Vëllai i Hashim Thaçit merr pjesë në seancën e betimit të Ramiz Lladrovcit

Aktuale

Vëllai i Hashim Thaçit merr pjesë në seancën e betimit të Ramiz Lladrovcit

Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 18:27
Pamje nga seanca e betimit të Ramiz Lladrovcit

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci është betuar sot në seancën solemne në Asamblenë Komunale.

I pranishëm në këtë seancë ishte edhe vëllai i ish-presidentit Hashim Thaçi, Blerimi.

Lladrovci në fjalimin e betimit ka premtuar se do të bëjë më të mirën e mundshme për qytetarët e Drenasit.

Fjalimi i plotë i Ramiz Lladrovcit:

Të dashur asamblistë, Familjarë të dëshmorëve dhe martirëve të UÇK-së, Përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Përfaqësues të bashkësive fetare, z. Bequku dhe z. Sopi, E nderuara komandante, znj. Bajrami,I nderuari z. Kuçi, z. Xhelili, z.Tahiri, z. Syla.

Shumë i dashur Blerim, vëlla i Presidentit Thaçi që padrejtësisht gjendet në Hagë, Zonja e zotërinj, Qytetarë të Drenasit,

Të nderuar të pranishëm,
Pata nderin që sot para jush, të jap betimin për mandatin e tretë, në krye të komunës së Drenasit.Ky betim për mua paraqet detyrim edhe obligim ligjor e moral që së bashku me juve, të bëjmë më të mirën e mundshme për qytetarët e komunës së Drenasit.Sot, fillon një kapitull i ri, për mua dhe për Juve, sepse, shumica nga ju jeni për herë të parë në Asamblenë komunale, prandaj, nga ky moment, ua ofroj bashkëpunimin e plotë, të gjithëve pa dallim, pozitë e opozitë, pa dallim partie apo grupi kuvendor.Ju uroj të gjithëve sukses e punë të mbarë, në përmbushjen e pritshmërisë së qytetarëve tanë.

Dua t’ju njoftoj se puna jonë në Asamblenë e kaluar ka qenë shembullore në nivel vendi, sepse, vërtetë jemi përpjekur dhe kemi punuar së bashku për interesin qytetar pa dallim se për kë kanë votuar apo çfarë bindjesh politike kanë pasur. Në veçanti dua ta theksoj bashkëpunimin në Asamble, gjatë kohës së pandemisë.Uroj të kemi bashkëpunim, harmonizim dhe mirëkuptim, me qëllimin e vetëm, promovimin dhe realizimin e interesit qytetar, për të cilin jemi këtu dhe kemi marrë mbështetjen e tyre.Ju uroj punë të mbarë, suksese të përbashkëta dhe përkushtim maksimal në zbatim të ligjit, realizimin e pritshmërisë së qytetarëve, me transparencë dhe llogaridhënie.Na priftë e mbara, suksese!

Faleminderit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat