​Viti i dytë pa të, babai i ish-presidentit Thaçi pret lirimin e të birit

Aktuale

​Viti i dytë pa të, babai i ish-presidentit Thaçi pret lirimin e të birit

Më: 31 dhjetor 2021 Në ora: 23:02
Haxhi Thaçi

Është ky viti i dytë që familja Thaçi po e presin Vitin e Ri pa djalin e tyre Hashimin i cili po mbahet në Hagë. 

I ati i Hashimit, Haxhi Thaçi në këtë 31 dhjetor, thotë të jetë i mërzitur meqë nuk e ka të birin afër, i cili çdoherë kishte shkuar për ta pritur ndërrimin e motmoteve në shtëpi bashkë me familjarët e tjerë. 

Ai thotë se përkundër dhimbjes mundohen të mbahen të fortë meqë i biri bashkë me shokët e tij luftuan për ta mbrojtur vendin.

Haxhia ka treguar se mëngjesin e sotëm ka folur edhe me Hashimin për të uruar Vitin e Ri. 

Thaçi: Po mërzitemi, na ka marrë malli për të 

“Po mërzitemi boll të gjithë e dhe shoqëria e Hashimit. Na ka marrë malli boll, që një vit e sa nuk është, e na e dimë që janë të pafajshëm, por çka me bo. Gjithë e kemi prit Vitin e Ri bashkë, kudo që ka qenë (Hashimi) ka ardh këtu për Vitin e Ri dhe kemi festuar bashkë të gjithë[...] Sot kam fol me të, ja urova Vitin e Ri e edhe ai na uroi neve. U mërzita boll, por çka me bo. Është puna që kanë luftuar për vend të vet dhe ne nuk duhet me u mërzitë, duhet me u mbajt se të gjithë luftuan për vendin e vet”, tha babai i ish-presidentit Thaçi. 

Urimi i të atit të ish-presidentit është që Hashimi bashkë me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin të lirohen sa më shpejtë. 

Thaçi: Urojmë që sa më shpejtë Hashimi bashkë me shokë të lirohen 

“Kismet ne i presim. Urojë që të vijnë shëndoshë. Ua urojmë Vitin e Ri, Hashimit dhe gjithë shokëve të tij, Jakupit, Rexhepit, Kadrisë e të gjithë atyre shokëve, inshalla me shëndet edhe inshalla lirohen më shpejtë, të pafajshëm janë e inshalla tani i presim bashkë tanë qetu”, thotë babai i Hashim Thaçit, Haxhiu.

Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Sali Mustafa dhe përfaqësues të OVL-UÇK-së, tash e dy vjet po mbahen në paraburgim në Hagë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat