​Krasniqi: Diaspora duhet të investojë në biznes, eksportet u rritën por jemi larg rajonit

Aktuale

​Krasniqi: Diaspora duhet të investojë në biznes, eksportet u rritën por jemi larg rajonit

Më: 7 janar 2022 Në ora: 16:05
Skënder Krasniqi

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Skënder Krasniqi në një intervistë për KosovaPress bën analizën e ekonomisë së vitit të kaluar.

Duke u ndalur tek rritja ekonomike prej 9.9%, Krasniqi thotë se ajo ka ndodhur te shumë vende dhe si rrjedhojë e ngritjes së çmimeve tek pothuajse të gjitha produktet.

Krasniqi: Rritja ekonomike është si rrjedhojë e ngritjes së çmimeve

“Të gjitha vendet kanë pasur rritje ekonomike për shkak të rënies që ka qenë gjatë vitit 2020, edhe dallimi është shumë i madh, sepse gjatë vitit 2020 të gjitha vendet kanë pasur rënie, edhe ne kemi pasur në atë vit rënie. Ndërsa, rritja ekonomike gjatë vitit 2021, ka ndodhur edhe për shkak të rritjes së çmimeve në tregun global. Fatkeqësisht, Kosova raportin eksport-import e ka shumë të madh, 90 me 10, që nuk e ka asnjë vend i Evropës. Dhe çdo rritje e çmimeve ndikon në të hyra më të mëdha në Doganë sepse fatkeqësisht Kosova shumicën e të hyrave e ka nga Dogana”, thotë ai.

Krasniqi deklaron se rritja e remitancave nuk ndihmon në zhvillimin ekonomik. Sipas tij, diaspora duhet të orientohet drejt investimeve në biznese që pastaj do të krijonin edhe vende të reja pune.

Krasniqi: Remitancat nuk ndihmojnë në zhvillimin ekonomik

“Rritja e remitancave nuk i ndihmon zhvillimit të vendit, më shumë është rritje e mbështetjes së qytetarëve në gjendje të rëndë nga ana e familjarëve të tyre në diasporë, që në fakt nuk do të duhej të ndodhte. Do të duhej që të kemi rritje të investimeve të bashkatdhetarëve tanë në biznese, në krijimin e vendeve të punës, për të bërë biznes që praktikisht nuk është duke ndodhur. Nuk kemi ende një ofertë konkrete, edhe Ligji për investime strategjike që ka skaduar më 2020 nuk është trajtuar fare më 2021. Dhe kështu ne nuk kemi as Ligj për investime strategjike, edhe të kemi rritje të investimeve, jo rritje të remitancave. Rritja e remitancave ndikon edhe në eksodin e madh si rezultat i pakënaqësisë dhe pamundësisë së qytetarëve për të mbijetuar”, thotë ai.

Kryetari i Bordit të OAK-ut thotë se mbi 70% e qytetarëve në moshë pune në Kosovë janë të papunë.

Krasniqi: Kosova ka një shkallë të lartë të papunësisë

“Ne kemi një papaunësi jashtëzakonisht të madhe, mbi 70 përqind e qytetarëve në moshë pune janë të papunë. Prandaj, ne duhet të kujdesemi që të kemi rritje të punësimit edhe rritje të mirëqenies, e kjo ndodhë vetëm kur kemi rritje ekonomike, kur bizneset qëndrojnë mirë, kur kemi ofertë dhe kur investitorët mund të jenë më të pranishëm në Kosovë siç janë në vendet e rajonit”, vijoi Krasniqi.

Krasniqi u shpreh se vitin e kaluar Kosova shënoi rritje të eksporteve por kujtoi se mbetemi larg vendeve të rajonit, duke marrë si shembull Maqedoninë e Veriut.


Krasniqi: Kosova mezi rriti 600 milionë euro eksporte, MV 6 miliardë euro

"Viteve të fundit kemi rritje të eksportit, edhe pse është shumë trend i vogël në krahasim me mundësitë dhe me importin e madh, por edhe në krahasim me vendet e rajonit, siç është Maqedonia e Veriut deri 6 miliardë (euro) eksporte. Ndërsa, eksporti ynë për dhjetë vjet ka qenë deri 400 milionë, ndërsa tash kemi një rritje në 500-600 milionë euro, që është një rritje e mirë, por prapë është shumë larg rajonit dhe shumë larg mundësive tona që i kemi”, tha ai.

Krasniqi ka kërkuar nga Qeveria të ketë në fokus edhe krijimin e zonave ekonomike, ndryshimin e udhëzimeve administrative, Ligjin për miniera dhe ofertë të veçantë për krijimin e produkteve strategjike në bujqësi.

Krasniqi: Kosova duhet të ketë ofertë të veçantë për investime

“Me kalimin e ligjeve, me krijimin e ofertës konkrete të të bërit biznes, me krijimin e zonave ekonomike me oferta të veçanta për të bërë biznes dhe me krijimin e produkteve strategjike në bujqësi. Krijim të ofertave për të investuar në miniera. Pra, me ndryshimin e udhëzimeve administrative, me Ligjin e minierave, me Ligjin e punës dhe me Ligjin për tregti të brendshme, do të ketë hapësirë shumë më të madhe, edhe për bizneset tona, edhe për qytetarët që të kenë vende pune më shumë dhe për ardhjen e investitorëve. Kërkohet një koordinim më i madh me Ministrinë e Arsimit, e cila ka qenë shumë pasive. Fatkeqësisht puna është shumë më e vogël se sa mundësitë që i kemi për të pasur një rritje ekonomike”, thotë ai.

Krasniqi kërkoi nga kryeministri, ministrat dhe Kuvendi i Kosovës që gjatë vitit të ardhshëm të jenë shumë më aktivë në koordinimin e politikave së bashku me komunitetin e biznesit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat