Vrasja e “Drinit” është konfirmuar, do të zbardhet nga gjykata speciale në Hagë! – Kush po rri në ankth!?

Aktuale

Vrasja e “Drinit” është konfirmuar, do të zbardhet nga gjykata speciale në Hagë! – Kush po rri në ankth!?

Nga: Idriz Morina Më: 16 dhjetor 2021 Në ora: 15:12
Komandant "Drini" i vrarë pas luftës, gjatë një takimi të rastit me ushtarët gjerman të KFOR-it

Ishte viti 2001, kur gjykatat dhe i gjithë sistemi administroheshin nga UNMIK-u, dhe kishte filluar një proces për zbardhjen e vrasjes së komandant “Drinit”. Ndoshta familja kishte filluar ta ndjenjte këtë si satisfaksion. Por, dikush do të kujdesej t’ia turbullonte këtë pak dritëz për qetësi në jetë.

Një vizitë e pakëndshme i ishte bërë familjes së ushtarakut të vrarë komandant “Drinit” nga ish komandanti Sami Lushtaku.

Familja e “Drinit” e ka shkëputur ditë më parë me 21 nëntor, këtë tablo të ngjarjes- takimit me Lushtakun, nga një rrëfim i bërë në media pak më shumë se 20 vite më parë.

Por, Lushtaku kishte marrë një përgjigje shumë më burrërore prej zonjës Rexha, se sa që mund ta priste, mbase nga çdo burrë tjetër. Ajo i kishte thënë shkurt e shqip, se edhe sikur të ishte djali i saj, vrasës, do ta kërkonte dënimin, jo më për Sali Veselin apo për këdoqoftë.

“Bashkëshortja e Ekrem Rexhës, zonja Hajrie, thotë se dy apo tri ditë pas përvjetorit të vrasjes së Ekremit, pas publikimit të lajmit për arrestimin e S. Veselit dhe dy të tjerëve, në shtëpinë tonë ka ardhur ish-komandanti i Zonës së Dytë të TMK-së zoti Sami Lushtaku, i cili na tha se nuk duhet besuar KFOR-it dhe policisë së UNMIK-ut se në vrasjen e Ekrem Rexhës – komandant “Drinit” ka dorë S. Veseli. Unë ju garantoj se S. Veseli nuk është i implikuar në vrasjen e “Drinit”. Ne TMK-ja, do të ndriçojmë vrasjen e “Drinit” dhe do t’i gjejmë vrasësit.

Sami Lushtakut iu përgjigja se “ju mund të garantoni vetëm për vetën tuaj e jo për të tjerët. Ne si familje nuk akuzojmë askënd e as S. Veselin, por edhe nuk mund të arsyetojmë askënd e as S. Veselin, por edhe nuk mund ta arsyetojmë askënd. Edhe djali im sikur të jetë doras unë e dënoj. Për të mbetur e pastër kjo punë, TMK-ja dhe institucionet tjera duhet të angazhohen dhe ta gjejnë vrasësin #Gazeta22 gusht 2001”.

Premtim i pambajtur

Por, premtimi i Sami Lushtakut, “Ne TMK-ja, do të ndriçojmë vrasjen e “Drinit” dhe do t’i gjejmë vrasësit”, doli një premtim i pambajtur.

As vrasësit nuk u gjetën dhe as porositësit. Por, u realizua dëshira e Lushtakut, që Sali Veseli të lirohet.

Ekrem Rexha fillimisht ishte udhëheqës i UÇK-së në zonën e Vrrinit, ndërsa më 14 dhjetor 1998, nga SHP i UÇK-së emërohet Komandant i Zonës Operative të Pashtrikut.

Pas luftës, në kohën kur u vra, ishte drejtor i emergjencës në Komunën e Prizrenit.

Komandant “Drini” është vrarë para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në një atentat ku morën pjesë së paku, dy veta, siç pretendonte prokuroria nga dëshmitë e siguruara.

“Në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë. Në momentin kritik ai kishte dalë të ndezte veturën për të shkuar në punë, ndërsa ishte qëlluar me armë automatike, derisa po shikonte gomën e parë të veturës, nga ana e shoferit, pasi e kishte parë që i ishte shpuar qëllimisht”, thuhet në njoftimin për vrasjen.

Sipas dëshmive të kohës, përfshirë edhe deklaratat e anëtarëve të familjes, dhe dëshmive të mbledhura nga policia e UNMIK-ut, mbi trupin e tij janë zbrazur 17 plumba (tre në kokë dhe 14 në trup).

“Drini” u varros pas tri ditësh me 11 maj.

Rugova dhe LDK-ja: Thirrje - Të ndriçohen të gjitha rastet e vrasjeve dhe kidnapimeve politike në Kosovë

Pas vrasjes së komandant “Drinit”, kishin reaguar edhe disa parti politike, dega e LDK-së në Prizren dhe ajo e PDK-së. Ndërsa në qendër, PSHDK-ja dhe LDK-ja.

LDK-ja, e cila udhëhiqej nga Ibrahim Rugova, që mbante vetëm postin e kryetarit të LDK-së, atë kohë, dhe ishte anëtar i KPA-së, ka bërë thirrje, që të ndaleshin atentatet dhe kidnapimet politike.

“Të shqetësuar thellë nga vrasja e Ekrem Rexhes në Prizren, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, bashkë me kryetarët e 36 degëve të veta, në mbledhjen e mbajtur më 12 maj në Prishtinë, bënë këtë kumtesë për opinion:

"LDK-ja konsideron se vrasja e Ekrem Rexhës duhet të shqetësojë thellë gjithë opinionin e Kosovës dhe është një atak mbi vlerat e shoqërisë demokratike të Kosovës, mbi institucionet demokratike e shtetërore dhe mbi një komandant të njohur të UÇK-së, i cili me përkushtimin e një patrioti dhe profesionisti dha një kontribut shumë të rëndësishëm për çështjen e Kosovës.

Ekrem Rexha edhe pas përfundimit të luftës iu rrek me përkushtim ndërtimit të institucioneve shtetërore të Kosovës, duke u dëshmuar si një intelektual dhe një profesionist edhe në fushën e politikës.

Rasti i Ekrem Rexhës, si dhe rastet e tjera, siç janë atentatet dhe kidnapimet politike, si dhe format e tjera të dhunës, na brengosin thellë dhe i gjykojmë me vendosmëri. Metodat e dhunës politike nuk duhet të gjejnë vend në politikë. Ato e dëmtojnë rëndë frymën e dialogut, të tolerancës, proceset demokratike dhe vetë perspektivën e Kosovës.

Kërkojmë që sa më parë të zhvillohen hetimet përkatëse dhe sa më parë të ndriçohen të gjitha rastet e vrasjeve dhe kidnapimeve politike në Kosovë”, thuhet në komunikatën e LDK-së, të 12 majit 2000.

Kur në vitin 2001 u arrestuan tre epror të TMK-së, LDK-ja, dhe Zyra Amerikane në Prishtinë, e pohuan me deklarata publike se e mirëprisnin arrestimin e tre eprorëve të TMK-së, të cilët dyshoheshin se e kanë vrarë Ekrem Rexhën.

Proceset e dështuara

Në përpjekje për ta ndriçuar vrasjen e “Drinit”, nga autoritetet hetuese dhe të drejtësisë të kohës, në Prizren janë mbajtur dy procese gjyqësore. Në njërin prej tyre, por pasi që gjykata ka vlerësuar se ka “mungesë provash”, të gjithë të akuzuarit, që kanë qenë edhe ish-pjesëtarë të UÇK-së, dhe madje disa prej tyre, ish-shokë të “Drinit”, janë liruar.

Sali Veseli, ish-anëtar i SHP të UÇK-së dhe gjeneral i TMK-së, ishte dënuar nga Paneli Ndërkombëtar Gjykues në Gjykatën e Qarkut në Prizren për vrasjen e komandant “Drinit” me 15 vjet heqje lirie, kurse i akuzuari tjetër Abit Haziraj, ish-pjesëtar i UÇK-së ishte liruar nga akuza për mungesë dëshmish.

Por, këtë vendim e kishte anuluar Gjykata Supreme e Kosovës, duke e shpallur të pavlefshëm, për mungesë provash.

Ky proces gjyqësor ishte mbuluar mjaft mirë nga mediat, ku i akuzuar për bashkëpunim në vrasje ishte ish-komandanti i Zonës së Dytë të TMK-së, me thirrjen e atjeshme, gjeneral Sali Veseli.

Po ashtu të arrestuar kanë qenë Halil Çadraku nga komuna e Rahovecit dhe Xhemajl Beqiraj nga komuna e Suharekës, që të dy pjesëtarë të TMK-së.

Por, më në fund edhe për familjen Drini, edhe për viktimat tjera dhe familjarët e tyre, është Gjykata Speciale.

Burime të gazetës “Bota sot”, dëshmojnë se tashmë rasti ‘Drini” është pjesë e rasteve nga gjykata speciale, dhe se ajo i ka trajtuar marrë në pyetje të dyshuar apo edhe dëshmitarë. “Po, sipas meje me rastin ‘Drini’ është duke u marrë gjykata speciale’. Më shumë nuk mund të them asgjë”, thotë ky burim, në kushte anonimiteti.

Remzi Shala, i kërkuar që nga viti 2018 nga gjykata speciale, ish-pjesëtar i UÇK-së dhe TMK-së, i cili deklaronte se nuk do t’i dorëzohej Hagës, në rastin “Drini” ka dëshmuar kundër Sali Veselit, për të cilin kishte punuar si shofer.

Dekorimi

Ish-presidenti Hashim Thaçi, katër vjet më parë, në vitin 2017 e ka dekoruar, Ekrem Rexhën, me Medaljen Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë dhe urdhrin “Heroi i Kosovës”.

Gruaja e “Drinit”, Hajrija dhe djemtë e tyre Ekremi e Drini, e kanë pranuar dekoratën nga ish-presidenti.

“Familjes së Ekrem Rexhës, bashkëshortes Hajrijes dhe djemve të dashur Ekremit dhe Drinit, ua dorëzova Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë dhe urdhrin “Hero i Kosovës”, shkroi Thaçi në Facebook.

Më 23 tetor 2020, në pjesën qendrore të Prizrenit, përkatësisht në rrugën “Adem Jashari”, tek hapësira në mini-parkun përballë selisë së Kuvendit të Komunës, të njohur si “Shtëpia e Bardhë” është bërë përurimi i Memorialit kushtuar komandant “Drinit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat