Për Blerim Latifin, intelektualët e pa ‘çliruar’ të PDK-së dhe goditjet ndaj Rugovës!

Aktuale

Për Blerim Latifin, intelektualët e pa ‘çliruar’ të PDK-së dhe goditjet ndaj Rugovës!

Nga: Idriz Morina Më: 2 dhjetor 2021 Në ora: 16:11
Blerim Latifi me ish shefin e tij Kadri Veselin

Presidenti Ibrahim Rugova, si një nga figurat më të rralla në historinë shqiptare, siç vlerësoj unë nga Skënderbeu e deri më sot, është i vetmi që i afrohet Gjergjit.

Duke qenë i tillë ai ka sjellë dhe do të sjellë debate nga më të ndryshmet. Ai vazhdon të mos studiohet në përmasat që ka, si politikan, nga studiues të politikës dhe diplomacisë, por as të filozofisë e të tjerë. Disa libra janë bërë kryesisht nga studiuesit e letërsisë, por si kontribut edhe për figurën dhe filozofinë politike, dhe rëndësinë nacionale që ka. Kjo është bërë kryesisht nga studiues që shihen si pjesëtar apo trashëgues të “Qarku letrar i Prishtinës”, i emëruar nga studiuesi Sabri Hamiti.

Qëllimi i shënimit këtu nuk është përvijimi as portretimi i figurës së Rugovës, por ka të bëjë në lidhje me informacionet dhe atribuimet e gabuara ndaj tij, këto më aktualet.

Kështu studiuesi filozofisë, Dr.Blerim Latifi në një postim në Fb, që është botuar edhe në media, e vlerëson gabimisht Rugovën, duke e vlerësuar se nuk arriti ta realizojë misionin deri në fund, sikurse Pjetër Bogdani.

Rugova përtej Bogdanit

Para se të arrini në konkludimin se Rugova nuk e çoi deri në fund ‘misionin e idolit të tij, Pjetër Bogdanit’, Latifi dhe militanët e meditantët e PDK-së, duhet të flasin për rolin pengues ndaj presidentit Rugova, të ish shefave të tyre.

Blerimi kur flet si intelektualë e studiues duhet të jetë i çliruar nga ajo se çfarë mund të mendojnë ish shefat e tij, edhe tani kur ata mund t’i lexojnë shkrimet dhe shënimet e tij.

Blerimi e di, se nuk mund të arrish tek tezat që i pretendoni nëse nuk liroheni nga paragjykimet, por edhe nga ‘zhurmat’ tjera në komunikim.

Gabimi, qendror që Latifi e bën në atribuimin e tij, është se Rugova ‘nuk e ndoqi misionin deri në fund’, që sipas tij, e kishte në arritjen e identifikimit të plotë me Bogdanin.

Pjetër Bogdani udhëhoqi mijëra trupa shqiptare kundër perandorisë osmane, në një aleancë me perandorinë austriake. Por, pa sukses!

Pra, Latifi i ngatërron misionet, identifikimet, dhe rezultatet (sukseset). Rugova nuk dështoi, ia doli suksesshëm që Kosovën ta nxjerrë nga okupimi, dhe ta udhëheqë drejt lirisë. E arriti pikërisht atë që Bogdani kishte dështuar ta bënte.

Pra, Rugova nuk e kishte të qartë vetëm dështimin e Bogdanit me luftë, por e kishte parasysh edhe humbjet që pësoi shoqëria shqiptare, pas vdekjes së Skënderbeut, pasi perandoria osmane i ndëshkoi tmerrshëm shqiptarët për humbjet e shkaktuara, dhe eksodin e popullatës dhe të elitës së kohës, që ndodhi më pas.

Rugova po e korrigjonte në aspektin strategjik arritjen e lirisë, modelin e Skënderbeut

Rugova thellë në vetvete, siç e kam vlerësuar edhe në përpjekjet e mia për portretizimin e Rugovës, ai po e korrigjonte në aspektin strategjik arritjen e lirisë, modelin e Skënderbeut.

Po ashtu ju gaboni rëndë z.Latifi dhe të tjerët, sepse ju nuk keni arritur, askush prej jush, dhe askush ndoshta nuk do të arrijë kurrë ta vërtetojë, se Rugova hoqi dorë nga bërja e luftës.

Pa hyrë në çështjen e krijimit të grupeve të para, të stërvitura për luftë në Shqipëri, pa ua rikujtuar se çfarë ndodhi me organizimin e brendshëm për luftë dhe dekonspirimin e tyre, ju nuk mund ta mohoni, se ministri i luftës, koloneli Ahmet Krasniqi, deklaronte hapur se komandant suprem e ka presidentin Rugova, dhe ashtu deklaronin edhe komandantët e brigadave të tjera, të krijuara nga Ministria e Mbrojtjes!

Pa e analizuar në detaje gjithë shkrimin e tij, vetëm shprehjet si kjo: “Ndoshta pse besonte në mrekullinë e pacifizmit”, e shpreh qartë se Blerimi dhe të tjerët në PDK nuk mund të flasin çiltërsisht dhe të çliruar nga paragjykimet e mbjellura, deri tek sharjet, fyerjet, linçimet, dhe porositë për ta likuiduar, që i jepte klani rreth Hashim Thaçit.

Rugova ishte intelektualë i shkëlqyeshëm, me formim të jashtëzakonshëm, dhe njohje të shkencave nga më të ndryshme, që e ndihmuan të krijonte një filozofi politike, që se kishin pasur kurrë shqiptarët! Prandaj, përpjekja për ta ulur në të menduarit racional dhe shkencor të Rugovës se ai besonte ‘në mrekulli’, është naive dhe aspak intelektuale. Pacifizmi ishte strategji, nuk ishte besim në mrekulli, siç thotë Latifi, dhe as si thoshin injorantët e tjerë, “Rugova po qet fall”!

Kjo dëshmon se jo që nuk janë çliruar partitë politike ‘të dala nga lufta’, por ende i qëndrojnë robnisht atmosferës partiake, intelektualët e saj, të cilët ende shumë prej tyre nuk kanë arritur as tek ‘liria’ e Blerim Latifit, që të flasë sado pak pozitivisht dhe pa sulme ndaj Rugovës!

Nëse Blerim Latifi dhe të tjerët mendojnë se Rugova nuk e ka përmbushur misionin, duhet ta mendojnë më mirë, nëse misionarët duhet të përfundojnë vërtetë në burg, apo heronjtë për t’u bërë misionar!?

Pasaktësi

Pra, përveç se nga pasaktësia e të dhënave për Rugovën edhe pse shënimi i tij nuk është një shënim që ia vlen për të diskutuar, megjithëse i çliruar nga shabllonet dhe vlerësimet përçmuese e denigruese, që thuajse kolektivisht vinin për gjithë këto vite nga PDK-ja, shkrimi ka gabime themelore në informacion.

Sipas Latifit, presidenti Rugova ka doktoruar në veprën e Bogdanit “Çeta e profetëve”. Ky nuk është thjesht një gabim në atribuim, por shprehje e mosnjohjes së Rugovës. Rugova e ka studiuar Bogdanin, dhe këtë e ka bërë në një mënyrë origjinale, krahasuar me studimet dhe studiuesit tjerë, në aspektin metodologjik. Disa nga studiuesit mendojnë se ajo është kryevepra e tij, (Hamiti, Shala etj.). Libri monografik quhet, “Vepra e Pjetër Bogdanit 1675-1685”, Prishtinë, 1982;

Por, Rugova ka doktoruar në vitin 1984, me tezën, “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare”, 1504–1983, të cilën tezë e ka botuar me të njëjtin emër, si libër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat