Rasti i Haki Rugovës, çka po ndodhë me të në Gjykatën e Apelit?

Aktuale

Rasti i Haki Rugovës, çka po ndodhë me të në Gjykatën e Apelit?

Më: 12 nëntor 2021 Në ora: 20:02
Haki Rugova

Për shkak të disa informatave të reja të siguruara nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), Gjykata e Apelit sërish ka mbajtur seancë ndaj Haki Rugovës.

Në seancën e 11 tetorit, avokati i Rugovës, Besnik Berisha kishte kërkuar nga apeli lirimin e të mbrojturit të tij nga akuza për korrupsion.

Rugova akuzohet nga se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014  ka nënshkruar kontratë me kompaninë e vëllait të tij, “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë, në vlerë rreth 300 mijë euro.

Në seancën e së premtes, kryetari i kolegjit, gjykatësi Bashkim Hyseni, deklaroi se Gjykata e Apelit ka vendosur që ta hapë seancën e shqyrtimit gjyqësor dhe si rezultat i kësaj ka kërkuar një sqarim nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP).

Më pas gjykatësi referues, Burim Ademi, elaboroi pyetjet dhe përgjigjet të cilat i kanë marrë nga KPRK-ja.

Në pyetjen e parë, se lënda e kontratës, çfarë lloji i kontratës konsiderohet duke pasur për bazë përkufizimet ligjore sipas Ligjit të Prokurimit Publik, KRPP-ja ka konstatuar se kontratat si dhe procedura e ndjekur në prokurim publik definohet sipas tre numrave të shifrës së kontratës, që në rastin konkret ishin tre numrat e fundit 521.

Kjo kontratë është për punë sepse numri 5 e konstaton kategorizimin e kontratave të tilla, pastaj numri 2 përcakton se kontrata e tillë është e vlerës së mesme dhe po ashtu numri 1 përcakton procedurën e hapur, rrjedhimisht sipas ligjit të KRPP-së, kjo kontratë që ishte gëzuar së bashku me urdhëresën ishte kontratë për kryerjen e punës”, sqaroi gjykatësi Ademi.

Në pyetjen e dytë, gjykata ka kërkuar sqarime për atë se kontrata në fjalë për nga lloji i saj a bën pjesë në kategorinë e kontratave me vlerë të madhe apo nuk bën pjesë në këtë kategori, për të cilën KRPP-ja ka konstatuar se kontrata në fjalë është me vlerë të mesme, duke iu referuar numrit 2 siç është cekur më lartë.

Tutje, në pyetjen e tretë, se a ka pretendim që zyrtari kryesor administrativ, përkatësisht zyrtari i menaxhimit të prokurimit publik të nënshkruajë vetëm kontratat me vlerë të madhe siç parashikohet me ligj, KRPP-ja ka konstatuar se vetëm për kontratat me vlerë të madhe që kategorizohen sipas Ligjit të Prokurimit Publik (LPP), ka të drejtë të nënshkruajë zyrtari kryesor administrativ, përkatësisht ministri apo sekretari.

Dhe në pyetjen e fundit, se kur kontratat klasifikohen me vlerë të madhe, a krijohet efekti i zbatimit në rastin e nënshkrimit të kontratës nga ana e menaxherit të prokurimit publik sipas nenit 26, paragrafi 1, KRPP-ja ka konstatuar se kontrata fillon të zbatohet sipas kohës së përcaktuar në kontratë.

“Kur kontratat publike nënshkruhen nga personat e autorizuar, sipas paragrafit 1 të nenit 26 të LPP-së, në vlerë minimale apo të mesme, ose sipas paragrafit 2 të nenit 26, me vlerë të madhe, si dhe nga operatori ekonomik, kontrata e tillë është ligj për palët kontraktuese dhe ajo fillon të zbatohet apo ekzekutohet në kohën e përcaktuar në përputhje me kushtet e përcaktuara në kontratën e nënshkruar nga palët kontraktuese”, sqaroi tutje gjykatësi Ademi.

Pas kësaj, prokurori i Apelit, Arian Gashi, deklaroi se sa i përket përgjigjes ndaj kërkesës të KRPP-së, e kundërshton një provë të tillë, pasi sipas tij e njëjta është jo lëndore.

“Prokuroria e Apelit konsideron se në rastin konkret janë plotësuar të gjitha elementet e veprës penale, për çka i akuzuari është shpallur fajtor nga gjykata e shkallës së parë, pasi që i njëjti ka qenë person zyrtar në kryerjen e kësaj vepre penale si zyrtar kryesor administrativ siç e përcakton neni 4 tek përkufizimet e LPP-së”, tha prokurori Gashi.

Ndërsa, sa i përket çështjes së vlerës së kontratës e cila është kriter sipas LPP-së për përcaktimin e vlerës, prokurori Gashi deklaroi se objekt i aktakuzës dhe aktgjykimit nuk është procedura që është ndjekur nga shpallje e deri tek nënshkrimi i kontratës, por objekt është konflikti i interesit, raporton Betimi për Drejtësi.

Në fund, prokurori Gashi propozoi që të refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit e ushtruar kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokat Besnik Berisha, deklaroi se me këtë provë është konfirmuar ajo se çfarë kanë parashtruar në secilin kundërshtim.

“Me provën e siguruar është konfirmuar se kontrata që është objekt i kësaj çështje penale, është me vlerë të mesme, karakter i saj është kontratë pune dhe efektin e ekzekutueshmërisë e ka marrë në kohën e nënshkrimit nga zyrtari i prokurimit”, tha avokati Berisha.

Sipas Berishës, në kushte normale sot do të duhej të kishte një tërheqje nga aktakuza dhe kërkim falje për padijeninë e atyre më poshtë dhe torturat që i kanë përjetuar.

Tutje, avokati Berisha propozoi që provën e siguruar, Gjykata e Apelit ta konsiderojë si mbretëreshë të provave që rrëzon çdo pretendim të pambështetur në ligj.

Në fund, Berisha apeloi për një aktgjykim lirues, sipas tij vetëm kjo do të ishte drejtësi dhe kështu do të korrigjohej çdo padrejtësi.

Pas tij, i akuzuari Rugova, deklaroi se i mbështet në tërësi deklarimet e mbrojtësit të tij.

Ndryshe, në qershor të këtij viti i akuzuari Rugova ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë me 1 vit burgim dhe ndaj tij ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues dhe atë, ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në afat prej një viti.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 26 mars të vitit 2018, Haki Rugova akuzohet se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.

Sipas aktakuzës, në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore në mes Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k. drejtor i firmës ka qenë Gani Rugova dhe çmimi i kontratës ka qenë 289 mijë e 119 euro e 85 centë.

Organi i akuzës pretendon se me anë të këtyre veprimeve, i akuzuari Rugova, i ka mundësuar vëllait të tij, Gani Rugovës, interes financiar, andaj e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit.

Fillimisht kjo lëndë ishte dërguar në Prokurorinë Themelore në Pejë, përkatësisht ajo i ishte deleguar prokurorit Haxhi Sinanaj.

Por, ky i fundit, më 17 janar 2018, me shkresë i ishte drejtuar kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj dhe pas konsultimit me kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit, Haxhi Derguti, si dhe Agim Kurmehaj, lënda është deleguar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.

“Arsyeja e dërgimit në kompetencë të kësaj çështjeje juridike penale për të pandehurin Haki Rugova, është fakti se me të njëjtin që një kohë të gjatë njihemi dhe jemi në raporte shoqërore, andaj për të qenë një hetim i drejtë dhe i pavarur, pas konsultimit me kryeprokurorin e Apelit dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, jemi dakorduar që këtë çështje penale ta dërgojmë në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë”, kishte shkruar prokurori Haxhi Sinanaj.

Ndryshe, Haki Rugova, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, kishte fituar edhe një mandat tjetër, për herë të tretë, në krye të Komunës së Istogut. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat