“Adem Jashari ishte njeri i pushkës, por jo edhe i llafeve, i pushkës ishte edhe Ramushi...”/ Liri Loshi tregon cili “Ramush” i duhet popullit

Aktuale

“Adem Jashari ishte njeri i pushkës, por jo edhe i llafeve, i pushkës ishte edhe Ramushi...”/ Liri Loshi tregon cili “Ramush” i duhet popullit

Nga: M.L. Më: 21 tetor 2021 Në ora: 15:38
Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ditëve të fundit është shfaqur mjaft kritik ndaj qeverisë Kurti 2.

Reagime të shumta erdhën këto ditë nga Haradinaj, lidhur me vettingun, raportin e Kosovës me SHBA-në dhe BE-në etj.

E lidhur me deklaratat e Haradinajt, në një status në Facebook ka folur ish mjeku i UÇK-së, Liri Loshi.

Ai e ka krahasuar Haradinajn me komandantin legjendar Adem Jashari, që sipas tij ishte fjalëpak.

“Ti mund të rrije me orë të tëra me Adem Jasharin dhe ai mund t’i thoshte dy a tri fjalë, ndërkohë që t’i mund të kesh folur tërë kohën. Edhe komandantët tjerë që kam njohur, flisnin pak. Shpesh jam ndier keq kur komandanti im, i thirrur nga oda që të fliste, ma kalonte fjalën mua. E di se për nga thirrja (komandant për moral i brigadës), e kisha për detyrë të flisja për ngritjen e moralit në luftë, por ne kishim situata të dhembshme dhe delikate kur duhej t’i ngushëllonim familjet që humbnin të dashurit e tyre. Këto ishin sfida të mëdha për mua, të cilat me shumë vështirësi arrija t’i kaloja. Unë nuk jam orator i mirë, sidomos jo atëherë kur nuk ekziston një temë e caktuar për debat”, shkruan Loshi në Facebook.

Ai thotë se nuk çuditet me faktin pse Adem Jashari fliste aq pak, sepse komandantët zakonisht flasin pak.

Por, kur ata flasin, fjala e tyre nuk kthehet prapa. Ajo duhet të shkojë në vend”, nënvizon ai.

Por, Loshi habitet se përse Haradinaj flet kaq shumë.

Ajo që më çuditë është pse Ramush Haradinaj flet aq shumë?! Jo vetëm shumë, por kryesisht pa nevojë?! Dhe fjalët e tij nuk kanë kuptim çdo herë dhe edhe më rrallë ato zënë vend. Pra, Adem Jashari ishte njeri i pushkës, por jo edhe i llafeve. I pushkës ishte edhe Ramushi, por tash po del edhe njeri i llafeve! Dilema ime është vetëm kjo: e dëmtojnë apo e ngrisin trimin llafet?!”, potencon ai.

Tutje, Loshi thotë se dikur Ramush Haradinaj ishte një mit i lavdisë së UÇK-së, ndërsa tash e kemi një Ramush të llafeve, një Ramush të kalkulimeve politike, një lider të një partie të vogël, të një partie që bazohet kryesisht në vlera lokale dhe mbi të gjitha një Ramush të pasur!

Me gjasë kjo është ajo çfarë vetë Ramushi dëshiron për Ramushin. Por, kjo nuk është ajo çfarë do të donte për heroin e vet një popull i vogël dhe historikisht i nëpërkëmbur nga armiqtë më të fortë. Popullit më shumë i duhet miti për Ramushin, se një Ramush i këtillë, apo Ramushi i ditëve tona. Një Ramush që mund ta kishte e që më nuk e ka. Fatkeqësisht!”, nënvizon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat