Shuarja e misionit të UNMIK-ut do të ishte një nga ngjarjet e veçanta historike për Kosovën dhe tejet të rëndësishme.
Për fat të mirë, tani ka mundësi që kjo të ndodhë. Këtë po e kërkon Amerika. Por, nuk po e dëgjojmë ta kërkojë edhe opozita. Një opozitë mjaft agresive dhe që kërkon llogari gjithandej, por nuk po dihet pse po i ikin edhe disa çështje qenësore për vendin, dhe që opozita mund t’i bëjë, të paktën ta nxisë një reagim dhe një vullnet pozitiv.
UNMIK-u del sikur është i harruar. Nuk shihet thuaja asgjëkundi në Kosovë, por roli i tij faktik dhe determinues na shfaqet në veri, thuaja në çdo zhvillim. Është UNMIK-u, ai që ia jep kompetencat KFOR-it, për në veri veçanërisht, ndërsa vetë nuk e ka dhe nuk e kryen asnjë punë.
E pamë ngjarjen kur forcat tona u deshtë që të pranonin ndihmën e KFOR-it pas kërcënimit të hapur serb në vijën kufitare me Serbinë, në veri të vendit.
Fluturimet e avionëve Mig 29, ishin kulmi.
Por, nuk e kemi parë komunikimin e padukshëm, linjat zyrtare të komunikimit të KFOR-it me UNMIK-un.
KFOR-i dhe UNMIK-u veprojnë sipas Rezolutës 1244, kështu që ambiguiteti i pushtetit në Kosovë vazhdon në raste dhe vende të caktuara. Kjo dikotomi, duhet të marrë fund.
Edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari të hënën deklaroi se Kosova është duke u penguar nga UNMIK-u në organizatën e CEFTA-s, duke e cilësuar të papranueshme që ende vendi në CEFTA prezantohet nga UNMIK-u.
Përfaqësuesi amerikan Jeffrey DeLaurentis në takimin e tetorit të Këshillit të Sigurimit ku debatohej për Kosovën, kërkoi që misioni i OKB-së, i cili nuk është duke e luajtur asnjë rol në zgjidhjen e çështjeve, si ajo për targat në veri, UNMIK-u duhet të përfundojë misionin e vet në Kosovë.
“UNMIK-u e ka plotësuar mandatin e tij dhe duhet ta kuptojmë këtë realitet e të shkojmë drejt mbylljes së tij. OKB-ja ende mund të luaj rol të rëndësishëm në implementimin e demokracisë në rajon por kjo nuk kërkon mision paqeruajtës në rajon. SHBA kërkon që Këshilli ta mbyllë misionin në mënyrë që të kemi prani tjetër në mënyrë që Kosova të realizojë potencialin e saj të plotë”, tha përfaqësuesi i SHBA’ve.
Menjëherë të nesërmen ka reaguar edhe Ambasada amerikane në Prishtinë duke e përsëritur thirrjen për mbylljen e misionit të UNMIK-ut në Kosovë, ndërsa ka cituar atë që kishte thënë përfaqësuesi i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
“Ngjarjet e fundit përsëri demonstruan se UNMIK-u e ka përmbushur qëllimin e tij siç është përcaktuar në mandatin fillestar. Ne duhet ta pranojmë këtë realitet dhe të shkojmë drejt mbylljes së tij”, thuhej në deklarimin e ambasadës amerikane në Tëitter.
Kërkesa për shuarjen e misionit të UNMIK-ut, zyrtarisht për herë të parë u kërkuar nga SHBA-të në vitin 2018.
Ishte ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, e cila me anë të një letre i kërkoi Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së që t’ia ndërpresë mandatin UNMIK-ut në Kosovë.
Është koha që në çështje të tilla të ndihmojnë të gjitha subjektet dhe që të arrihet sa më shpejt mbyllja e këtij misioni, tashmë të dëmshëm për Kosovën.
Kundër shuarjes së misionit janë vetëm Serbia, Rusia dhe Kina. Ky mision është kthyer në pengesë për qetësimin e veriut, zbatimin e rendi, ligjit, dhe më e rëndësishmja të kushtetutshmërisë atje.