“Trego Znaçkë, çka të kërkoi UDB-ja në këmbim të lirimit nga burgu”, Dugolli i VV-së i reagon ashpër Milaim Zekës

Aktuale

“Trego Znaçkë, çka të kërkoi UDB-ja në këmbim të lirimit nga burgu”, Dugolli i VV-së i reagon ashpër Milaim Zekës

Nga: A.ZH Më: 22 nëntor 2021 Në ora: 23:39
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Enver Dugolli

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Enver Dugolli, i ka reaguar ish-deputetit Milaim Zeka, për deklaratën se “Dugolli të gjitha privilegjet i ka marrë nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli”.

Dugolli, përmes një postimi në Facebook, i ka quajtur shpifje komentet e Zekës, duke thënë se ai po dëshiron të njollos ish-shokët, përcjell Bota sot.

Sipas Dugollit, qëllimi i Zekës ishte të katapultohej në Vetëvendosje, por nuk ia doli.

Ish-zëvendësministri i Mbrojtjes ka shtruar disa pyetje për Zekën, duke kërkuar përgjigjje për to, pasi “njerëzit janë gjallë dhe mund të flasin”.

Reagimi i Dugollit në Facebook:

Të nderuar miq,

Kjo që po dua të them më këtë postim nuk është në natyrën time, mirëpo po më detyron ky far Milaim Zeka-Znaçka.

U bënë disa herë që ky merret me mua edhe pse unë e shpërfill, sepse nuk kam dashur të merrem me të. Nuk jam shumë i sigurt pse merret me mua, mirëpo për një gjë po. Ky soj njerëzish për të marr vëmendje, janë në gjendje të bëjnë gjithçka, e lëre më të shpifin e njollosin edhe për ish-shokët.

Unë për vete jam shumë i lumtur që kurrë në jetën time nuk e kam rrejt dhe tradhtuar askënd, e aq më pak shokët. Kurrë në jetën time nuk ju kam bërë dëshmitar askujt në proceset gjyqësore....

Përkundrazi, ndihem shumë mirë me të kaluarën time dhe nuk e zhbëj asnjë veprim timin. Gjithçka kam arrit në jetën time, së pari i falënderohem zotit që më ka udhëzuar në rrugën e drejtë, familjes dhe shumë shokëve të burgjeve dhe sakrificave, për të cilët ruaj kujtimet dhe respektin maksimal.

Edhe pse me Milaimin kemi qenë shokë në fillimet e veprimtarisë sime, të cilin e kam respektuar dhe ruajtur, madje pa e përmend askund në hetuesi, ky njeri kurrë, ama kurrë në jetën e tij nuk e vlerësoj këtë qëndresë time, përkundrazi, tani që nuk mundi të katapultohej edhe në LV, del dhe shpif për mua se gjoja unë paskam përfituar nga Thaçi apo Veseli kur asnjëri e as tjetri nuk kanë qenë prijës të drejtpërdrejt të FSK-së.

Fatbardhësisht, ka pas njerëz që kanë qenë në krye të këtij institucioni, të cilët m'i kanë ditë vlerat dhe nuk më kanë penguar në karrierën time ushtarake...

Dhe për fund, është mirë që Milaimi të na tregojë se si doli nga burgu? Çka i kërkuan UDB-ja në këmbim të lirimit nga burgu etj...? Pastaj për rolin e tij në mërgim edhe pse nuk di shumë, është mirë të tregojë, sepse njerëzit janë gjallë dhe mund të flasin...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat