Aliu betohet si kryetar i Shtimes: Sot fillon jetësimi i një shprese të re për të gjithë qytetarët

Aktuale

Aliu betohet si kryetar i Shtimes: Sot fillon jetësimi i një shprese të re për të gjithë qytetarët

Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 12:57
Qemajl Aliu

Kuvendi Komunal i Shtimes ka mbajtur seancën inauguruese, ku u betuan kryetari i zgjedhur, Qemajl Aliu dhe asamblistët e rinj të kësaj komune. Me 11 vota për gjatë kësaj seanca inauguruese është zgjedhur edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal të Shtimes, Adnan Ademaj.

Në ceremoninë solemne, kryetari Aliu u betua se si udhëheqës i komunës së Shtimes do t’i kryej me nder dhe përgjegjësi detyrat e tij ndaj qytetarëve të kësaj komune pa dallime partiake.

Aliu tha se nga sot për qytetarët e Shtimes fillon një shpresë e re dhe ndryshim i shumë pritur.

Aliu: Sot fillon jetësimi i një shprese të re për të gjithë qytetarët

“Nga sot fillon jetësimi i një shprese të re për te gjithë qytetarët pa dallim të bindjeve të tyre politike. Do t’i kryej me nder dhe përgjegjësi detyrat e mija për të gjithë qytetarët e komunës së Shtimes të cilët nëpërmjet një procesi zgjedhor demokratik më besuan votën e tyre për tu shërbyer të gjithëve. Është vullneti juaj që sot ndodhem para jush me dëshirën dhe vullnetin për të sjell ndryshimin e shumëpritur në qytetin tonë të dashur”, tha ai.

Aliu tutje tha se gjatë qeverisjes së tij do të sigurojë perspektivë, shërbime cilësore dhe prosperitet ekonomik.

Aliu: Meritokracia, transparenca, llogaridhënia do të jenë themeli i qeverisjes tonë

“Dua t’iu siguroj edhe njëherë se për komunën e Shtimes po fillon kapitull i vullnetit dhe shpresës për të gjithë qytetarët, për fëmijët dhe pleqtë, gratë, burrat dhe rininë tonë të jashtëzakonshme dhe energjike dhe qytetarët me nevoja të veçanta. Zbatimi i planit tim qeverisës do të fillojë nga dita e sotme duke vlerësuar çdo punë dhe nismë të mirë që është bërë por mbi të gjitha duke sjell frymën e pritjes tuaj të ndryshimit. Iu siguroj se Shtimja do të jetë një vend më i mirë për të punuar, më cilësor për tu arsimuar, më i shëndetshëm për të jetuar, më kreativ për të krijuar dhe më novator për tu ndërtuar. Meritokracia, transparenca, llogaridhënia do jenë themelet për funksionimin e qeverisjes sonë”, u shpreh Aliu.

Kryesuesi i sapo zgjedhur i Kuvendit Komunal të komunës së Shtimes, Adnan Ademaj u zotua se detyrën e tij do e kryej me përgjegjësi dhe paanësi.

Ademaj: Iu siguroj për punë të përgjegjshme

“Iu siguroj për punë të përgjegjshme paanësi zbatim të rregullave dhe angazhim në përmbushjen e detyrave. Ne synojmë ndryshimin dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Jemi për të përmbushur kërkesat e nevojat e tyre për te biseduar rreth planeve dhe strategjive për punët qe duhet kryer gjithmonë duke i shërbyer qytetarit shtimjan”, tha ai.

Nga asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës për kryesues u propozua Përparim Ramusa por nuk mori vota të mjaftueshme. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat