Muçiqi: Ndihemi të tradhtuar nga MSH, do të ketë protesta të jashtëzakonshme

Aktuale

Muçiqi: Ndihemi të tradhtuar nga MSH, do të ketë protesta të jashtëzakonshme

Më: 23 tetor 2021 Në ora: 21:13
Afrim Muçiqi

Numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve është ulur dukshëm, e qeveria në vendimin e ri zbuti masat në luftën kundër Covid-19. Por, edhe pse ora policore u shtye për dy orë (00:00 – 5:00), ende ka pakënaqësi lidhur me vendimin e fundit. Oda e Hotelerisë dhe gastronomët paralajmërojnë protesta të jashtëzakonshme sepse ndihen të tradhtuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Afrim Muçiqi nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit është tejet i pakënaqur me masat e reja kundër virusit SARS‐CoV‐2, ku ende nuk lejohet të organizohen ahengje, veprimtari në klubet e natës, koncerte, dasma e të tjera ngjashëm.

Madje Muçiqi tha se ndihet i tradhtuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe paralajmëroi protesta në ditët në vazhdim.

“Në një takim që kemi pasur me Ministrinë e Shëndetësisë, ata kanë propozuar që dasmat të lejohen me disa kushte: a) Të vendoset një person i autorizuar ku kërkon nga të pranishmit certifikatën e vaksinimit apo testin negativ, b) Dasmat të përfundojë në ora 21:30 c) Barra e penalizimit i takon pronarit të sallës së dasmës nëse masat nuk respektohen”, është shprehur Muçiqi.

Sipas tij, ishte vetë ushtruesja e detyrës, Dafina Gexha Bunjaku, që bëri këto propozime me të cilat Oda e Hotelerisë dhe Turizimit u pajtua. Megjithatë ky premtim u la jashtë vendimit të sotëm, e rrjedhimisht të fundit ndihen të tradhtuar.

“Ne ndihemi të tradhtuar sepse ka qenë vetë propozim i Dafina Gexha Bunjaku – Ushtruese e detyrës së ministrit të Shëndetësisë, ku ne marrim obligim t’i zbatojmë masat e propozuara nga ajo. E në vendimin e fundit, përkundër premtimit, ne jemi ndëshkuar duke mos u lejuar ahengjet e dasmat”, ka thënë Muçiqi.

“Qeveria ka përdorur standard të dyfishtë, shpejt do të vendosim si do të kundërpërgjigjemi, por e sigurt që do të ketë protesta të jashtëzakonshme”, premtoi Muçiqi.

Ndërkohë shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 23:00

Të pakënaqur me vendimin e Qeverisë janë edhe gastronomët ku nesër, në ora 21:30, do të dalë në protestë para Qeverisë së Kosovës Shoqata e Gastronomëve.

“Nesër, e diele, ora 21:30, ftoj të gjithë gastronomët që të dalim para Qeverisë, duke i marrë automjetet tuaja për të protestuar kundër masave të reja, me sirena!! Kundërshtojmë masat duke e rujt shëndetin publik”, shkruan në postimin e tij Kllokoqi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat