Shënohet dita e Forcës, Kurti ushtarëve të FSK-së: Ju jeni vazhdimësi e UÇK-së

Aktuale

Shënohet dita e Forcës, Kurti ushtarëve të FSK-së: Ju jeni vazhdimësi e UÇK-së

Më: 27 nëntor 2021 Në ora: 08:17
Shënohet dita e Forcës

(E plotësuar 11:26) - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në shënimin e Ditës së Forcës, e cila po mbahet në kazermën Adem Jashari në Prishtinë.

Ai fjalimin e tij për nder të kësaj dite nisi duke falënderuar përkushtimin e ushtarëve të Kosovës dhe duke i lartësuar misionet në të cilat Forca e Sigurisë së Kosovës, ka marrë pjesë.

Kurti tha se FSK-ja ka dëshmuar se është e aftë të përballoj misionet jashtë vendit dhe të mbrojë vendin e saj, duke shtuar se kjo ushtri është vazhdimësi e UÇK-së.

Image

“Ju jeni ushtarët e një populli historik dhe madhështia e një populli matet me kombin. Ju jeni vazhdimësi e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për të qenë shtet modern dhe i virtytshëm ai duhet të shoh tërain e ushtarit të vet pasi qe ushtria mbron çdo pikë në jetën tonë. E këtë ju e keni dëshmuar duke marr pjesë në misionet si në shtetet fqinje por edhe jashtë vendit".

Kurti tha se sot Kosova ka arsye të festojë, pasi FSK ka dëshmuar se është e aftë të marrë pjesë në misione të mëdha .
Qeveria e Kosovës sipas tij,

“Në jetën e ushtarit është historia e familjes e fisit, secili prej jush afër ose larg e ka një dëshmor në fis. Ushtria jonë është erë po faktet e betejës mbulojnë atë. Sot kemi shumë arsye për të festuar, pasi që Forca e Kosovës ka dëshmuar qe është e aftë të marr pjesë në misione të mëdha, siç është “Defender 2021”. Kosova sot i ka dalë në krah NATO-së, sepse kështu e shohim bashkëpunimin me shtete. Ne si Qeveri kemi menduar domosdoshmërinë e buxhetit, pasi që ne e duam ushtrinë tonë të specializuar. Në edukimin ushtarak i riu dhe qytetari ndeshin virtytin”, tha Kurti.

Tutje Kurti vendosi në pah edhe njëherë veçantit e muajit nëntor.

“Në këtë nëntor e kujtojmë sakrificën e gjeneratave që ne sot e gëzojmë lirinë. Nëntori na e rikujton se sa e shtrenjtë është liria. Ushtria është detyra dhe projekti jonë madhorë pasi që ushtria është prioritet”, përfundoi kryeministri Kurti.

Ndryshe, Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e Ditës së Forcës sot duke filluar nga ora 11:00 deri në ora 14:00 organizon “Ditën e Hapur”.
Manifestimi qendror do të jetë në Kazermën “Adem Jashari” në ora 10:00, ku do të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetërorë. Në të njëjtën ditë, në të gjitha kazermat e FSK-së si në: Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozotin, para qytetarëve të pranishëm do të ekspozohen dhe demonstrohen aftësitë dhe kapacitetet ushtarake e FSK-së të shoqëruara edhe me aktivitete tjera.

Shënohet dita e Forcës, ushtarakët e dalluar dekorohen me medalje presidenciale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nderuar ushtarakët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në shënimin e Ditës së Forcës.

Para trupave ajo ka thënë se ushtria e Kosovës po shndërrohet në ushtri moderne, duke shtuar më tej se e ka vendin në NATO. Osmani ka ndarë medalje presidenciale për ushtarakët e dalluar.

Image

“Si partner i besueshëm i ushtrisë më të fuqishme në botë, asaj të Amerikës, dhe partnerëve të tjera brenda NATO-s. Muaj më parë pjesëtarë të FSK për herë të parë zbarkuan në një mision paqeruajtës ndërkombëtar në Kuvajt. Ky ishte hapi i parë por tepër i rëndësishëm për të parë të realizuar ëndrrën tonë për të qenë garantues të paqes ndërkombëtare”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani, tha se furnizimi me pajisje ushtarake, të dhuruara dhe të blera së fundmi, janë dëshmi se Kosova po i ndërton kapacitetet e nevojshme për vendin.

“Në kohën që ne po e zhvillonim ushtrinë me forcat e NATO-s, fqinji ynë verior ishte si kërcënues i vazhdueshëm i paqes në rajon, po zhvillonte manovra me kërcënuesin tjetër global, Rusinë. Ushtria e Kosovës ka themele të fuqishme ngase është ngritur e strukturuar mbi sakrificën e brezave të tërë të sublimuar në sakrificën sublime të komandant Adem Jasharit dhe familjes Jashari në luftën e UCK-së. Anëtarësimi në NATO është objektiv strategjik i Kosovës për të cilin do të angazhohemi vazhdimisht. Për këtë qëllim po e rrisim përkrahjen tonë për ushtrinë që të sigurohemi që forcat tona të armatosura të integrohen sa më parë në strukturat e NATO-s”, përfundoi presidentja.

Medalje presidenciale të meritave u janë ndarë: Nëntoger Arilena Shala, rreshter Fazli Kashtanjeva, kapiten Fitim Kadrijaj, rreshter Hysen Fetahu, nëntoger Ilirjanë Bunjaku, tetar Sokol Ahmeti.

Nis ceremonia e shënimit të Ditës së Forcës

Në Kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës “Adem Jashari” në Prishtinë ka nisur ceremonia e shënimit të Ditës së Forcës.

Për shënimin e kësaj dite në këtë kazermë ka ardhur edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, komandanti i Forcës gjenerallejtnant Rrahman Rama, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, deputetë, ministra si dhe figura tjera të larta nga jeta politike e ish-udhëheqës të FSK-së. Po ashtu u lëshuar edhe himni kombëtar.

Shënohet dita e Forcës

​Forca e Sigurisë së Kosovës me rastin e Ditës së Forcës, duke filluar nga ora 11:00 deri në ora 14:00 organizon “Ditën e hapur’’.

Manifestimi qendror do të jetë në Kazermën “Adem Jashari” në ora 10:00, ku do të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetërorë.

Në të njëjtën ditë, në të gjitha kazermat e FSK-së si në Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozotin, para qytetarëve të pranishëm do të ekspozohen dhe demonstrohen aftësitë dhe kapacitetet ushtarake e FSK-së të shoqëruara edhe me aktivitete tjera.

“Dita e Forcës na ofron mundësinë të falënderojmë dhe shprehim mirënjohjen më të lartë për qytetarët, të cilët janë mbështetësit tanë më të fuqishëm. Forca e Sigurisë së Kosovës-forcë profesionale dhe multietnike, në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat