​Osmani: Prej sot shteti ynë është edhe më i fortë

Aktuale

​Osmani: Prej sot shteti ynë është edhe më i fortë

Më: 22 tetor 2021 Në ora: 14:14
Foto nga vendi i ngjarjes

Është certifikuar gjenerata e parë e stërvitjes ushtarake bazë për vitin 2021, ku 180 ushtarë i janë shtuar Forcës së Sigurisë së Kosovës. Rekrutët të cilët e kanë dhënë betimin para eprorëve të tyre dhe komandantit suprem të Forcës, kanë përfunduar me sukses stërvitjen e cila ka zgjatur nëntë javë. Në ceremoninë e certifikimit dhe betimit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se me rreshtimin ushtarëve të rinj në FSK, shteti i Kosovës bëhet edhe më i fortë.

Në kazermën e FSK-së “Skënderbeu”, në Ferizaj, kryetarja e shtetit ka thënë se ushtria e Kosovës po përparon çdo ditë e më shumë.

Osmani: Prej sot shteti ynë është edhe më i fortë

“Prej sot, FSK-ja forcon radhët e veta dhe dëshmon përkushtimin e vajzave e djemve, të cilët nga sot marrin përgjegjësi të reja mbi vete. Prej sot shteti ynë është edhe më i fortë. Këta 180 rekrutë, tashmë janë ushtarë të shtetit të Kosovës, të shtetit tonë të pavarur e sovran e me territor të pacenueshëm, të përgatitur dhe të gatshëm për t`i dalë zot atdheut kurdo që të jetë nevoja. Si komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, jam jashtëzakonisht krenare që po e shoh çdo ditë e më tepër përparimin e FSK-së, të ushtrisë sonë, e cila është jo vetëm garancë e jona, por edhe partnere e përgatitur profesionalisht krahas me aleatët tanë strategjikë në funksion të paqes kudo ku rrezikohet ajo”, ka thënë presidentja Osmani.

Osmani ka theksuar se janë 12 vajza në mesin e 180 rekrutëve për çka ka thënë se shanset e barabarta në kuadër të ushtrisë së Kosovës janë dëshmi e përparimit të FSK-së.

Osmani: Forca jonë është në funksion të mbrojtjes së sovranitetit dhe paprekshmërisë së territorit të Republikës sonë

“Forca jonë është në funksion të mbrojtjes së sovranitetit dhe të paprekshmërisë së territorit të Republikës sonë, sikurse edhe të aleancës sonë me partnerët në shërbim të paqes. Ushtarët tanë do të jenë kudo që rrezikohen interesat tona, por edhe ato të aleatëve tanë amerikanë e evropianë e më gjerë. Siç e dini ju, FSK-ja ndodhet në proces të transformimit dhe arritjes së kapaciteteve të plota operacionale. Ndaj, në këtë kontekst, s`kam fije dyshimi se qoftë përgatitja taktiko-fizike qoftë operacionale e ushtarëve të Forcës është dhe do të jetë në nivelin e lartë dhe konform standardeve të kërkuara”, ka shtuar Osmani.

Në fjalimin e saj drejtuar rekrutëve, Osmani u ka thënë se ata janë ushtarë të një republike për të cilën është derdhur shumë gjak.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se qeveria që ai drejton e ka vendosur FSK-në ndër prioritetet e saj.

Kurti: Qeveria e Kosovës e ka vendosur Forcën ndër prioritet e saj

“Qeveria e Republikës së Kosovës, Forcën ku do të shërbeni e ka vendosur ndër prioritetet e saj, rritja e buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në tregon për përkushtimin tonë që kemi për rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe territorit të vendit tonë. Kjo gjithashtu tregon për përkushtimin tonë për ruajtjen e paqes, jo vetëm në vend, por edhe në rajon e më gjerë. Në ju ne shohim përkushtimin e vendit tonë, shohim ndjenjën e shërbimit e të detyrës, të nderit dhe të krenarisë dhe të dashurisë së pa kusht për shtetin dhe popullin tonë”, ka thënë Kurti.

Ushtarëve u është drejtuar edhe komandanti i Komandës së Doktrinës e Stërvitjes, gjeneralbrigade, Irfete Spahiu, e cila i ka porositur që të shohin vetën si shërbyes të popullit dhe një punëtorë të FSK-së.

Spahiu: Kosova ka djemë dhe vajza që dëshirojnë t’i shërbejnë atdheut

“Dëshmuat edhe njëherë se Kosova ka djem dhe vajza të cilët dëshirojnë të shërbejnë atdheut të vet. Të dashur rekrutë, me aftësinë dhe angazhimin tuaj të treguar gjatë këtyre javëve vërtetuar edhe njëherë se ju tani jeni të gatshëm t’i shërbeni vendit me nder, krenari dhe integritet, janë këto tri vlera, pro edhe vlera të tjera të cilat ju këshilloj t’i mëshironi përjetë”, ka thënë Spahiu.

Në ceremoninë e betimit të rekrutëve të gjeneratës 2021, ka qenë i pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i FSK-së, gjenerallejtntnat Rrahman Rama dhe zyrtarë vendor e ndërkombëtar që shërbejnë në FSK.

Të planifikuar për stërvitjen, e cila kishte filluar më 23 gusht 2021, kanë qenë 202 rekrutë ku sot për të bërë betimin janë rreshtuar 180 prej tyre. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat