​Idrizi premton se brenda vitit do të furnizohen të gjithë qytetarët e Vushtrrisë me ujë të pijes

Aktuale

​Idrizi premton se brenda vitit do të furnizohen të gjithë qytetarët e Vushtrrisë me ujë të pijes

Më: 9 janar 2022 Në ora: 14:50
Ferit Idrizi

Deri në fund të këtij viti do të përfundojë shtrirja e rrjetit të ujësjellësit në tërë territorin e Komunës së Vushtrrisë. Kështu premton kryetari i ri i kësaj komune, Ferit Idrizi, i cili thotë se mungesa e ujit të pijes është një prej problemeve më të mëdha me të cilin përballen qytetarët e Vushtrrisë.

Idrizi që në fund të vitit të kaluar mori besimin e vushtrriasve për të udhëhequr me komunën, deklaron se do t’i realizojë të gjitha premtimet që i ka dhënë gjatë fushatës zgjedhore.

I pari i Vushtrrisë thotë se prioritet të punës së tij do t’i ketë të rinjtë vushtrrias, për t’iu krijuar mundësi për zhvillim profesional e punësim.

Idrizi thekson se problem sa i përket ujit të pijes në Vushtrri është shtrirja e rrjetit sekondar, e që thotë se të gjitha punimet do t’i përmbyllin deri në fund të vitit.

Idrizi: Brenda vitit do të furnizohen të gjithë qytetarët në Komunën e Vushtrrisë me ujë të pijes

“Ne veç i kemi identifikuar problemet, është shtrirja e rrjetit sekondar në ato pjesë ku nuk është shtirë. Kemi pasur takimin e menjëhershëm sepse ne para përmbylljes së balotazhit e patëm bërë edhe një plan 100 ditësh me të cilat do të merremi. Prioritet kryesor ka qenë uji i pijshëm. Kemi pasur takimin e parë me bordin regjional të ujësjellësit dhe me kompaninë e cila është duke e zbatuar projektin. Jemi në vazhdimësi në mbikëqyrje të kësaj, ju kemi premtuar qytetarëve që brenda vitit 2022 do të furnizohen të gjithë qytetarët në Komunën e Vushtrrisë me ujë të pijes dhe ne do të angazhohemi që t’iu dalim në fjalë ashtu si ju kemi premtuar”, thotë ai.

I pari i qytetit të Vushtrrisë, thekson se prioritet për të janë të rinjtë e Vushtrrisë dhe përgatitja e tyre për tregun e punës.

Idrizi: Për mua projekt është rinia, përgatitja e të rinjve për tregun e punës

"Për mua projekt është rinia, do të thotë përgatitja e të rinjve për tregun e punës dhe mbështetja e bizneseve ekzistuese. Qysh në fillim të vitit 2022 ne do të merremi me këtë çështje, ju kemi premtuar diku afër 30 profile profesionale dhe do të fillojmë menjëherë më shpallje të konkurseve për t’i ofruar mundësi që ato të reja, ata të ri të cilët kanë mbetur pa një përgatitje të duhur profesionale të ju ofrojmë nga komuna drejtpërdrejtë në vendin e punës. Ky është një projekt madhor, sepse ndikon drejtpërdrejtë në zbutjen e papunësisë dhe në krijimin e vendeve të reja të punës”, thotë Idrizi.

Idrizi që është marrë një kohë të gjatë me arsimin, thotë se në fokus të punës së tij do ta ketë përmirësimin e cilësisë së arsimit në këtë komunë. Vëmendje të veçantë thotë se do t’i kushtojë edukimit të hershëm.

Idrizi: Mbetet sfidues kuadri për çerdhe

“Ministria e Arsimit veç ka planifikuar diku tri çerdhe dhe ne do të caktojmë lokacionin shumë shpejtë, do të fillojmë prej janarit ta kontaktojmë ministrinë e Arsimit të shohim qysh është çështja e çerdheve. Sa i përket çerdheve kemi edhe objekte të tjera të ndërtuara të cilat kanë funksionuar si shkolla dhe për shkak të zvogëlimit shumë të madh të numrit të nxënësve ne mundemi t’i shndërrojmë në çerdhe. Ajo çka mbetet sfiduese por besoj fuqishëm që ky ka qenë edhe në planin e qeverisë është kuadri arsimor për çerdhe, që nuk duhet t’i mbetet komunës”, thotë ai.

Kryetari Idrizi, thotë se gjatë këtij mandati do të angazhohet edhe në përmbylljen e infrastrukturës së ujërave të zeza, infrastrukturës rrugore dhe krijimin e parkingjeve brenda qytetit.

Ndërkaq, sa i përket punimeve në magjistralen Prishtinë-Vushtrri-Mitrovicë, Idrizi thotë se Ministria e Infrastrukturës duhet të intensifikojë punimet për shkak se qytetarët po presin me orë të tëra në kolonat që po shkaktohen.

Idrizi: Është shumë pengesë jo vetëm për qytetarët e Vushtrrisë

“Besoj që duhet të lëvizin më shpejtë në këtë drejtim sepse është bërë vërtetë kohë e gjatë, nuk janë ditë dhe muaj, por janë vite kur ka filluar ndërtimi i asaj rruge dhe ka mbetur ashtu...Është shumë pengesë jo vetëm për qytetarët e Vushtrrisë po edhe për qytetarët e Mitrovicës, sepse kjo është autostradë shumë e frekuentuar, nëse nuk gaboj është diku rruga e treta në Kosovë që është më e ngarkuara për nga frekuentimi i automjeteve”, shprehet ai.

Kreu i Vushtrrisë ditë më parë ka kompletuar kabinetin e tij, e që thotë se e ka mbajtur premtimin që u ka dhënë qytetarëve se qeverinë do ta zgjedh vet pa u ndikuar nga askush.

Idrizi: Është një ekip që e kam përzgjedhur vet ashtu qysh ju kam premtuar qytetarëve

“Është një ekip shumë e mirë, shumë profesionale, është një ekip që e kam përzgjedhur vet ashtu qysh ju kam premtuar qytetarëve se qeverinë e zgjedh vet, vërtetë ashtu ka ndodhur. Premtimi para qytetarëve se do t’i realizojmë premtimet që i kemi dhënë gjatë fushatës, do t’i realizojmë objektivat, nuk ka alternativë tjetër”, thekson ai.

Idrizi në balotazh është përballur me ish-kryetarin e komunës, Xhafer Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat