Rrëfehet Faton Topalli për takimin me Sadri Ramabajën në restorantin që po vëzhgohej nga AKI-ja

Aktuale

Rrëfehet Faton Topalli për takimin me Sadri Ramabajën në restorantin që po vëzhgohej nga AKI-ja

Më: 22 tetor 2021 Në ora: 20:26
Faton Topalli

Faton Topalli thotë se e kishte takuar Sadri Ramabajën më 11 mars të 2017-s në restorantin “Panorama”, në Zllatar të Prishtinës.

Atë ditë, ai kishte lënë takim me një profesor gjerman, mik të tijin, në të njëjtin restorant ku tre të akuzuarit e rastit “Syri i Popullit” po vëzhgoheshin nga dy agjentë të AKI-së.

Një vit më vonë, dy agjentët e AKI-së të cilët kishin vëzhguar takimin në restorantin “Panorama” ishin pajisur me identitete të rrejshme. Me ato identitete ishin prezantuar si dy qytetarë të thjeshtë – njëri cigareshitës, e tjetri i papunë.

Ata, në janar të vitit 2018, kishin dëshmuar rrejshëm kundër Ramabajës dhe të tjerëve në rastin gjyqësor të ashtuquajtur “Syri i Popullit”.

Topalli, në një përgjigje të premten, tha se kishte takuar shkurtimisht Ramabajën, të cilin thotë se e njihte nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe dy persona të tjerë, të cilët nuk i njihte.

“Unë kam lënë një takim me mikun tim të atëhershëm profesorin Gjerman Max Brüm. Sadri Ramabaja, të cilin e njoh nga koha e rezistencës ilegale, e kam pa të shoqëruar nga dy persona i ulur në një tavolinë të afërt. Dy të tjerët nuk i kam njohur”, ka rrëfyer Topalli.  “Kam shkuar tek tavolina e tyre sa për ta përshëndetur Sadriun. Ai mi ka prezentuar me emra si dy mërgimtar. E gjithë kjo mund të ket zgjatur dy minuta”.

Dy agjentët e infiltruar të AKI-së në procesin gjyqësor të “Syrit të Popullit” kishin deklaruar të kenë dëgjuar tre të akuzuarit duke planifikuar vrasjet e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe figurave të tjera të larta shtetërore.

Topalli thotë se për aq sa kishte qëndruar në prani të Ramabajës dhe dy të tjerëve nuk kishte dëgjuar një diskutim të tillë.

“Gjatë qëndrimit tim prej dy minutash me ta, nuk ka pas ndonjë diksutim të tillë”, tha ai të premten.

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje pohoi se ishte ftuar si dëshmitar në procesin ndaj Sadri Ramabajës, që akuzohet për dhënie të ndihmës për atentatin e Murat Jasharit ndaj Azem Vllasit, i plagosur në banesën e tij në Prishtinë.

“Po jam ftuar dhe kam qenë shumë i habitur përse duhet dëshmuar për një takim të rastit. Këto që u thash juve i kam deklaruar edhe para gjyqit”, ka thënë Topalli.

Një hulumtim i publikuar sot në Paparaci, ka zbuluar se ish-prokurori special, Sylë Hoxha në një marrëveshje gojore me ish-drejtorin e AKI-së, Driton Gashi, kanë përfshirë dy agjentë në këtë skandal.

Në janar të vitit 2018, Sylë Hoxha dhe Driton Gashi ishin marrë vesh gojarisht që AKI t’i pajisë me identitete të rrejshme dy zyrtarët të cilët kishin vëzhguar Sadri Ramabajën në restaurantin Panorama në Zllatar më datë 11 mars 2017.

Këtë e kanë thënë dy agjentët e AKI-së të cilët kanë raportuar para eprorëve të tyre rreth këtij rasti.

AKI ka të drejtë me ligj dhe rregullore t’i pajisë agjentët me identitete fiktive, por pas përfundimit të misionit, ato identitete fshihen nga sistemi.

Në rastin konkret, identitetet e tyre janë ende aktive. Sipas Ligjit për AKI-në, puna e agjentëve përfundon me rastin e dorëzimit të raporteve në Prokurori apo tek kryeministri.

Këto raporte nuk janë dhe nuk mund të përdoren si prova materiale në Gjykatë.

Në rastin e misionit të “Syrit të Popullit” në janar të vitit 2018, atyre u ishin dhënë identitete fiktive. Me ato identite ishin prezantuar si dy qytetarë të thjeshtë – njëri cigareshitës, e tjetri i papunë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat