Krasniqi uron Ditën e Alfabetit: Të shkruarit e shqipes themel i projektit për çlirim

Aktuale

Krasniqi uron Ditën e Alfabetit: Të shkruarit e shqipes themel i projektit për çlirim

Më: 22 nëntor 2021 Në ora: 11:52
Ilustrim

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka përkujtuar Ditën e Alfabetit duke thënë se vetëdija e bartur përmes të shkruarit të gjuhës shqipe ka qenë themel i projektit kombëtar për çlirim.

I pari i PDK-së në një postim në rrjetin social Facebook theksoi se duke shënuar 22 nëntorin, Ditën e Alfabetit, nderohen të gjithë ata intelektualë e atdhetarë që tejkaluan barrierat e kohës, duke u bërë bashkë në thirrjen kombëtare për të vënë në dritë të shkruarit e gjuhës shqipe.

Ai ka folur edhe për Kongresin e Manastirit, si një kthesë vendimtare e përcaktuese për të ardhmen e shqiptarëve në rangun e qytetërimit botëror.

“Përkundër të gjitha pengesave dhe rrethanave të kohës, ata u mbajtën të bashkuar për të vendosur një mjet vendimtar në çlirimin e vetëdijes kombëtare, e cila vetëdije do të kulmonte edhe me çlirimin politik të kombit tonë.

Gjuha shqipe na ka mbajtur të bashkuar për shekuj dhe vetëdija e bartur përmes të shkruarit të gjuhës shqipe ka qenë themel i projektit kombëtar për çlirim. Çlirimi i ndërgjegjes sonë politike me shkrimin, leximin dhe artikulimin e vetëdijes, ka qenë parakusht për çlirimin politik, i cili ndonëse padrejtësisht tepër vonë, në Kosovë ka ndodhur vetëm një herë dhe atë në qershor të vitit 1999, pas luftës së lavdishme e të drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe aleatëve tanë.

Urime Dita e Alfabetit”, ka thënë Krasniqi.

Alfabeti i gjuhës shqipe u unifikua 113 vjet më parë në Kongresin e Manastirit, i cili mbajti punimet mes 14-22 nëntorit të vitit 1908.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat