Vrasja e pazbardhur e Demë Selimajt (2010)/ Unë, Dema, jam dëshmitar i gjallë që e kam pa vrasësin e Ilirit me sytë e mi (2003)

Aktuale

Vrasja e pazbardhur e Demë Selimajt (2010)/ Unë, Dema, jam dëshmitar i gjallë që e kam pa vrasësin e Ilirit me sytë e mi (2003)

Nga: Idriz Morina Më: 22 dhjetor 2021 Në ora: 17:46
Demë Malaj (Selimaj), i ekzekutuar në vitin 2010, dhe Ilir Selimaj, i ekzekutuar në vitin 2003

Janë bërë mbi 11 vjet nga vrasja e pashembullt e njërit prej dëshmitarëve të vrasjes makabre të prillit 2003.

Demë Selimaj, derisa po udhëtonte nga spitali i Pejës, me gruan e tij, Feriden dhe dy vajzat, me veturën e nipit të tij Ilir Selimajt, hero i luftës, kur do të sulmohej pamëshirshëm në një rrugë, vetëm pak kohë pa arritur në shtëpinë e tyre.

Sulmi ishte aq i furishëm, sa edhe vrasësit kishin besuar se kishin mbetur të gjithë të vdekur, përveç dy fëmijëve të plagosur, që dikush nga pjesëmarrësit në vrasje, nuk i lejoi të ekzekutohen, D. dhe K..

Më 2010 pas shumë përpjekjesh grupi i eliminimit, arrin ta ekzekutoj edhe një dëshmitarë kyç, të vrasjes së dyfishtë, dhe plagosjes së trefishtë.

Familjarë të tashmë të ndjerit Demë Selimaj, konfirmojnë se ende asnjë proces gjyqësor nuk është hapur për këtë rast. Fillimisht familja ishte informuar për një të arrestuar, por më pas asgjë nuk ka kuptuar.

Një familje e shtypur dhe e rënduar nga vrasjet dhe injorimi i shtetit ligjor, nuk dëshiron asgjë më shumë se sa një ditë të ketë drejtësi.

“E dimë që është arrestuar sipas policisë. Më shumë s’kem informacione se sa persona janë arrestuar”, thotë ky familjar, që për shkak të ndjeshmërisë së rasteve të vrasjeve zinxhirore nuk duam ta bëjmë publik emrin.

Demë Selimaj është vrarë në vendin e quajtur ‘Shinat e trenit: në Pejë, ndërsa ishte në shoqërim të djalit të tij të madh dhe të një kushëriri, që po ashtu mbet i plagosur rëndë. Edhe pse kishte mbetur i plagosur rëndë, ky nuk do t’i shpëtonte një atentati të ri, dhe në vitin 2013 do të ekzekutohej.

Po, çfarë kishte deklaruar vetë Demë Selimaj, për atentatin e bërë ndaj Ilir Selimajt, ku mbet vetë i plagosur rëndë, dhe iu vra gruaja:

Dema së bashku me Brahim Selimajn, vëllain e tij, e kishin dhënë një intervistë në redaksinë e “Bota sot” në Prishtinë në vitin 2003. Dema, kishte pohuar se në këtë krim, e kishte parë me sytë e vet vrasësin kryesor, por që policia e UNMIK-ut, nuk e kishte arrestuar.

Brahim e Demë Selimaj: Ne besojmë shumë në drejtësi, por drejtësia nuk po beson në ne. Ne kemi krijuar bindjen se policia, gjykata dhe të gjitha institucionet e Pejës janë të korruptuara deri ne pikën e fundit. Unë, Dema, jam dëshmitar i gjallë që e kam pa vrasësin me sytë e mi e ata gjoja ende bëjnë hetime dhe nuk e arrestojnë askënd. Si të kem besim atëherë unë në këto institucione?

“Tash po na kërcënojnë e po na vrasin, sepse jemi anëtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo është e tmerrshme”, thoshin të dy vëllezërit në atë intervistë.

Lajmi atë kohë ishte raportuar edhe nga agjencitë botërore si BBC, e cila e citonte zëdhënësin e policisë së UNMIK-ut, kanadezin Derek Çapell.

“Policia e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) thotë se një dëshmitar kyç i palës paditëse në një gjyq të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është vrarë në perëndim të Kosovës.

Një zëdhënës i policisë, Derek Chapell, tha se persona të armatosur kishin sulmuar veturën në të cilën udhëtonte Ilir Selimaj, duke e vrarë atë dhe një grua që udhëtonte me të, dhe plagosur tre të tjerë, përfshirë një fëmijë katër vjeçar”.

Ilir Selimaj kishte dhënë dëshmi në gjyqin e pesë ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët ishin dënuar me burg në vitin 2002 në lidhje me ndalimin dhe vrasjen e pjesëtarëve të një fraksioni rival të UÇK-së, Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), më 1999.

Po të njëjtin vit, tre muaj para vrasjes së Ilirit, në muajin janar, ishte ekzekutuar në pritë ish komandanti i FARK-ut, Tahir Zemaj, po ashtu dëshmitarë në gjyqin ndaj “Grupit të Dukagjinit”. Bashkë me të u ekzekutuan edhe biri i tij Enisi dhe kushëriri Hasan Zemaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat