Nga 1 mijë e 487 vaksina anti-COVID sa ka administruar qendra e vaksinimit në Gjilan gjatë javës që e lamë pas, vetëm 158 nga to janë doza të para.
Kjo rënie e qytetarëve apo rasteve të reja për të nisur procesin e imunizimit po vërehet kudo dhe jo vetëm në Gjilan. Një situatë e tillë është edhe në Prizren, ku interesimi për marrjen e dozës së parë është i ulët.
Megjithëkëtë, Ministria e Shëndetësisë bën thirrje te qytetarët që këtë proces mos ta neglizhojnë dhe ata të cilët e kanë marrë dozën e parë mos ta lënë të përgjysmuar vaksinimin.
Derisa edhe me vendosjen e ekipeve mobile nëpër sheshet e disa qyteteve nuk u pa fort interesimi, ani se ishte pa termin dhe pa rëndësi vendbanimi.
Në sheshet e Gjilanit për dy ditë u dhanë vetëm 35 vaksina të dozës së parë, kurse në Prizren 38.
Veçse, nga MSh-ja thonë se një mobilizim i tillë nuk ka qenë i mundshëm më herët për shkak shmangies së parregullsive, dhe se çdo dozë e administruar ka rëndësinë e saj.
Ndërkaq, prej ditës së 18 tetorit kur Kosova arriti shifrën 1 milion e 500 mijë vaksina të administruara, pas kësaj dite janë dhënë vetëm 66 mijë e 251 vaksina, shifër kjo e ulët krahasuar me javët e muajve të kaluar.