Kosova nuk aplikoi për anëtarësim në Interpol, Vulin i jep meritat Vuçiqit

Aktuale

Kosova nuk aplikoi për anëtarësim në Interpol, Vulin i jep meritat Vuçiqit

Më: 23 nëntor 2021 Në ora: 15:53
Pamje nga takimi

Ashtu siç pati deklaruar ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla në një intervistë për media, Kosova nuk aplikoi as këtë vit për anëtarësim në organizatën ndërkombëtare të sigurisë Interpol. Kjo pasi siç ka thënë Sveçla, po punohet që vitin e ardhshëm anëtarësimi të jetë i sigurt.

Por ishte ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandër Vulin, që tha se ishte Serbia që i pamundësoi Kosovës anëtarësim për herë të tretë në Interpol.

Vulin në seancën e sotme të 89-të me radhë të Asamblesë së Përgjithshme të Interpol-it në Stamboll theksoi se Kosova nuk u anëtarësua në këtë organizatë të sigurisë falë meritave të presidentit të serb, Aleksandër Vuqiç.

Vulin, i cili udhëhoqi delegacionin serb në këtë seancë raportohet të ketë thënë se në kuadër të fushatës kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, kanë arritur të përçojnë në shumë shtete informacionet se pse Kosova nuk duhet të jetë anëtare e Interpol-it.

Ai ka thënë se me Marrëveshjen e Uashingtonit, Vuqiç arriti që t’i pamundësojë Kosovës lobimin për anëtarësim në Interpol.

“Rendi i ditës është miratuar dhe shteti i rremë i Kosovës nuk ka aplikuar për anëtarësim në Interpol në seancën e këtij viti të Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit në Stamboll. Ky është rezultat i punës sonë këmbëngulëse të vitit të kaluar, ku ne së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë kemi arritur që dhjetëra shtete t’i informojmë me gjendjen reale në Kosovë. Dua të falënderoj presidentin Aleksandar Vuçiq, i cili bëri shumë që Prishtina të mos bëhet anëtare e Interpolit për herë të tretë”, ka thënë Vulin, raporton rts.rs.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat