Ambasadat në Kosovë paralajmërojnë stafin për rrezik për sulm terrorist

Aktuale

Ambasadat në Kosovë paralajmërojnë stafin për rrezik për sulm terrorist

Më: 27 nëntor 2021 Në ora: 20:54
Pamje nga Prishtina, foto ilustrim

Disa ambasada të huaja në Kosovë u kanë dërguar një e-mail të brendshëm stafit të tyre, që të evitojnë turmat dhe qendrat e mëdha tregtare nëpër qytetet e Kosovës, pasi ka rrezik për një sulm.

Në këtë e-mail që e ka parë AP, thuhet se bëhet fjalë për “një sulmues të vetëm”.

Koha e mundshme për sulmin eventual është përcaktuar fundi i këtij muaji, saktësisht 30 nëntori.

Në këtë e-mail gjithashtu thuhet se policia lokale është duke monitoruar të dyshuarin.

Për të qenë të sigurt, të gjithë anëtarët e stafit janë këshilluar të mos vizitojnë zonat e mëdha tregtare, veçanërisht qendrat tregtare.

Burime brenda policisë gjithashtu kanë konfirmuar se u është kërkuar një shtim i forcave rreth këtyre qendrave, ku eventualisht është planifikuar sulm, porse një operacion operativ i organizuar nuk është dhënë.

Policët më të shumtë në numër aktualisht po bëjnë monitorime dhe vëzhgime për të siguruar perimetrin përreth këtyre qendrave.

Sulmi, siç mësohet është kategorizuar si “sulm i mundshëm terrorist”.

Zyrtarisht megjithatë, Policia e Kosovës asgjë nuk ka konfirmuar.

I kontaktuar, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka deklaruar se për informacione të tilla duhet të kontaktohet zyra qendrore, mirëpo zëdhënësi i përgjithshëm i Policisë, Baki Kelani, nuk u është përgjigjur thirrjeve të mediumit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat