Dështimi i mbledhjes së kryesisë, PDK dhe AAK akuzojnë mazhorancën

Aktuale

Dështimi i mbledhjes së kryesisë, PDK dhe AAK akuzojnë mazhorancën

Më: 16 nëntor 2021 Në ora: 11:57
Kuvendi i Kosovës

Pas dështimit të mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e kanë akuzuar shumicën parlamentare për mungesë të efikasitetit.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se prej konstituimit nuk po arrihet një funksionim i mirëfilltë i Kuvendit të Kosovës.

Tahiri: Përgjegjësia kryesore bie mbi mazhorancën

“Tash e një kohë jemi dëshmitar që nuk kemi pasur një funksionim një mbarëvajtje të duhur të agjendës tonë parlamentare. Normalisht këtu përgjegjësia kryesore bie mbi mazhorancën, mbi këtë mazhorancë e cila është treguar jashtëzakonisht shumë jo efikase në shumë drejtime edhe në implementimin e agjendës legjislative, në anën tjetër edhe në degradimin e shumë institucioneve tona të pavarura për të cilat tashme kemi vendim siç është Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës vendimi i Gjykatës Kushtetutës. Pra, nuk kemi arritur që nga fillimi, që nga konstituimi i kësaj legjislature nuk kemi arritur me pas një funksionim të mirëfilltë i cili do t’i përgjigjej edhe nevojave të qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Ai tha se qeveria nuk ka arritur as për së afërmi të përmbush agjendën legjislative që vet e kanë caktuar, derisa tha se shumë agjenci kanë mbetur pa kuorum.

Tahiri tha se ende nuk e kanë një emër që do të propozohet për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës dhe se këtë pritet ta caktojnë ditët në vijim.

Tahiri: Brenda disa ditëve do të përcaktohemi për emrin e nënkryetarit

“Besoj që sapo të përcaktohemi atë do t’ia bëjmë me dije edhe juve edhe qytetarëve të Kosovës dhe unë besoj që kjo është çështje e dy, tri ditëve kur ne do të përcaktohemi”, tha ai.

Kritika për shumicën parlamentare ka pasur edhe shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i cili tha se ata po tregojnë një mungesë të menaxhimit të përgjegjësive që kanë.

Tahiri: Shumica parlamentare në problem serioz me menaxhimin e përgjegjësive

“Në historinë e jetës parlamentare nuk mbahet mend që një shumicë të ketë mbi 50 përqind në vota, ndërsa tash e katër mbledhje të kryesisë së Kuvendit dështojnë dhe sot para jush kemi 37 pika të rendit të ditës të cilat duhet të shqyrtohen në Kuvend dhe si rrjedhojë duhet kryetari i Kuvendit të merr një vendim që të thërret seancën të enjten në orën 10. Kjo nënkupton që shumica parlamentare, qeveria, koalicioni janë në problem serioz me menaxhimin e përgjegjësive që kanë marrë për shtetin, si në Kuvend ashtu edhe në qeveri. Agjenda legjislative ka qenë ambicioze përderisa ligjet që kanë ardhur në Kuvend janë ligje që realisht nuk hyjnë në procedurë për këtë vit, shumica e ligjeve që kanë kaluar në lexim të parë apo nuk kanë ardhur në shqyrtim hiç nuk do të mund për shkak të procedurave që të kalohen. Kështu që do të kemi një agjendë legjislative e cila nuk është përmbushur absolutisht. Të gjitha ligjet janë të rëndësishme, por ligji i pagave në sektorin publik, është një ligj shumë i rëndësishëm për shkak që trajton pagën në një situatë kur janë ngrit çmimet”, tha ai.

Tahiri tha se në bazë të pikave të rendit të ditës do t’iu duhen ditë për t’i përfunduar të njëjtat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat