​Hyseni: Rotacioni ishte i pashmangshëm për të sjellë frymën e re për banorët e Gjilanit

Aktuale

​Hyseni: Rotacioni ishte i pashmangshëm për të sjellë frymën e re për banorët e Gjilanit

Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 11:08
Alban Hyseni

Alban Hyseni është betuar sot si kryetar i Komunës së Gjilanit, nga ku tha se për katër vitet e ardhshme do t’i kryejë detyrat me nder, besnikëri e në mënyrë të paanshme për gjithë gjilanasit pa dallime partie.

Hyseni në fjalën e tij të parë para asamblistëve të rinj u shpreh se ishte i pashmangshëm rotacioni për të sjellë frymë të re për banorët e Gjilanit. 

I pari i Gjilanit u zotua se do të jetë zëri nëpërmjet të cilit do të diskutohen e zgjidhen të gjitha problemet. 

Hyseni: Rotacioni ishte i pashmangshëm për të sjellë frymën e re për banorët e Gjilanit 

“Rotacioni ishte i pashmangshëm për të sjellë frymën e re që banorët e Gjilanit po e prisni e që reflektuan me votë, fillimisht me 17 tetor e pastaj definitivisht me 14 nëntor. Banorë të Gjilanit faleminderit për besimin tuaj që tashmë po e përkthejmë në bashkëqeverisje e gjithëpërfshirëse për të gjitha moshat, shtresat, lagjet e fshatrat. Do të jem zëri nëpërmjet të cilit do të diskutohen e zgjidhen gjitha problemet të qytetit dhe fshatit, do të jem zëri që do të pasqyrojë barazinë në trajtimin e të gjithëve dhe tejkalimin e shqetësimeve tuaja që kanë të bëjnë në komunën tonë. Qasja jonë do të jetë e njëjtë dhe e përbashkët për të gjithë, përkrahës a po jo, mbështetës apo jo në zgjedhjet sapo kaluan. Kërkoj nga ju vetëm durim e bashkëpunim që të bëhemi të gjithë faktorë të ndryshimit të komunës sonë e të kontribuojmë secili në zhvillimin e Gjilanit tonë”, tha Hyseni pas betimit si kryetar i Komunës së Gjilanit. 

Hyseni kërkoi nga asamblistët e rinj të Kuvendit Komunal të Gjilanit që të kenë përgjegjësinë dhe detyrimin e përfaqësimit të drejtë dhe të denjë të çdo qytetari pa dallime partiake. Ai ka theksuar se zinxhiri zhvillimor, funksionalizimi lokal e kultura e transparencës do të jenë togfjalët që do ta karakterizojnë qeverisjen e tyre. 

Hyseni: Puna jonë është e përbashkët dhe jo e interesave personale

“Keni përgjegjësinë dhe detyrimin e përfaqësimit të drejtë e të denjë të çdo qytetari pa dallime partiake a pa anësi. Për çdo proces që do të ndërmarrim do të jetë i bashkimit e jo i ndarjes mes nesh. Këtu puna jonë është e përbashkët dhe nuk është e interesave personale. Këtu puna jonë është e ndershmërisë nuk është e përfitimit vetjak, këtu puna jonë është profesionalizmit dhe e arritjes së vetëm një qëllimi, mirëqenies e zhvillimit për banorët e Gjilanit[...]Zinxhiri zhvillimor, funksionalizimi lokal e kultura e transparencës do të jenë togfjalëshi që do të karakterizojnë qeverisjen tonë".

Në mbledhjen inauguruese të Kuvendit të ri Komunal të Gjilanit, ishte edhe Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili poashtu u zotua se do të kenë bashkëpunim me këtë komunë sikurse edhe me komunat e tjera. 

Krasniqi: Zotohem se do të kem bashkëpunim me ju dhe me komunat tjera 

“Si ministër i Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal zotohem për bashkëpunim me komunën tuaj ashtu sikurse me komunat e tjera të Republikës së Kosovës. Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal është ministri e linjës me të cilat ju do të bashkëpunoni, aktet e komunës do të vijnë tek ne për verifikim dhe zotohem që do të jem profesional si ministër dhe Ministri dhe të bashkëpunojmë në mënyrë që qytetarët e Gjilanit dhe komunave tjera të kenë shërbime të mira”, tha Krasniqi. 

Hyseni në raundin e dytë të zgjedhjeve të mbajtura më 14 nëntor, mposhti kundërkandidatin e tij nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lutfi Hazirin. 

Në raundin e dytë të zgjedhjeve, Hyseni mori besimin e 21 mijë e 800 qytetarëve gjilanas apo 51,10% të votave. 

Kurse kundërkandidati i tij, Haziri mori 20 mijë e 865 vota apo 48.90%.

Kujtojmë që Hyseni e Haziri ishin në garë të ngushtë në raundin e parë të zgjedhjeve.

Megjithatë, Hyseni edhe në raundin e parë, pra më 17 tetor kishte më së shumti vota. Ai arriti të fitojë besimin e 19 mijë e 57 qytetarëve, ndërsa Haziri kishte marrë besimin e 18 mijë e 546 qytetarëve. 

E ditë më parë Hyseni dha dorëheqje nga posti i deputetit të Kuvendit të Kosovës.

“Sot firmosa dokumentin e dorëheqjes nga pozita e deputetit. Ju faleminderit të gjithë kolegëve pa dallime partiake, për bashkëpunimin gjatë kësaj periudhe. Tani na presin detyra të reja dhe hapjen e një kapitulli të ri për Komunën e Gjilanit”, shkroi Hyseni në “facebook”. 

Haziri u pasua nga kandidatja për kryetare të Gjilanit, nga radhët e Partisë Demokratike, Leonora Bunjaku, që mori 3 mijë e 518 vota. 

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nazim Gagica arriti të sigurojë 1 mijë e 42 vota.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat