Rrjedhja e informacioneve për aksionet në veri, çfarë paralajmërojnë ekspertët

Aktuale

Rrjedhja e informacioneve për aksionet në veri, çfarë paralajmërojnë ekspertët

Më: 9 janar 2022 Në ora: 23:10
Foto ilustrim

Në një aksion të Policisë së Kosovës në veri dyshohet se kishte rrjedhje të informacionit. Prandaj mëngjesin e 10 tetorit të vitit të kaluar, në një aksion në veri policia e Kosovës nuk ia doli të arrestojë dhjetë persona që i kishte në cak.

Nga 18 persona që u kërkuan, vetëm tetë prej tyre përfunduan në pranga.

Shqetësimin për rrjedhje informacioni e kishte ngritur vetë drejtori i Policisë në konferencën pas aksionit.

Por rrjedhje të informacionit dyshohet se kishte pasur edhe në një aksion të policisë e doganës gjatë javëve të fundit në veri të vendit, raporton RTV Dukagjini.

Për këtë aksion të 25 dhjetorit, shqetësimet për rrjedhje informacioni i kishte shprehur vet ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

“Në një nga lokacionet është vërejtur infrastruktura por mungonin pajisjet për këtë veprimtari të jashtëligjshme. Duke marrë parasysh këtë fakt, Policia e Kosovës është duke zhvilluar hetime intensive për rrjedhje të informatës zyrtare”, kishte njoftuar Sveçla.

Nga Inspektorati Policor i Kosovës, thonë se janë duke bërë hetime në këtë drejtim por pa dhënë komente tjera.

Për Nuredin Ibishin, që një kohë ka qenë edhe pjesë e Policisë së Kosovës, rrjedhja e informacioneve mund të ketë pasoje për zyrtarët policorë apo doganorë që marrin pjesë në aksione.

“Rrjedhja e informacioneve pos dështimit të operacioneve mund të sjellë pasoja të rënda edhe për zyrtarët policorë dhe zbatues tjerë të ligjit siç janë doganierët apo zyrtarë tjerë shtetëror…Tashmë supozohet se ka përsëritje të rrjedhjes së informacioneve dhe duhet të merren patjetër masa për të kuptuar se nga ku po ndodh kjo rrjedhje e informacioneve”, deklaroi Ibishi.

Ndërkohë për avokaten Fehmije Gashi-Bytyqi e cila poashtu ka qenë pjesë e strukturave policore, ruajtja e informacionit është e vështirë kur në operacione përfshihen struktura të ndryshme shtetërore.

“Në çështjet e sigurisë është i përfshirë edhe faktori ndërkombëtarë apo KFOR-i, që është mjaft e vështirë të fokusohen dyshimet në hetimin e rrjedhjes së informacioneve”, deklaroi Gashi-Bytyqi.

Ndryshe nga veriu, Policia e Kosovës për ruajtjen e informacionit po tregohet më efikase në aksionet ne jug të vendit ku së fundmi në operacionin “Brezovica” u arrestuan dhjetëra persona përfshirë edhe zyrtarë shtetëror.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat