Kur Xhabir Zharku kërkonte një vrasës për Ibrahim Rugovën!

Aktuale

Kur Xhabir Zharku kërkonte një vrasës për Ibrahim Rugovën!

Nga: Idriz Morina Më: 24 dhjetor 2021 Në ora: 13:22

Lidhja Demokratike e Kosovës dje e ka kujtuar 32 vjetorin e themelimit të LDK-së, prej 15 vitesh pa ikonën historike të saj, presidentin Ibrahim Rugova.

Ibrahim Rugova ishte njeriu i jashtëzakonshëm, që dha një kontribut historik për krijimin dhe udhëheqjen e lëvizjes për Pavarësinë e Kosovës. Lëvizja e tij paqësore e ndryshoi tërësisht imazhin për shqiptarët në Perëndim. Ai u bë njeriu i bekuar i shqiptarëve, kudo që ndodheshin. Një lider historik i patejkalueshëm, që kurrë nuk pranoi të hynte në vëllavrasje, pavarësisht kërcënimeve ndaj tij, vrasjes së bashkëpunëtorëve dhe veprimtarëve të LDK-së. Të gjitha thuajse ishin të organizuara kundër tij, përkatësisht LDK-së, për ta dobësuar fuqinë e saj, dhe që t’i hapnin rrugë marrjes së pushtetit, grupet e konfirmuara tashmë si kriminale.

I patronditur

Ai nuk u trondit, u sfidoi të gjitha përpjekjeve për ta shembur, as nuk u lëkund kurrë nga qëndrimet dhe parimet e përcaktuara.

Popullariteti për Rugovën nuk u lëkund as pas luftës, përkundër përpjekjeve për linçim, diskreditim, dhe përpjekjeve për t’i marrë ata të gjitha meritat e luftës, dhe për ta paraqitur Rugovën, si kundërshtarë të luftës dhe madje si pengesë të saj. Dëshmitë ishin të tjera. Njeriu që arriti ta krijonte ushtrinë e mirëfilltë në luftë ishte ministri i Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi, i cili e njihte për komandant suprem Ibrahim Rugovën, dhe se vetëm urdhrave të tij dhe të Qeverisë së Republikës iu bindej. Vetë ministri Krasniqi do të vritej në një atentat në Tiranë, të përgatitur nga SHISH-i dhe policia e Shqipërisë, të porositur nga i ashtuquajturi “Shtabi i Rognerit”.

Popullariteti i lartë i Rugovës pas luftës, u dëshmua me zgjedhjet e para lokale të pasluftës të vitit 2000, kur Rugova dhe LDK-ja fituan 56% të votave, pavarësisht vjedhjes së madhe gjatë numërimit. Edhe në dy palë zgjedhjet pasuese, Rugova do t’ia dilte, në vitin 2001 në zgjedhjet nacionale 45.65%, dhe në zgjedhjet lokale të vitit 2002 t’i fitonte rreth 45 % të votave.

Këto rezultate i kishin tërbuar ish-komandantët e luftës. Vrasjet politike më shumë si duket e kishin dëmtuar reputacionin e tyre, edhe partitë, si thuhet e dala nga lufta, nuk po ia arrinin dot ta ndryshonin situatën në dobi të tyre.

Kështu që po kalonin në një strategji shumë më agresive. Po kërkohej sulm i drejtëpërdrejtë për vrasje, pavarësisht disa sulmeve indirekte ndaj Rugovës.

Janë të regjistruara disa raste edhe nëpër fushata të ndryshme. Orkestrimi ishte edhe në media radikale që e mbështesnin grupin e “Rognerit” apo ish udhëheqësit e QPK-së.

Dëshmitë e pahetuara

Është një dëshmi e pahetuar nga policia, e bërë nga vetë dëshmitari protagonist. Ndoshta kjo mund të hedhë dritë edhe në sulmin me tritol ndaj presidentit Rugova të kryer në vitin 2005, ku fatmirësisht presidenti shpëtoi për shkak të automjetit të blinduar në shkallë mjaft kredibile.

Ishte viti 2002 kur një nga figurat më negative të luftës, që do të zgjidhej edhe kryetar i Kaçanikut, Xhabir Zharku, do t’i kërkonte dhëndrit të tij, që ta ekzekutonte Ibrahim Rugovën.

“Në vëren e viti 2002 isha duke ndejtur me disa mysafirë që janë policë të SHPK-ës në banesën që e kisha në lagjen Arbëri ish-Dragodan në Prishtinë. Ishte pasdite para se të binte terri. Duke biseduar me mysafirë u dëgjua një eksplodim i madh ku na dridhi edhe neve. Mysafirët shkuan te vendi i ngjarjes sepse ata ishin policë të Kosovës. Pas disa minutave erdhi Xhabiri me babën e nënën e vet me një xhip të madh Mitsubishi me targa të Shqipërisë. Zbres poshtë e them: Çka po bëhet kështu? Ku ka ndodh ky shpërthim? Xhabiri më përgjigjet: ”Q... nanën bre dhëndër, qashtu e lyp ky popull. Ky popull duhet zhduk se ja ka dhanë votat prapë Rugovës dhe ma bëri me sy. Kjo bisedë e tij me shqetësoi shumë mua. Shpërthimi kishte ndodhur aty afër sheshit Klinton", rrëfente Besnik Lajçi.

Pasi e kishte nxjerru dufin kundër tërë popullit shqiptar, Xhabir Zharku do t;i kërkonte një “nder” dhëndrit të tij, Besnik Lajçit.

“Xhabir Zharku më tha: Ti dhëndër mundesh me krye një punë, me vra Ibrahim Rugovën!”, ishte kjo një nga kërkesat tronditëse për Besnikun, i cili ka rrëfyer për krimet e shumta në luftë dhe pas saj.

Këto dëshmi të Lajçit, mund të jenë informacione të mira, për rihapjen e hetimeve, për sulmin terrorist të vitit 2002 ku mbetën të vdekur dy qytetarë të pafajshëm, dhe mbase me shumë gjasë për sulmin ndaj Rugovës, atë me tritol.

Xhabir Zharku konsiderohet si një ekspert i përdorimit të tritolit apo të masave shpërthyese!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat