E vrau për 20 euro/ Eksperti mjeko-ligjor jep detaje për vrasjen në Suharekë

Aktuale

E vrau për 20 euro/ Eksperti mjeko-ligjor jep detaje për vrasjen në Suharekë

Më: 16 nëntor 2021 Në ora: 19:35
Seanca

Eksperti i mjekësisë ligjore, Musa Gashi tha se trupin e të ndjerit Sh.K e kanë përshkuar 6 predha dhe se në trup të të ndjerit janë konstatuar 16 plagë sklopetare, prej tyre 8 plagë janë hyrëse dhe 8 dalëse.

Këtë deklarim eksperti i mjekësisë ligjore Musa Gashi e ka bërë të martën në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin ku Sylejman Ahmeti po ngarkohet se vrau Sh.K shkaku i një borxhi prej 20 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Eksperti tutje deklaroi se vdekja Sh.K, është jo e natyrshme, e cila ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes masive të brendshme dhe të jashtme, pas dëmtimit të organeve vitale në kokë, kraharor dhe abdomen.

Tutje tha se tani i ndjeri kishte pësuar 6 predha në trupin e tij dhe se koha e vdekjes për shkak të këtyre dëmtimeve ka qënë shumë e shkurtër, brenda sekondave apo minutave, pasi që ka pasur gjakderdhje të shumta nga dëmtimi i organeve vitale të trupit.

Eksperti tha se 4 plagë kanë qënë vdekjeprurëse dhe se shtoi se distanca e gjuajteve me armë ka qënë nga afërsia, që nënkupton distancë deri në një metër, por se se ngjarja ka qenë dinamike dhe se personat e konfliktuar kanë qenë në lëvizje.

Po ashtu në gjykimin e sotëm ka dëshmuar edhe vëllai i të akuzuarit Sylejman Ahmeti, Nijazi Ahmeti.

Dëshmitari Nijazi Ahmeti deklaroi se me tani të ndjerin Sh.K, ishte njohur në lokalin e fshatit e që pas kësaj ishin takuar dhe kanë ndenjur pas ditësh përsëri.

Dëshmitari shtoi se tani i ndjeri ishte i interesuar që të blejë tokë në Kosovë dhe se edhe ai vet ia kishte ofruar tokën e tij për shitje dhe kështu kanë vazhduar kontaktet me të në rrjetin social Facebook.

Ai tha se Sh. i kishte thënë që t’ia gjejë një person me ekskavator për hapjen e rrugës të një prone që e kishte blerë ai.

Po ashtu, tha se deri një natë para ditës kritike nuk ka pasur ndonjë sharje nga i ndjeri Sh.

Dëshmitari Nijazi tha se një natë para natës kritike Sh. përmes telefonit e ka sharë, e ka kërcënuar dhe ka kërkuar takim që të takohen, por që vet s’kishte shkuar.

Ai tha se e kishte sharë me nënë e që pas kësaj ia kishte mbyllur telefonin.

Dëshmitari deklaroi se për tokën që e ka blerë Sh. ky ka pasur për ta mbikëqyrë, të cilit i kishte thënë se sa herë që del për mbikëqyrje do ta kesh 20 euro ditën.

Ai theksoi se një ditë para ngjarjes kritike, ky vet ia kishte kërkuar Sh. 20 euro, por që asnjëherë nga ai s’kishte marrë para.

Pasi që është vrarë tani i ndjeri Shaipi, dëshmitari tha se është takuar me Sylejmanin në shtëpinë e tyre dhe i ka treguar për vrasjen që ka bërë, e shtoi se pas shqetësimit që ai kishte, ka dashur të bëjë vetëvrasje e që edhe iu kishte treguar se si kishte ndodhur vrasja që kishte ardhur pas një fjalosje.

I njëjti tha se disa herë kanë tentuar që të kërkojnë falje te familja e Sh., kanë dërguar një hoxhë nga Mitrovica, mirëpo ata nuk kanë pranuar dhe janë përgjigjur me fjalët “për këtë punë mos hajdeni”.

Pas përfundimit të orarit të punës, kryetarja e trupi gjykues, Teuta Krusha seancën e sotme e përfundoi dhe e njëjta do të vazhdojë më 1 dhjetor 2021.

Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, ngarkon Sylejman Ahmetin se privoi nga jeta tani të ndjerin Sh.K, më 26 janar 2020 në kafenenë “Toni” në fshatin Maqitevë të Komunës së Suharekës, pronë e Liman Aliut.

Sipas aktakuzës, pas mosmarrëveshjes lidhur me një borxh prej 20 euro, që ia kishte tani i ndjeri Sh.K vëllait të tij, fillimisht i thotë: “a e di kë e keni sha ju, pa ta q* n**** nuk e la, në qoftë se je burrë qu dil jashtë”.

Tutje thuhet se pasi Limani e largon nga lokali tani të ndjerin, atëherë i akuzuari pasi është ulur dhe ka qëndruar një kohë të shkurtër në tavolinën tjetër brenda në lokal, derisa tani i ndjeri ishte jashtë duke kërkuar falje nga pronari i lokalit për gjestin e bërë, me shpejtësi ngrihet nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari shkon te kamioneta e tij e markës “VW”, e merr pushkën gjysmë automatike të tipit “AK-47”, kalibri 7.62 mm dhe në prezencë të dëshmitarit Liman Aliu, i cili përpiqet ta pengojë të akuzuarin, Agron Krasniqi dhe mysafirëve tjerë që kishin dalë jashtë lokalit, e në një distancë të shkurtë shkrep në drejtim të tani të ndjerit Sh.K, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe e godet fillimisht në fytyrë, duke e bërë të rrëzohet në tokë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa ishte i rrëzuar, i akuzuari e godet edhe disa herë duke i thënë: “qu t’i q**** shtatë mijë n***, Allahu ta marroftë xhenazen”, ku i shkakton tetë plagë në regjionin e kokës, kraharorit, abdomenit si dhe në krahun dhe kofshën e djathtë.

Aktakuza thotë se këto dëmtime kanë qenë të shoqëruara me thyerje në kokë, shtyllë kurrizore, brinjë, kockat e krahut dhe kofshës së djathtë, dëmtime të rënda të organeve vitale, trurit, mushkërisë së djathtë, mëlçisë, dhe veshkës së djathtë, të përcjella me gjakderdhje masive në kokë, kraharor dhe abdomen, të cilat edhe kanë qenë aty për aty vdekjeprurëse.

Me këto veprime, Sylejman Ahmeti akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 179, paragrafi 1, nën paragrafi 1.5 të Kodit Penal, është e dënueshme me dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë, në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar sikur në dispozitivin e parë, nga data e pavërtetuar, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm, i akuzuari ka poseduar armën gjysmë automatike të tipit “AK-47”.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal, dënohet me gjobë deri në shtatë mijë e pesëqind euro ose me burgim deri në pesë vjet. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat