VOA: Kurti dhe Vuçiç takohen për herë të parë pas tensioneve në veriun e Kosovës

Aktuale

VOA: Kurti dhe Vuçiç takohen për herë të parë pas tensioneve në veriun e Kosovës

Më: 6 tetor 2021 Në ora: 15:32
Nga takimi i fundit Kurti – Vuçic, me ndërmjetësimin e BE-së në korrik 2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u takuan sot në Bërdo të Sllovenisë, në praninë e kancelares gjermane në largim, Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.

Takimi u mbajt mes sesionesh të takimit të lartë BE - Ballkani Perëndimor dhe ishte i pari pas tensioneve të ditëve të fundit në veriun e Kosovës rreth përdorimit të targave të makinave.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se në takim është diskutuar për njohjen e diplomave por nuk dha më shumë hollësi, ndërsa nënvizoi se “pa zgjidhjen e problemit me Kosovën, Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së. Këtu nuk ka asnjë dyshim. Tani a duhet të njohim apo jo, këtë nuk mund ta them, pasi nuk ma ka kërkuar askush. Ndoshta mund të flitet korridoreve, por mua nuk ma ka kërkuar askush”, tha ai.

Presidenti serb veçoi takimet me udhëheqësit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.

Pak para fillimit të takimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kanë kaluar më shumë se tre vjet që Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ka pasur padrejtësi të madhe ndaj qytetarëve të shtetit tonë, që kanë vuajtur shumë. Ne shpresojmë se në këtë samit, Bashkimi Evropian do t’i qëndrojë besnik thelbit të tij, zgjerimit. Si projekti politik më i rëndësishëm dhe proces historik për paqen dhe prosperitetin që prej Luftës së Dytë Botërore, BE-ja duhet të zgjerohet për të qenë Evropë. BE-së i mungojnë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u bërë Evropë”, tha ai, duke nënvizuar se shpreson që vendet anëtare të bllokut që nuk e njohin Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë.

Kosova është e fundit në procesin e integrimeve evropiane, ndërsa përparimi i saj sikurse edhe i Serbisë, lidhet me përparimin e tyre në procesin e normalizimit të marrëdhënieve./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat