Mazreku: Këto janë sukseset kryesore për një vit në krye të BKS-së

Aktuale

Mazreku: Këto janë sukseset kryesore për një vit në krye të BKS-së

Më: 25 tetor 2021 Në ora: 14:50
Sami Mazreku

Drejtori ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku, ka thënë se për një vit në krye të këtij institucioni ka ndodhur heqja e sigurimit kufitar me Malin e Zi, trajtimi dhe pagesa e shpejtë e dëmeve të pësuara nga qytetarët etj.

Ka vetëm një vit prej se është emëruar drejtor ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimeve(BKS). Pak muaj pasi e ka marrë detyrën e re, Sami Mazreku, ka arritur të nënshkruajë Memorandumin e Mirëkuptimit me Byronë Kosovare të Sigurimeve të Malit të Zi për njohjen reciproke të certifikatave të sigurimit, me ç’rast pas dy dekadave, verën e kaluar shoferët kosovarë për herë të parë kanë shkuar për pushime në shtetin fqinj pa paguar sigurimin kufitar. Mazreku thotë se ky nuk është suksesi i vetëm i tij për një vit në krye të BKS-së, duke shtuar se trajtimi dhe pagesa e shpejtë dhe adekuate e dëmeve të pësuara nga qytetarët është një ndër sukseset e menaxhimit të institucionit brenda kësaj periudhe kohore. Përpos sukseseve të lartpërmendura, ai e ka theksuar edhe synimin për uljen e numrit të automjeteve të paregjistruara si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Byronë e Kartonit të Gjelbër, raporton iSIGURIME.

Trajtimi dhe pagesa e dëmeve, sfidë kryesore për BKS-në

Mazreku janë bërë 1 vit prej se ju e udhëhiqni Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS). Cilat kanë qenë sfidat kryesore njëvjeçare në drejtimin e këtij institucioni?

Mazreku: Pas marrjes së detyrës si drejtor Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit, fillimisht kemi bërë një vlerësim të gjendjes së përgjithshme të institucionit, duke e vlerësuar efektshmërinë operacionale si dhe kapacitetet tona si institucion, në përmbushje të detyrimeve lidhur me kompensimin e dëmeve të shkaktuara ndaj palëve të treta. Trajtimi dhe pagesa e dëmeve mbetet sfidë kryesore e Byrosë Kosovare të Sigurimit, sikurse e të gjithë industrisë së sigurimeve në vend, për shkak të impaktit që vetë funksioni i shpërblimit të dëmit ka për komunitetin.

Sukseset e mandatit njëvjeçar

A mund të na i theksoni 3 sukseset kryesore që i keni arritur përgjatë mandatit një vjeçar në krye të BKS-së dhe cilat janë planet për vitet në vazhdim gjatë mandatit tuaj?

Mazreku: Ndër sukseset të cilat ia vlen t’i potencojmë është nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit me Byronë e Sigurimeve në Malin e Zi, lidhur me njohjen reciproke të certifikatave të sigurimit të të dy vendeve. Tani, pas më shumë se 20 viteve mund ta quajmë të zgjidhur çështjen në fjalë, ashtu që qytetarët e Kosovës sikurse ata të Malit të Zi, nuk do të jenë të obliguar të kontraktojnë sigurimin kufitar gjatë hyrjes dhe qëndrimit në shtetet e ndërsjella. Kjo marrëveshje do të lehtësojë fillimisht qarkullimin e njerëzve në parim, ndërsa do të ketë impakt dhe në ekonomi e zhvillim të turizmit të të dy vendeve. Poashtu, trajtimi dhe pagesa e shpejtë dhe adekuate e dëmeve të pësuara nga qytetarët, vlerësoj se është një ndër sukseset e menaxhimit të institucionit brenda mandatit njëvjeçar. Byroja Kosovare e Sigurimit ka intensifikuar pagesën e dëmeve të mbetura pezull, të klasifikuara si dëme të vjetra. Ndërkaq, për kërkesat e reja të paraqitura brenda kësaj periudhe, është numër i lartë i tyre të cilat trajtohen dhe paguhen brenda afatit ligjor dhe pa pasur nevojë që palët e dëmtuara të ndjekin rrugët gjyqësore për kompensimin e dëmit. Kjo në anën tjetër, lehtëson pozicionin financiar të Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe anëtarëve të saj, ashtu që nuk do të ketë dëme të rezervuara të mbetura ndër vite, kur ato trajtohen shpejt dhe në interesin më të mirë të policëmbajtësit dhe palës së tretë.

A ka pasur progres BKS-ja në pagesën e dëmeve të automjeteve prej kohës kur e udhëhiqni këtë institucion, nëse e krahasojmë me periudhën paraprake?

Mazreku: Sipas të dhënave zyrtare të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), shihet se gjatë periudhës janar-shtator 2021 janë paguar gjithsejtë 3064 dëme, apo shprehur në euro 7,428,796. Në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, pra janar-shtator 2020, shihet se numri i dëmeve të trajtuara dhe të paguara është më i madh për 62,8 përqind, derisa shuma e mjeteve të paguara në emër të dëmeve është më e lartë për 72,8 %.

Marrëveshja me Malin e Zi, përvojë e mirë për anëtarësim në Këshillin e Byrove në Bruksel

Këtë verë për herë të parë qytetarët e Kosovës kanë udhëtuar për në Mal të Zi pa e paguar sigurimin kufitar prej 15 eurosh. A është kjo njëra ndër arritjet kryesore të BKS-së?

Mazreku: Sigurisht, përpjekje për arritjen e një Memorandumi të Mirëkuptimit me Byronë e Sigurimeve të Malit të Zi ka pasur edhe në të kaluarën, por se të njëjtat nuk janë avancuar deri në finalizimin e tyre për arsye të ndryshme. Tani, pas rifillimit të komunikimeve dhe diskutimit në një frymë tërësisht të re me përfaqësuesit e Byrosë së Sigurimeve të Malit të Zi, kemi arritur në pajtimet e dyanshme lidhur me modalietet e funksionimit dhe implementimit të plotë të këtij memorandumi. Sigurisht që kjo është një arritje e lartë e institucionit tonë, për çka me nënshkrimin e këtij memorandumi bëhet i mundur dhe mbyllja e qarkut përkatës, respektivisht lidhjes së memorandumeve të mirëkuptimit për njohjen reciproke të certifikatave të sigurimit me të gjitha shtetet me të cilat rrethohet Republika e Kosovës. Kjo do të shërbejë si përvojë e mirë dhe shembull i ndërtimit të marrëdhënieve bilaterale me Byrotë e vendeve të rajonit, të cilat përfundimisht shpresojmë të na orientojnë drejt nënshkrimit të marrëveshjes multilaterale të anëtarësimit në Këshillin e Byrove në Bruksel.

Sivjet e Qeveria e Kosovës e ka mbështetur financiarisht pagesën e policave kufitare për mërgimtarët. Sa para ka paguar qeveria sivjet për mërgimtarët dhe a duhet të vazhdojë ky model i financimit apo të gjendet një tjetër?

Mazreku: Byroja Kosovare e Sigurimit është partner i Qeverisë së Republikës së Kosovës në përmbushjen e qëllimeve dhe të drejtave ndaj qytetarëve të vendit si dhe ndaj bashkëatdhetarëve tonë. Ky vit është viti i dytë i zbatimit të praktikës së mbulimit të kostos së primit të sigurimit kufitar për disa kategori të mjeteve motorike me targë të huaj. Në zbatim të kësaj marrëveshjeje, Byroja Kosovare e Sigurimit i ka pasur disa sfida të theksuara dhe atë lidhur me verifikimet e domosdoshme të mjeteve motorike krahasuar me policat e shtypura, pas të cilit verifikim do të bëhej i mundur realizimi i pagesës nga Ministria e Financave. Ky model i funksionimit, sigurisht që është i përkohshëm dhe nuk duhet të shihet si një instrument i caktuar për të rregulluar çështjet e sigurimit të detyrueshëm kufitar, por ajo që ne jemi duke u angazhuar maksimalisht është, plotësimi i të gjitha kushteve të nevojshme për anëtarësim në Këshillin e Byrove në Bruksel, si model dhe zgjidhje e vetme për trajtimin e drejtë të bashkatdhetarëve tanë kur ata qëndrojnë në Kosovë. Sigurisht, edhe në këtë aspekt ka sfida të theksuara, siç janë njohja ndërkombëtare e targave të Kosovës, patent-shoferëve, ulja e numrit të mjeteve motorike të pasiguruara, deri në limitet e pranueshmërisë për të qarkulluar sipas rregullave të caktuara brenda zonës së Kartonit të Gjelbër, për të cilën jemi duke bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankën Qendrore e Kosovës.

 Alternativat për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër

Synimi i institucioneve të Kosovës është anëtarësimi në Byronë e Kartonit të Gjelbër. Çfarë angazhimesh po bëhen në këtë drejtim dhe kur pritet të ndodhë një gjë e tillë?

Mazreku: Siç e kemi trajtuar disa herë, anëtarësimi i Byrosë Kosovare të Sigurimit në Këshillin e Byrove në Bruksel, ka në parim një parakusht të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Zgjidhjet alternative mund të jenë të zbatueshme dhe të pranueshme për adoptim atëherë kur ne brendapërbrenda të kemi rregulluar çështjet e mjeteve motorike të paregjistruara dhe të pasiguruara, të cilat sipas rregullave të brendshme të Këshillit të Byrove supozohet të jenë të siguruara në çdo kohë kur qarkullojnë brenda zonës së Kartonit të Gjelbër, ndërsa në anën tjetër numri i tyre brenda territorit të Kosovës varion në 30% të numrit të përgjithshëm të mjeteve motorike në qarkullim. Disa herë kemi drejtuar shkresa të shumta me shqetësimet e industrisë së sigurimeve lidhur me kushtëzimet e ndryshme të vendosura për regjistrimin e mjetit motorik, ndërsa në ditët e fundit kemi parë dhe angazhimin e ministrit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, i cili kishte suspenduar kërkesën për nxjerrjen e taksës për pagesën e tatimit në pronë, me qëllim të regjistrimit të mjetit motorik. Ky është një hap i domosdoshëm dhe i theksuar në drejtim të zgjidhjes së pengesës dhe në të njëjtën kohë, jemi duke bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme që të hiqen dhe disa kushtëzime të tjera, siç është ajo e pagesës së gjobave ndëshkimore të shqiptuara në trafik, për t’i krijuar kushtet e domosdoshme për regjistrimin e mjetit motorik pa pengesë.

Kusht për anëtarësim në Byronë e Kartonit të Gjelbër është edhe ulja e numrit të automjeteve të paregjistruara. Kohë më parë keni marrë iniciativë për uljen e një numri të tillë, a ka progres në këtë drejtim?

Mazreku: Tash e disa vjet industria e sigurimeve është duke e trajtuar me kujdes të shtuar çështjen e uljes së numrit të mjeteve motorike të paregjistruara dhe të pasiguruara. Siç kemi potencuar edhe paraprakisht, nga këto mosregjistrime të mjeteve motorike dëmtohet buxheti i shtetit për shkak të mospagesës së taksave: rrugore, ekologjike, asaj të qarkullimit, ndërsa në anën tjetër industria e sigurimeve dëmtohet nga mospagesa e primit të sigurimit për këto mjete në qarkullim, ku për të njëjtat ngarkohet në Fondin e Kompensimit të Byrosë Kosovare të Sigurimit, si organizëm i pagesës së dëmeve të shkaktuara nga mjetet motorike të pasiguruara.

Sigurisht, presim progres në uljen e numrit të mjeteve motorike të paregjistruara e të pasiguruara në periudhën në vijim, marrë për bazë dhe vendimin e fundit të Ministrit Murati për suspendimin e kërkesën për nxjerrjen e taksës për pagesën e tatimit në pronë, me qëllim të regjistrimit të mjetit motorik. Në anën tjetër, Agjencia për Regjistrin Civil në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka përgatitur draft-udhëzim administrativ të ri, i cili i trajton disa aspekte të çështjeve të regjistrimit të mjeteve motorike në vend, ndër të cilat dhe heqja nga lista si mjete të rregullta motorike të të gjitha atyre mjeteve, të cilat nuk janë regjistruar në dy vitet e fundit. Prandaj, vlerësojmë se në periudhën e afërt vijuese do të ketë progres të avancuar në zgjidhjen e çështjes në fjalë.

Si e vlerësoni performancën e industrisë së sigurimeve në Kosovë?

Mazreku: Industria e sigurimeve ka pasur performancë më të favorshme gjatë kësaj kohe si rezultat i reformave që janë ndërmarrë në këtë sektor nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës. Përveç përmirësimit në treguesit financiarë dhe në kapitalizim ka pasur përmirësime të dukshme edhe në zbatimin e modeleve moderne të qeverisjes korporative.

Edhe industria e sigurimeve të Kosovës vitin e kaluar është ballafaquar me pasojat e pandemisë COVID-19. Sa konkretisht është goditur ky sektor dhe a ka filluar të rikuperohet këtë vit?

Mazreku: Pasojat e pandemisë COVID-19 janë ndjerë në çdo sektor të ekonomisë në Kosovë. Njësoj, efektet janë reflektuar edhe në industrinë e sigurimeve.  Si rezultat i mbylljes për një periudhë kohore nuk ka pasur vazhdimësi të sigurimit të automjeteve në vend. Megjithatë, përgjatë kësaj kohe, ka pasur edhe më pak dëme si rezultat i trafikut pothuajse të mbyllur. Rrjedhimisht, efektet e pandemisë kanë qenë deri diku të neutralizuara, por që efektet afatgjata mund të marrin kohë për t’u vërejtur.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat