Trump lëshon një deklaratë për dialogun Kosovë-Serbi, tregon pse erdhi Grenell në Kosovë

Aktuale

Trump lëshon një deklaratë për dialogun Kosovë-Serbi, tregon pse erdhi Grenell në Kosovë

Më: 11 nëntor 2021 Në ora: 17:29
Richard Grenell dhe Donald Trump

Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka lëshuar një deklaratë lidhur me vizitën e të dërguarit të tij, Richard Grenell në Kosovë.

Trump thotë se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë kanë kapërcyer pengesa të mëdha në ndjekje të normalizimit ekonomik.

Trump thotë se marrëveshjet e ndërmjetësuar nga administrata e tij janë historike dhe nuk duhet të braktisen.

“Populli i mrekullueshëm i Serbisë dhe Kosovës ka kapërcyer pengesa të mëdha në ndjekje të normalizimit të tyre ekonomik. Marrëveshjet e ndërmjetësuara nga administrata ime janë historike dhe nuk duhet të braktisen, shumë jetë janë në pikëpyetje. Rajoni është shumë i rëndësishëm dhe njerëzit kanë pritur shumë gjatë që kjo punë të lihet mënjanë”, thotë Trump në deklaratën e publikuar nga Taylor Budowich, drejtor për komunikim i Trumpit.

Tutje, Presidenti i 45-të i SHBA-së thotë se Richard Grenell e vizitoi kufirin Kosovë – Serbi pikërisht për ta theksuar marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë. Ai thotë se normalizimi mes të dy vendeve është i mundur, por shton se kjo kërkon përpjekje të sinqertë.

“Sot, i Dërguari im Ambasadori Rich Grenell vizitoi kufirin Kosovë-Serbi për të theksuar këtë marrëveshje të rëndësishme. Ashtu siç dëshmuam në Lindjen e Mesme me Marrëveshjet e Abrahamit, paqja dhe normalizimi ekonomik është i mundur, por kërkon një përpjekje të sinqertë dhe udhëheqje të palëkundur. Paqja është e mundshme, mos u dorëzo – prosperiteti afatgjatë për këto dy kombe është në pikëpyetje!”, thuhet në deklaratën e Donald Trump.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat