Presidenti Baiden me Ollbrajtin rikthen frymën amerikane në mbrojtje të shqiptarëve!

Aktuale

Presidenti Baiden me Ollbrajtin rikthen frymën amerikane në mbrojtje të shqiptarëve!

Nga: Idriz Morina Më: 19 nëntor 2021 Në ora: 16:41
Presidenti Biden

Shqiptarët si asnjëherë tjetër kanë në krahët e tyre Amerikën. Madje një mik dhe mbështetës të tillë nuk e kishin në krye të SHBA-ve, as në ditët e përkrahjes së madhe për Kosovën, kur SHBA-ja së bashku me NATO-n i dhanë fund okupimit të Kosovës nga Serbia.

Kosova duhet ta shfrytëzojë Presidencën e Bajdenit

Sot, Amerika e ka në krye të saj njeriun i cili kërkonte nga Presidenca e SHBA-ve dhe bota, atë që nuk e kishin kërkuar as shqiptarët, okupimin e tërë Serbisë.

Sipas strategjisë së Bajdenit dhe Mekejnit, si dhe mbështetësve të tyre, ishte e pamjaftueshme, vetëm luftimi i Serbisë nga ajri. Ajo duhej ta përjetonte pushtimin nga toka, në mënyrë që të merrte fund mashtrimi dhe propaganda serbe, që hiqeshin si viktima, e ndërsa vetë ishin viktimizuesit kryesorë, dhe me këtë t’i ndryshohej karakteri Serbisë.

Presidenti Biden ka premtuar gjithashtu se do ta udhëheqin botën. Në këtë kontekst ai do ta shtyjë Amerikën që të udhëheqë diplomacinë edhe në Ballkan, dhe që ta mbajë sa më larg ndikimin rus.

Ndërkohë, Kosova ka edhe një mikeshë në detyra kyçe në SHBA. Ish-sekretarja e shtetit, zonja Medllin Ollbrajt është emëruar në krye të Bordit të Politikave të Mbrojtjes, ndërsa një vit më parë e largoi nga pozita e anëtares presidenti Tramp.

Zonja Ollbrajt ishte protaganiste në arritjen e marrëveshjes SHBA-BE për sulme ajrore ndaj Serbisë, që çoi në kolapsimin e forcave të kriminelit Millosheviç.

Diplomacisë së SHBA-ve i duhet një mjeshtre e madhe, që mund të ndihmojë në rrëzimin e ndikimit rus.

Presidenti Bajden menjëherë pas zgjedhjes së tij, por edhe në letrën dërguar presidentes Osmani, zotohej se SHBA-të do të përqendrohen në arritjen e njohjes reciproke në dialogun me Serbinë.

“ShBA-të do të vazhdojnë t`i mbështesin përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke”, thuhet në letrën e Biden dërguar Presidentes Osmani.

Këto mesazhe i ka dhënë edhe ambasadori i ri amerikan, Jefrrey Hovenier gjatë intervistimit nga Senati, para se ai të zyrtarizohej ambasador i vendit tonë.

“Që të citoj presidentin Biden, kjo duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë. Normalizimi është thelbësor për qëndrueshmërinë dhe sigurinë rajonale dhe do të hapë rrugën për integrimin e të dy vendeve në institucionet euro-atlantike dhe evropiane”, ka premtuar Jefrrey Hovenier.

Lidhja emocionale

Asnjë president amerikan nuk ka qenë dhe nuk është i lidhur emocionalisht me Kosovën, sikurse presidenti Biden. Biden për rreth 40 vite është mik i shqiptarëve, dhe në mënyrë konstante ka ndihmuar që çështja shqiptare të fitojë. Përveç, kësaj ai e ka deklaruar vet edhe një lidhje emocionale me Kosovën, djali i tij Beau, shërbeu në mision në Kosovë, me qëllim të arritjes së paqes dhe sigurisë. Biri i tij nuk jeton më, por shqiptarët kanë gjetur mënyrën për ta kujtuar duke ia vënë emrin një rruge në Kosovë.

Andaj fokusimi i shqiptarëve duhet të ndodhë, në mënyrë që ta shfrytëzojnë rastin, që çështjet e pazgjidhura t’i përmbyllin gjatë kësaj Presidence, ose që t’i fusin në procese dhe faza që më nuk mund të bllokohen as të kthehen mbrapshtë.

Edhe ambasadori i ri ka njohje të shkëlqyer të Kosovës, duke qenë pjesë e proceseve si në Rambuje dhe në Vjenë. Më e mira nga të gjitha këto është se ai ka premtuar se do të jetë i palëkundur në zgjidhjen e problemeve që ka Kosova, përveç me Serbinë edhe me mosnjohjen nga vendet e Bashkimit Europian.

Por, gjithashtu duhet ditur se ambasadori i ri amerikan do të kërkojë nga institucionet tona, që të arrijnë rezultate në luftimin e krimit dhe korrupsionit, në zhvillimin energjetikë etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat