Dëshmitari i gjashtë kundër Sali Mustafës: Kam shkuar tri-katër herë në këmbë deri atje në Zllash për t`iu bashkuar UÇK-së

Aktuale

Dëshmitari i gjashtë kundër Sali Mustafës: Kam shkuar tri-katër herë në këmbë deri atje në Zllash për t`iu bashkuar UÇK-së

Më: 10 nëntor 2021 Në ora: 12:40
Salih Mustafa

Në seancën e kësaj të mërkure në rastin ndaj Salih Mustafës, po vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarit të radhës të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Dëshmitari i mbrojtur deklaroi se ushtrimet për anëtarësim në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës i ka bërë në Zllash teksa bashkë me ushtarë të tjerë flinin në një shkollë.

“Për një javë ose dhjetë ditë kemi bërë ushtrime. Kemi pasur instruktorë të caktuar që na kanë mësuar në teori dhe praktikë. Gjatë kësaj kohe kemi qëndruar në një lloj si shkollë ka qenë – kemi pas shtretër ushtarakë që janë një mbi një. Të gjitha gjërat i kemi pas të ndara, se kur të hamë bukë, kur të mësojmë teori dhe praktikë”.

Tutje dëshmitari rrëfeu se kushtet ekonomike nuk i kishin të mira por bashkë me familjen kishte dhënë 100 markat e fundit për UÇK-në.

Kushtet kanë qenë shumë të vështira por unë i kam dhënë 100 marka të fundit që i kemi pasur unë dhe gjithë familja ime – e kam edhe faturën në shtëpi që ende e ruaj. Fatura e kishte shqiponjën dy krenare, e zezë, ndërsa fatura e bardhë, aty shënon data edhe nënshkrimi im”, u shpreh dëshmitari.

Tutje dëshmitari tha se ka shkuar tri-katër herë në këmbë nga fshati i tij në Zllash ku kërkonte që të bëhej ushtar i UÇK-së pasi kishte përfunduar stërvitjet teorike dhe praktike.

Stërvitjet shkuan në rregull, më lajmëruan se këto stërvitje kanë përfunduar dhe më thanë që të shkojë në shtëpi e pastaj më lajmërojnë. Jam kthyer në shtëpi dhe kam qëndruar disa kohë. Kam shkuar tri-katër herë në këmbë prej fshatit deri atje [në Zllash] për të pyetur se a mund të jem pjesëtar i tyre pasi përfundova ushtrimet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat