Osmani shpalos krimet e Serbisë në OKB: E kemi kancerin në zemër të Europës

Aktuale

Osmani shpalos krimet e Serbisë në OKB: E kemi kancerin në zemër të Europës

Më: 15 tetor 2021 Në ora: 17:59
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Këshillin e Sigurimit në OKB ka folur për krimet e Serbisë të kryera në Kosovë dhe ka akuzuar udhëheqjen në Serbi se po vazhdon me qëllimet e njëjta me ato që kishte pasë krimineli Sllobodan Millosheviq.

Për këtë të fundit, Osmani tha se Aleksandar Vuçiq flet me admirim për regjimin e Millosheviqit dhe e bën të njëjtën propagandë si ai.

“Më lejoni të flas për rezultatet e regjimit. 140 mijë persona kanë humbur jetën gjatë gjenocidit të Millosheviqit në ish-Jugosllavi. Në Kosovë më shumë se 30 mijë persona janë vrarë, 20 mijë gra janë dhunuar dhe më shumë se 160 mijë persona janë zhdukur dhe akoma po hapen varre masive. Mbi 1 milion qytetarë janë zhvendosur nga Kosova. Këto kanë ndodhur para syve tuaj, përpara syve të botës”.

“Nuk duhet të harrojmë regjimin serb. Fatkeqësisht ministrat e Millosheviqit po e udhëheqin vendin sot dhe strategjia e tyre ndoshta ka ndryshuar, por qëllimet e tyre janë të njëjta. Ka propagandë të njëjtë”.

Ajo ka thënë se kur Vuçiqi përmend “targetin prej nëntë kilometrave të armikut” do të thotë se nuk është vetëm Kosova brenda atij kilometri, por tetë shtete, gjashtë prej të cilave janë shtete anëtare të NATO-s.

“Kancerin e kemi në zemër të Europës që të krijojë botën serbe që ndihmohet nga aleati i tyre Rusia. Pavarësia e Kosovës është permanente dhe e pakthyeshme dhe sa më shpejt që të gjithë vijnë te termet e këtij realiteti më e mirë do të jetë për paqe dhe stabilitet për të gjithë rajonin. Republika e Kosovës ka të drejtë të ekzistojë dhe nuk mund të mohohet, ndalohet dhe më e rëndësishmja nuk mund të injorohet. Shumica e botës e ka njohur Republikën tonë të re dhe koha ka ardhur që edhe ju të tjerët ta bëjnë”.

Osmani ka bërë thirrje që të dëgjojnë rrëfimin dhe të vërtetën e Kosovës dhe tha se Kosova është aty për të adresuar çështjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat