Deklarohet eksperti i sigurisë për shpalljen “non grata” të zyrtarëve rusë

Aktuale

Deklarohet eksperti i sigurisë për shpalljen “non grata” të zyrtarëve rusë

Më: 22 tetor 2021 Në ora: 17:43
Nuredin Ibishi

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi ka thënë se vendimi i presidentes Vjosa Osmani dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, për shpalljen “non grata”, të dy zyrtarëve rusë në Zyrën Ndërlidhëse të Rusisë në Kosovë, është një vendim i qëlluar dhe që është dashur që të merret më herët.

Ai ka thënë se Rusia është arrogante me veprimet diplomatike dhe ato ushtarake.

“Është veprim shumë i qëlluar dhe është dashur qysh moti për shkak të ndikimeve të mëhershme të diplomatëve rus që janë në Zyrën Ndërlidhëse të Federatës Rusë në Kosovë dhe pas një serie rastesh dhe aferash në Ballkan, e sidomos të rastit të fundit, të shpalljes ‘non grata’ të anëtarëve të Federatës Ruse që kanë qenë në NATO, tregon se Rusia është shumë arrogante në veprimet edhe diplomatike dhe nganjëherë edhe ushtarake”, ka thënë ai.

Sipas Ibishit veprimtaria e këtyre dy zyrtarëve serbë ka qenë e ndërlidhur me ekstremistët serbë dhe rusë që operojë jo vetëm në Kosovë por edhe në vendet e rajonit.

“Pa hyrë në aspektet hetimore të veprimit të tyre, përherë kanë qenë aktiv dhe një formë shtytës dhe çdoherë të ndërlidhur me ekstremistët serbë edhe në veri por edhe ekstremistët që janë disa parti politike të ekstremit të djathtë serbë, edhe në Serbi edhe në Mal të Zi, por realisht edhe në Maqedoni. Kjo u pa sidomos në dy rastet e fundit të ndërhyrjes apo aktivitetit të tyre në veri”, ka thënë më tutje Ibishi.

Ibishi më tutje theksoi se aktivitete e tyre janë përcjellë që një kohë dhe se nuk është një vendim “ad hoc”.

“Realisht është dashur një kohë që ata të observohen, të përcillen në kuptim të asaj veprimi i tyre dhe momenti i caktuar me një seri të rasteve ku ata kanë qenë të implikuar, pra edhe presidentja edhe sektori i sigurisë ka pasur informacione të bollshme që pasi që ata e kanë mbushur kupën me aktivitetin e tyre destruktiv, atëherë ka ardhur koha që ata të shpallen ‘non grata’. Kjo nuk është një e rastësishme apo një vendim ‘ad hoc’, por veprimi i tyre ka qenë i dijshëm me veprime destruktive në Kosovë por edhe në vendet e rajonit”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat