveshjes nga e hëna me 4 tetor, do të zbatohet vënia e fletë ngjitëseve në targat e makinave deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare dhe një punues që do të fillojë nga puna më 21 tetor për të gjetur një zgjidhje të përhershme.

Forcat paqeruajtëse thanë se “kanë filluar veprimet në mbështetje të zbatimit të marrëveshjes për shtensionimin e situatës në veriun e Kosovës, e arritur në mes të Prishtinës dhe Beogradit në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian”.

Në një komunikatë të KFOR-it, thuhet se “duke filluar nga kjo fundjavë, për dy javë rresht, KFOR-i do të qëndrojë përkohësisht në këtë zonë, në pajtim me marrëveshjen e përmendur dhe në përputhje me mandatin që buron nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”.

Marrëveshja u përshëndet nga diplomatët perëndimorë ndërsa u kritikua ashpër nga partitë opozitare në Kosovë, të cilat thanë se me këtë, qeveria e Kosovës hoqi dorë nga sovraniteti në veriun e vendit.

Marrëveshja e 30 shtatorit që fillon të zbatohet nga sot, pritet të ulë tensionet, por ajo pasqyron vetëm një pjesë të mospajtimeve të thella ndërmjet Kosovës që ka shpallur pavarësinë më 2008 dhe Serbisë e cila kundërshton shtetësinë e saj./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat