Osmani flet për aksionin e fundit në veri të vendit, tregon qëllimin e Serbisë dhe përpjekjen e shtetit rus

Aktuale

Osmani flet për aksionin e fundit në veri të vendit, tregon qëllimin e Serbisë dhe përpjekjen e shtetit rus

Më: 26 tetor 2021 Në ora: 21:27
Presidentja Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur rreth situatës së krijuar në veri të Kosovës, ku Policia e Policisë së Kosovës mori një aksion për luftimin e krimit të organizuar dhe kontrabandës në të gjitha komunat e Kosovës.

Osmani tha se situata e krijuar nga Serbia duhet të parë si një përpjekje ruse për të shkatërruar gjithçka amerikane dhe evropiane që është arritur në rajon.

 “Krejt këtë duhet ta shohim në një pikturë më të madhe sesa vetëm çështja e dialogut Kosovë-Serbi. Këtu është përpjekja ruse për të shkatërruar gjithçka amerikane dhe evropiane që është arritur në rajonin tonë. Kjo është përplasja e madhe dhe Kosova është vendi ku më së shumti përplasen në krejt kontinentin evropian, përplasen interesat ruse me ato të organizatave siç është NATO, BE dhe SHBA.

Rusia është e interesuar që nëpërmjet sulmeve në raport me Kosovën, ndaj Bosnjës e Hercegovinës e Malit të zi, të luftojë jo vetëm neve, por t’i luftojë mbi të gjitha interesat amerikane edhe evropiane në rajonin tonë”, tha Osmani.

Ajo madje komentoi edhe deklarimin e shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell rreth aksionit të Policisë së Kosovës në veri, i cili e quajti këtë aksion policor  një “veprim të njëanshëm, të pakoordinuar dhe të papranueshëm”, ndonëse ai i ishte ndërmarrë kundër krimit të organizuar.

“Një zyrtar aq i lartë i BE-së duhet të jetë i informuar edhe të mos lejoj në rast se diush nga zyrtarët e tjerë dëshiron ta dezinformojë rreth të vërtetës. Ka qenë shumë e lehtë që të verifikohet e vërteta nga terreni atë ditë.

Kur kërkohet nga ju të jeni ndërmjetës në një raport siç është dialogu Kosovë-Serbi dhe më e pakta që mund të kërkohet është pavarësia ose mungesa e njëanshmërisë në raport me njërën palë ose tjetrën. Dhe këtu kemi parë një anshmëri që shpresoj shumë që nuk do të përsëritet pasi ka qenë në kundërshtim me çdo kërkese që BE-ja ka bërë që dy dekada, dmth kanë kërkuar vazhdimisht që të luftojmë krimin e korrupsionin e konkretisht në veri”, tha ajo.

Madje Osmani kërkoi që të gjitha institucionet e Kosovës të kërkojnë nga BE-ja që të tregojnë mungesë të njëanshmërisë në këtë proces.

“Kur ato janë serioze dhe vërtet po ndodhin dhe pastaj të konsiderohen si të njëanshëm është me të vërtet e paprecedentë sepse ka pasur edhe ndërmjetës të tjerë të dialogut Kosovë Serbi, por deklarata të tilla të njëanshme nuk kemi parë.

Shpresoj shumë që të gjitha institucionet njëzëri të kërkojnë qartë nga BE që të tregojnë mungesë njëanshmërie në këtë proces që të informohen qartë dhe mirë rreth asaj çka po ngjan në terren. Kur një shtet si Serbia bashkë me Serbinë e rrezikon jo vetëm stabilitetin rajon, por rrezikon edhe Kosovën e Malin e Zi dhe shtetet e tjera natyrisht që BE-ja duhet të reagojë, sepse e ki armatimin rusë në kufi me Kosovën”, shtoi Osmani në Prime Time.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat